E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça, gati për befasi

Trepça dhe Sigal Prishtina do ta zhvillojnë ndeshjen e katërt finale të play-off-it të enjten në Pejë. Mitrovicasve - që në këtë takim luajnë si vendës për shkak të dënimit të palestrës së tyre - pas fitores në kryeqytet u janë rritur apetitet dhe tash synojnë ta barazojnë serinë e ndeshjeve në 2-2, në mënyrë që kampioni i ri të dihet vetëm pas ballafaqimit të pestë. Në anën tjetër, prishtinasit planifikojnë ta heqin dilemën e kampionit qysh të enjten.

Basketbollisti i ri, Drilon Hajrizi është pa mëdyshje njëri prej më të mirëve te skuadra mitrovicase. Ai kërkon nga bashkëlojtarët që ta përsërisin lojën e fundit për të arritur deri te fitorja e dytë.

“Shpresoj që ta përsërisim lojën e njëjtë si në Prishtinë, ku luajtëm shumë mirë. Ne i kemi bërë përgatitjet e njëjta si në atë lojë, kështu që llogarisim në rezultat pozitiv. Pres lojë të pëlqyeshme, e cili ekip është më i mirë, le të fitojë. Mendoj se kampioni do të vendoset në Prishtinë”, tha Hajrizi.

Në palestrën e sporteve “Karagaç” në Pejë, kësaj radhe do të ketë vend edhe për shikues. Andaj Hajrizi pret një numër të madh të tifozëve “Torcida”, që ta përkrahin ekipin e tyre, edhe pse luan jashtë Mitrovicës.

E Sigal Prishtina nuk po mendon fort për lojën e pestë eventuale të finales së play-off-it. Bardh e kaltrit, pasi dështuan të festonin në Prishtinë, këtë pretendojnë ta bëjnë në Pejë.

“Ne do të shkojmë në Pejë për ta kryer serinë e play-off-it. E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, por nëse nuk i përsërisim gabimet tona dhe nëse Trepça nuk do të ketë fat siç pati në lojën e fundit, besoj se do të shpallemi kampion. Ne nuk mendojmë për ndeshjen e pestë eventuale në Prishtinë”, tha basketbollisti i Sigal Prishtinës, Granit Rugova.

Aktualisht, Sigal Prishtina udhëheq me 2-1 në serinë finale të play-off-it. Përballja në Pejë, që fillon në ora 19:00, ose do t’ia hapë rrugën Trepçës për titull ose do ta shpallë Sigal Prishtinën kampion të Kosovës, për herë të pestë radhazi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›