E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Vlorë, më 28 Nëntor

Dita e kremtimit të Pavarësisë, ngjarjes dhe arritjes më të madhe për kombin shqiptar po afron, megjithatë opinioni publik ende nuk di në ç’raport do të jenë aktivitetet që do të zhvillohen në Vlorë, ku u shënua kjo ngjarje, ku u vërtetua ky fakt historik, ku u shpall pavarësia dhe nisi të bëhej Shqipëria dhe Tirana, si kryeqytet i vendit. Dhe kjo ndodhë për shkak të qëndrimit të politikës, të veprimeve të pamatura të qeverisë, e cila s’po lë gurë pa lëvizur dhe marifete pa sajuar e përdorur që të spostojë kremtimet nga Vlora, ku shqiptarët kanë festuar tradicionalisht, në Tiranë ku qëndron si në bunker kjo qeveri, që nuk do t’ia dijë, që nuk do të përfillë as traditën, as historinë dhe as ndjenjat e dëshirat e popullit. Pavarësia, Ismail Qemali, figura qendrore e saj dhe Vlora, vendi i ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë janë të lidhura në mënyrë të natyrshme, të pazgjidhshme. Ato nuk mund të kuptohen e nuk mund të imagjinohen veç e veç, të shkëputura, të ndara. Prandaj, kremtimet për Pavarësinë e kanë vendin në Vlorë. Kryeqytet i Shqipërisë, madje kryeqendra e shqiptarëve në këtë ditë të madhe bëhet Vlora. Vëmendja e tyre këto ditë përqendrohet pikërisht këtu, në Vlorën e Ismail Qemalit, ku pritet t’i bëhen nderimet e duhura, nderimet e merituara protagonistëve të pavarësisë. Zgjedhja e Vlorës si vendi ku do të ngrihej flamuri nuk ishte e rastit, nuk u bë rastësisht. Patriotët e bashkuar rreth Ismail Qemalit, rreth projektit të tij, shqyrtuan e diskutuan të gjitha variantet e mundshme dhe më në fund gjykuan se për momentin, në situatën kritike në të cilën ndodhej vendi, Vlora ishte mundësia më e mirë; ajo i kishte të gjitha premisat që misioni i tyre të përfundonte me sukses pikërisht këtu. Në këtë rast u patën parasysh, u morën në konsideratë shumë elementë, shumë faktorë, por mbi të gjitha, rrethanat që ishin prezente, atmosfera që sundonte në qytet e në rrethina, siguria që ofronte Vlora për aktivitetet që do të zhvilloheshin në këtë rast e për qeverinë që do të krijohej, për veprimtarinë e saj, lidhjet me krahinat dhe me botën. Vlora nga çdo pikëpamje për momentin ofronte kushtet më optimale. Ajo qe përgatitur për këtë ngjarje, atmosfera aty ishte në lartësinë e momenteve historike që përjetonte kombi shqiptar dhe shpresat e besimi i tyre u justifikuan. Vlora i përmbushi me një përkushtim shembullor obligimet e veta. Ajo i dha kësaj ngjarjeje gjithçka pati, gjithë mbështetjen dhe angazhimin e duhur, gjithë vlerat e veta qytetare e atdhetare, e me këto, ajo i dha dhe emrin e vet, siç i dha Lezha Kuvendit historik të mbajtur aty, siç i dha dhe Prizrenit Lidhja e famshme të krijuar aty. Vlora e tregoi edhe më pas preokupimin dhe angazhimin në çështjen e pavarësisë, e tregoi në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare, luftës që i riktheu vendit pavarësinë e shkelur e të mohuar nga agresorët nazifashistë. Vlora dhe Pavarësia përbëjnë një binom të pandarë, që nuk mund të kuptohen pa njeri-tjetrin, për rrjedhojë, edhe kremtimet për të nuk mund të bëhen, nuk mund të ndahen nga Vlora. Vlora e 1912-ës dhe 1920-ës, Vlora e Luftës Nacionalçlirimtare, Vlora e Ismail Qemalit, e Avni Rustemit, e Halim Xhelos, e Selam Musait, e Hysni Kapos dhe e patrioteve të tjerë të kësaj treve, e meriton një vlerësim e një nderim të tillë nga i gjithë vendi, nga i gjithë kombi shqiptar. Këtë traditë që mbështetet në logjikën e historisë, në realitetin historik që përjetoi Vlora dhe i gjithë vendi, në ato ditë historike të papërsëritshme për gjithë kombin shqiptar, nuk mund ta cenojë e ta ndryshojë askush. Atë nuk e ndryshuan, por përkundrazi e njohën dhe e respektuan deri në fund dhe ish-mbreti Zog dhe ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha. Kjo maxhorancë duhet ta kishte kuptuar me kohë këtë dhe duhet të kishte reflektuar ndaj reagimeve e sugjerimeve që ka patur vazhdimisht gjatë gjithë vitit nga historianë e nga intelektualë të fushave të tjera për të ndryshuar qëndrimin ndaj kësaj ngjarjeje, për të ndryshuar axhendën e kremtimeve, duke u dhënë vendin qendror, vendin që u takon, manifestimeve në Vlorë, më 28 Nëntor, ditën e flamurit, siç është bërë gjithnjë në këtë vend që nga koha e shpalljes së pavarësisë. Qeveritë dhe mazhorancat shkojnë e vijnë, ndryshohen e zëvendësohen, por realiteti historik mbetet ai që është dhe ai duhet respektuar. Të paktën në këtë rast, në një moment si ky, duhet të tregohet përgjegjshmëri e qytetari në të mirë të historisë, por dhe të dinjitetit e të unitetit kombëtar.

Pavarësia, vepër e të gjithë kombit shqiptar
Vepra që realizoi Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë të bashkuar rreth tij është e jashtëzakonshme, e pashembullt në historinë tonë dhe kontributi i Vlorës, i popullit të saj është i pashoq. Por kjo nuk do të thotë se duke vlerësuar Vlorën dhe Ismail Qemalin nënvleftësohen apo u bëhet karshillëk krahinave dhe figurave të tjera. Pavarësia është vepër e të gjithë kombit shqiptar, e të gjitha krahinave të vendit, e Shkodrës dhe e Shkupit, e Prishtinës dhe e Tiranës, e Manastirit dhe e Korçës, e Elbasanit dhe e Gjirokastrës, e patriotëve të mëdhenj nga Shqipëria, nga Kosova e nga Çamëria, që nuk reshtën së punuari e së luftuari për vite të tëra për lirinë e pavarësinë e mëmëdheut. Pavarësia nuk mund të shihet si një moment i rastit dhe as si vepër e pak njerëzve e aq më pak e një apo e dy krahinave; ajo është rezultante e një procesi të gjatë historik, e përpjekjeve të pareshtura të qindra e qindra patriotëve shqiptarë nga Shqipëria e nga Kosova, që bënë historinë e kësaj ngjarjeje, që ia kushtuan asaj jetën e tyre, që e përgatitën atë. Pavarësia që u finalizua më në fund me ngritjen e flamurit në Vlorë, ka në themelet e saj kontributin e burrave të mëdhenj të kombit shqiptar, të rilindasve të shquar, që me idetë e tyre mbajtën gjallë ndjenjën e shqiptarizmës, të patriotëve të tjerë bashkëkohës dhe bashkëluftëtarë të Ismail Qemalit, si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Dom Nikollë Kacorri, Aqif Pashë Elbasani, Mitat Frashëri, Rexhep Mitrovica, Lef Nos etj., të cilët në momentet më të rënda që kalonte kombi shqiptar u bashkuan rreth plakut të Vlorës, rreth projektit të tij dhe së bashku nisën rrugëtimin drejt Vlorës për të realizuar misioni historik, që përbënte qëllimin e jetës së tyre, ngritjen e flamurit dhe shpalljen e pavarësisë.

Respekt e mirënjohje për të shkuarën, traditën, historinë
Shpallja e Pavarësisë përfaqëson në vetvete një ngjarje të përmasave epokale. Ajo bëri epokë, çeli një epokë, një faqe të re në historinë e kombit shqiptar. Por procesi nuk do të ndalej këtu; shpallja e pavarësisë ishte fillimi e jo fundi i tij, fillimi i një rruge të re, e një perspektive të re për këtë vend e për këtë komb. Etapa e re që po niste do të kishte të tjera probleme, të tjera vështirësi e pengesa, por ato nuk do të ndalnin vullnetin e shqiptarëve, patriotëve shqiptarë për ta bërë Shqipërinë, për ta renditur atë në radhën e kombeve dhe vendeve të civilizuara. Njëra etapë përgatiste kushtet për të kaluar në një etapë tjetër, në një etapë të re, më të lartë. Kështu realizohet kalimi nga një etapë në tjetrën, nga një shkallë më e ulet në një tjetër më të lartë. Kjo është dialektika e jetës, e progresit, e zhvillimit të shoqërisë. Një etapë e caktuar realizon një axhendë të caktuar, detyra të caktuara, që përcaktohen nga kushtet historike, nga mundësitë dhe nga mjetet që ofrojnë ato. Nuk mund t’i kërkohej Ismail Qemalit që në ato kushte, në ato kohë të vështira, kur ishte në pikëpyetje ekzistenca e Shqipërisë, e çështjes shqiptare, të vendoste stabilitetin që vendosi Zogu; të ndërmerrte ato hapa që ndërmori ai për organizimin e shtetit shqiptar. Do të duhej edhe ca kohë, edhe ca përpjekje të tjera për të arritur këtu. Por Ismail Qemali krijoj kushtet, krijoj premisat e duhura për të ecur në këtë rrugë, për të ecur më tej. Ai themeloi shtetin shqiptar, krijoi qeverinë e parë kombëtare, me institucionet përkatëse, që do të vinin duke u plotësuar, përsosur e konsoliduar. Në etapën e re pas shpalljes së Pavarësisë do të dilnin figura të tjera, që do të vazhdonin rrugën e nisur. Por veprimtaria e tyre tani nuk do të zhvillohej në një terren djerrë, por në një tokë të lëruar më parë nga paraardhësit. Vepra që realizoi Ismail Qemali dhe shokët e tij do t’u shërbente brezave jo thjesht si burim frymëzimi, pasi veç mesazhit për të ruajtur si sytë e ballit pavarësinë, për të mos reshtur së punuari për të, ajo transmetonte dhe një përvojë të madhe, konkrete, me mësime të çmuara, që do t’u shërbenin edhe më tej patriotëve shqiptarë në veprimtarinë e tyre në dobi të vendit. Kësisoj, etapat në vazhdim do të bartin në vetvete këtë përvojë, këto mësime, me mundësi e me premisa për të çuar më tej procesin, për të konsoliduar më tej pavarësinë. Por vepra e paraardhësve e Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë, përgjithësisht e kaluara, tradita vazhdojnë të çmohen, të respektohen e të nderohen. Mirëpo për fat të keq tek ne jo gjithnjë është vepruar kështu, jo gjithnjë është çmuar e respektuar e kaluara, tradita, paraardhësit, vepra dhe kontributet e tyre; përkundrazi shpesh ata janë përçmuar, denigruar e luftuar. Kështu veproi ish-mbreti Zog me plotë figura të mëdha të pavarësisë para tij e bashkëkohës të tij, të cilët i ndoqi, i persekutoi e i likuidoi. Kështu veproi dhe Enver Hoxha me Zogun në periudhën e tij, por edhe me disa nga bashkëkohësit e vet. I njëjti qëndrim ndaj së kaluarës mbahet edhe sot nga politikanët që drejtojnë vendin. Denigrimi e mohimi total që i bëhet të ashtuquajturës periudhë komuniste është një veprim i kalkuar mirë. Politikanëve të sotëm nuk u bënë hije Zogu me atë që la pas, por Enver Hoxha, për të cilin ka tjetër ndjesi në opinionin publik. Kjo nuk i lë të qetë. Komplekset e së kaluarës i shtyjnë të ndërmarrin hapa që dëmtojnë vendin, imazhin e tij, por edhe prestigjin e tyre. Qëndrimi që mbahet ndaj së kaluarës është i gabuar e i dëmshëm. Është i tillë se mohohet gjysmë shekulli histori, gjysmë shekulli pavarësi, gjysmë shekulli luftë e përpjekje për ta mbrojtur e çuar përpara çështjen e pavarësisë. Këtë s’e bënë kush vetëm ne shqiptarët, politikanët shqiptarë, që në këtë rast ndjekin traditën më të keqe, duke menduar se kështu rriten aksionet e tyre, dalin në pah vlerat e tyre dhe hyjnë në histori për të mirë. Në fakt ndodh e kundërta. Fundi kurrë nuk dihet, po ashtu dhe vendi që zë në histori; ato as nuk dihen dhe as nuk parashikohen. Këto s’i parashikuan dot as Zogu dhe as Enver Hoxha. Historia në këtë çështje është e pamëshirshme, por gjithsesi objektive. Përvoja tregon se njerëzve të mëdhenj, por modestë, fjalëpak e punëshumë, që çmojnë e respektojnë paraardhësit, të kaluarën, traditën, historia u rezervon një vend të veçantë, siç ka ndodhur me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Luigj Gurakuqin etj. Nuk janë vitet në pushtet, nuk është jetëgjatësia në pushtet që të jep emër e nder, një vend të nderuar në histori, por vepra që lë, trashëgimia që u lë brezave. Rrethanat historike e detyruan Ismail Qemalin të largohet shpejt nga skena politike, por edhe në ato pak vite që qëndroi, ai la një vepër monumentale që e bëri të pavdekshëm, që i dha një vend të veçantë, të merituar në historinë kombëtare. Është ky një mësim i madh i jetës, i historisë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›