20 vitet në politikë të Hilarit dhe 22 të Saliut
Zonja Klinton deklaroi para ca ditësh se ka vendosur të largohet nga veprimtaria politike meqë ndjehet “e lodhur”, prandaj do t’i kushtohet jetës familjare.Gjithsesi dua të theksoj që në krye të herës, se krahasimi i mëposhtëm mes zonjës Klinton dhe zotit Sali do të bëhet për përafërsinë e kohëqëndrimit të tyre në politikë, por asesi për arsye të cilësive apo të vetive të tyre vetjake. Se, sa për kontributet, të krahasosh ato, - besoj në mirëkuptim, po të huazoj një shprehje të Berishës, - është si të krahasosh të pakrahasueshmet.
Zonja Klinton, një tjetër “zonjë Durham” e shqiptarëve, nuk ka qenë as Presidente, as kryeministre, po ministre e Jashtme e SHBA-ve për katër vjet. Nuk i ka rënë kryq e tërthor Shqipërisë, po e ka shkelur vetëm për katër orë, e megjithatë ajo ka bërë aq shumë për çështjen shqiptare, sa meriton mirënjohje, veçanërisht tani që po largohet nga funksioni. Krahasimi që po bëjmë me Berishën nuk ka për qëllim të ulë vlerat e saj, përkundrazi; por duke theksuar dallimet mund të kuptojmë më mirë dhe më lehtë përse njëri e ka aq të vështirë dhe të pamundur të lërë pushtetin. Krahasimi mes dy politikanëve nuk qëndron, edhe për shumë arsye të tjera ku e ku më të qenësishme, si p.sh.: Zonja Klinton nuk e ka çuar vendin në luftë civile, si Berisha në 1997-ën; nuk ka udhëtuar më shumë se Berisha brenda dhe jashtë vendit (mblidhni dhe krahasoni p.sh. kilometrat e të dyve e do të shihni kush ka arsye të ndjehet i “lodhur” më shumë!); nuk është akuzuar për korrupsion familjar, për nepotizëm, krahinorizëm dhe autoritarizëm; nuk i ka thënë kush një fjalë për vjedhje, trafikim votash, për konfliktualitet të pasosur politik si Sekretare e Shtetit dhe si senatore, për ndonjë Gërdec, për shitje armësh apo për falje territoresh; nuk ka dhënë urdhër të arrestohen kundërshtarët apo të qëllohen me armë zjarri demonstruesit para Shtëpisë së Bardhë; madje, edhe pse është grua, nuk i ka shkuar kurrë në mend të deklarojë se ka ca “pllaka” elektro-magjike në kokë a në gjak, të cilat nuk do ta lënë kurrë të plaket, kështu që e ka hak qëndrimin në pushtet sa t’i japë urdhër i Plotfuqishmi…
E megjithatë ajo do të vetëlargohet nga politika, ndërsa Berisha nuk lë rast pa na kujtuar se do të fitojë edhe një mandat tjetër në 2013-ën, se do të jetë në pushtet jo vetëm në 2023-in, por edhe më tej!...
Sigurisht, janë dy mendësi e dy botë të ndryshme. Zonja Klinton po ikën në shtëpi pa ia kërkuar këtë as Presidenti dhe as partia; as për shkak të dështimit të misionit apo të shpërthimit të ndonjë skandali, si ajo e shefit të CIA-s. Thuhet se deri tani janë tri kandidatë që do ta zëvendësojnë, para se Obama të bëjë betimin. Por duke qenë se SHBA është në recesion dhe Shqipëria në lulëzim, mos vallë zonja Klinton i do SHBA-të më pak seç e do Berisha vatanin, prandaj po dorëhiqet? Kjo pyetje të shtyn të hamendësosh për shkakun e diferencës mes dy liderëve, njërit ballkanik e tjetrit amerikan... E pra, si shpjegohet që Berisha, e jo vetëm ai, nuk e njohin dorëheqjen, por bëjnë të pamundurën e të pabërën të mos ikin në shtëpi, jo vetëm kur i humbasin zgjedhjet, por as kur e çojnë vendin në kolaps, si në vitet 1996-‘97? A thua të jetë më i shijshëm dhe më i lakmueshëm pushteti në Ballkan, në këto minishtete, se sa në një superfuqi si SHBA, ku i ka sytë e gjithë bota?
***
Ndryshimi ndoshta qëndron pikërisht te ajo që pat thënë imzot Noli para më pak se 100 vitesh: Politikanëve shqiptarë mund t’ua heqësh prapanicën nga kolltuku (i pushtetit) vetëm po t’u sharrosh këmbët e kolltukut… Për këtë arsye “gjenetike” ne do të kishim edhe sot e kësaj dite mbret Ahmet Zogollin, po qe se nuk do t’ia sharronte këmbët e kolltukut mbretëror Italia fashiste, pa qenë e nevojshme t’ia sillnim eshtrat e të bënim edhe mauzole për të… Po ashtu, po ta kishte lënë gjallë Allahu ne do të kishim ende Hoxhën sekretar të parë, pavarësisht nga “idealet e Dhjetorit”… Me siguri këtë “virtyt” të patjetërsueshëm të politikanëve shqiptarë nuk patën mundësi t’ia shpjegonin zonjës Klinton kur ndodhej në Tiranë, që ajo, jo vetëm të mos jepte dorëheqje e të mos thoshte se ndjehej “e lodhur”, por edhe të mos bënte atë thirrjen në Kuvend që iu duk naive krerëve shqiptarë, kur tha: Do të bëni mirë që të shihni më së pari dhe më tepër interesin e vendit, se interesin tuaj vetjak…
E kujt ia tha këtë? Ndoshta zonja Klinton gaboi në Shqipëri dhe kërkoi të pamundurën ngaqë është edukuar dhe mëkuar me kulturë amerikane, me rregullin e padiskutueshëm të rotacionit demokratik, ku falë Kushtetutës as Bill Klinton, bashkëshorti i saj, një nga presidentët më të suksesshëm të SHBA-ve, nuk mund të qëndronte në pushtet, edhe po t’ia kishte ënda, më shumë se dy mandate! Pa kufizimin me ligj kushtetues të mandatit të Presidentit, SHBA pa diskutim jo vetëm që do të ishte monarki, si patën dyshuar me të drejtë hartuesit e Kushtetutës, po rrezik të ish transformuar në një Shqipëri të madhe me shumë shtete, ku secili të kishte nga një Berishë të pazëvendësueshëm në krye të sofrës...
Kurse tek ne sistemi demokratik ka degraduar tashmë nga partitokracia në kryetorokraci… Prandaj gjithnjë e më e pakët do të jetë mundësia e vetëlargimit të krerëve, e zëvendësimit të tyre e njëkohësisht edhe e rotacionit demokratik. Kush krijon, kush kap, kush blen, kush privatizon, kush zotëron dhe kush mban nën fre një parti, ai do të jetë në pushtet sa të jetë gjallë! Nuk ka votë e votim që i largon, nuk ka dështim e skandal, nuk ka përgjegjësi për gënjeshtrat dhe premtimet e pambajtura që i bën të turpërohen e të detyrohen një ditë të bukur të ikin në shtëpi, se “u lodhën”… Krerët tanë janë “të dënuar” të mbeten udhëheqës “historikë” të përjetshëm, se duke qëndruar gjatë e pa rivalë në pushtet, kujtojnë se historia do të jetë e detyruar t’i ndjekë nga pas….
Kështu kam kujtuar dhe besuar. Por kam frikë se kam gabuar kur dyshoja se në marrëdhënien e koklavitur të popullit urban e sidomos atij rural me të tillë krerë “karizmatikë” duhet të ndjehemi fajtorë edhe ne si zgjedhës që i ndjekim dhe i adhurojmë të këtillët, e vetëm kur ata ikin në atë botë, i mallkojmë… Por shembulli i pangopësisë së Berishës me pushtetin e pakufizuar në kohë, në fuqi, në pasurim, në tahma, në histori, në praninë e tij të pashtershme nëpër media… nuk provon se edhe ai beson që populli do dhe e adhuron; as se nuk ndjehet i lodhur me që bën gara me not me veten; as se nuk e ka tejngopur për 22 vjet e tëhu instinktin për pushtet të përjetshëm e të pakufizuar, por se ai, (dhe jo vetëm ai, prandaj kujtoni të gjithë pararendësit e tij në këto 100 vjet….) tashmë i ngjan atij që e kishte kapur hajdutin, por nuk e lëshon dot…. Sepse gjatë karrierës së tyre krerët shqiptarë kanë mundur të kryejnë aq shumë zullume, gjynahe, vjedhje, paudhësi, prapësi, abuzime, pse jo edhe krime, sa edhe po të duan nuk e lënë dot kolltukun e nuk bëhen dot qytetarë të thjeshtë që të ulen një ditë në kafene me pensionistët e lagjes….
Kjo është çështja. Ja përse Berisha do të bëjë çmos të fitojë edhe 2013-ën, qoftë edhe duke i manipuluar sërish zgjedhjet, pa e çarë kokën për BE, OSBE e SHBA… Paçka se edhe po t’i humbasë, madje edhe po t’i fitojë ndershmërisht, ai ka për të mbetur njësoj i damkosur në histori si autokrati më i pashembullt i Ballkanit, si udhëheqës i destinuar të mbahet peng nga e kaluara e tij, sigurisht derisa t’i japë ymër Allahu.
Të tillë krerë e kanë të pamundur t’i shërbejnë së ardhmes.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)