E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në asnjë rast nuk është ushtruar dhunë”

13/05/2010 Reagimi i policisë së shtetit pas bllokimit të rrugëve në Korçë e Gjirokastër

Për protestat në rrugë, blutë kërkojnë përgjegjësit para ligjit

Policia e shtetit ka reaguar lidhur me protestat e djeshme në rrugën interurbane Korçë-Pogradec, e cila është tentuar të bllokohet nga disa simpatizantë të Partisë Socialiste në këtë qark. Sipas njoftimit zyrtar të dikasterit të rendit, dhjetëra persona kanë bllokuar pjesërisht për rreth 10 minuta aksin rrugor Korçë-Pogradec dhe Tepelenë-Gjirokastër. Policia e shtetit në zbatim të akteve ligjore, në të dyja këto raste, ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme. Uniformat blu sqarojnë opinionin publik se në asnjë rast strukturat e policisë nuk kanë përdorur gaz lotsjellës, si dhe mjete speciale ndaj pjesëmarrësve në tubim dhe veprimet e kryera nga punonjësit e policisë kanë qenë në respekt të plotë të ligjit. Ndërkohë protestuesit në të dyja rastet kanë kundërshtuar me dhunë forcat e policisë. Policia e shtetit, sërish i bën thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet. Nga strukturat e policisë së shtetit vazhdon puna për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme dhe materialet procedurale për çdo rast do t’i referohen Prokurorisë. Ndërkohë që jo më larg se para tre ditësh, Prokuroria e rrethit të Vlorës urdhëroi shoqërimin në komisariat të tre personave, ndaj të cilëve u ngrit akuza e pengimit të qarkullimit të mjeteve të transportit. Të njëjtën gjë ka bërë edhe policia e Durrësit, e cila ka shoqëruar disa organizatorë të bllokimit të rrugës në aksin Durrës-Kavajë. E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›