E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen dhe 100 raste të pacientëve të helmuar

13/05/2010 Qytetarët ballshiotë protestojnë për shkakun e gjendjes kritike shëndetësore

Thellohet skandali i helmimit në Mallakastër. Dje numri i pacientëve ka shkuar në më shumë se 100 të rinj të paraqitur për mjekim duke iu shtuar numrit prej 250 të tjerë, të cilët ishin shënuar në regjistrat e urgjencës së spitalit qysh dje. Mosplotësimi me kapacitete i kërkesave të paraqitura e ka bërë situatën më të nderë duke u lejuar pacientëve të protestojnë për këtë trajtim që u bëhet në spital. Ata kanë qenë të irrituar teksa kanë deklaruar se presin më orë të tëra në radhë për të marrë kontakt me mjekun. Ndërkohë që shprehen se mjekët e Ballshit nuk i shoqërojnë me autoambulanca për në spitalin e Fierit, vetë pacientët e kanë të pamundur të udhëtojnë me mjete të rastit. “Nuk kemi ku të ankohemi. Po vdesim në hyrje të spitalit se nuk na hedh njeri sytë. Na thonë që të ikim në Fier se nuk na përballojnë dot këtu. Ne në Fier nuk ikim dot se ka kosto jo vetëm në lekë, por për shëndetin tonë. Ka shumë qytetarë që janë ulur nëpër shkallët e spitalit dhe në korridore sepse nuk i sheh njeri me sy. Ku të shkojmë ne. Drejtoresha tha se përballon deri në një mijë vetë për mjekim. Ne këtu jemi rreth 100 dhe ajo nuk po na pret. Vetëm di të na ankohet se është lodhur gjithë këto ditë se ka qëndruar dita-natë në punë. Kërkojmë shërbim dhe jemi gati të paguajmë çdo gjë që nga serumet e deri tek ilaçet e tjera”. Mbi 1000 ringer janë përdorur gjatë këtyre dy ditëve në spitalin e Ballshit, ndërsa spitali është mbushur plotë me pacientë, madje janë vënë në dispozicion edhe dhomat e mjekëve. Ndërkohë ende nuk kanë mbërritur përgjigje të analizave pranë spitalit të Ballshit, policisë dhe Prokurorisë së rrethit. Ndërkohë që situata vazhdon të jetë në gjendje problematike, deputetja socialiste e zonës Ermelinda Meksi ka shkuar në spitalin e Ballshit. E ndodhur në këtë qytet qysh prej 2 ditësh ajo ka takuar drejtoreshën e spitalit të Ballshit Luljeta Bregasi për të njohur situatën, por mes saj dhe drejtores së spitalit është zhvilluar një debat. Drejtoresha e spitalit Bregasi e ka akuzuar deputeten se shfrytëzon momentin dhe këtë pakënaqësi popullore në Ballsh për fushatë elektorale, ndërkohë që familjarët e shumë pacientëve të revoltuar i kanë kërkuar drejtores së spitalit të Ballshit, asistencë mjekësore, përgjigje mbi shëndetin e të sëmurëve dhe shkakun ende të pazbuluar të sëmundjes. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›