E Diel, 1 Nëntor 2026

“Unë isha emigrant vetë, s’kisha lidhje me të tjerët”

13/05/2010 Akuzohet 18-vjeçari për trafik klandestinësh

Pak ditë më parë Fradioavo Dushllari, 18 vjeç, banor i fshatit Vinçan të rrethit Korçë, i cili nuk kishte qenë kurrë më parë në Greqi, u kap së bashku me 5 persona të tjerë në tentativë për të kaluar kufirin e gjelbër me destinacion Greqinë. Por ndërsa gjithë të tjerët u lanë të lirë të shkonin pranë familjeve të tyre, vetëm në ngarkim të Dushllarit u kryen veprimet hetimore dhe procedurale për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimi, pra me pagesë. Tashmë ai rrezikon dënimin. Fradiavo Dushllari është shprehur se: Nuk ka qenë kurrë më parë ndonjëherë në Greqi, se nuk njeh asnjë rrugë që të çon atje, se nuk i ka kërkuar kujtdo qoftë edhe një qindarkë të vetme në këmbim të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, se vepra penale ishte ngritur nga punonjësit e policisë, ku këta të fundit nuk kishin marrë parasysh asgjë nga të gjitha ato që kishte deklaruar 18-vjeçari, dhe për më keq akoma, Fradiavo Dushllari deklaron me përgjegjësi se, ishte mësuar nga punonjësit e policisë se çfarë duhej të pohonte, nëse e pyeste dikush në Drejtorinë e Policisë.

“Kam dashur gjithnjë të shkoj në Greqi për të punuar, sepse jam jetim, jetoj vetëm me nënën dhe me 5 motra; gjithnjë e kemi pasur të pamundur për të jetuar si të tjerët, sepse gjithnjë kemi qenë të varfër. Nëna e kishte të pamundur të na siguronte një jetesë normale, por unë nuk shkoja dot në Greqi, sepse kam qenë i vogël, ende nuk i kam mbushur 18 vjeç. Së fundi besova se diçka mund të bëja për familjen time dhe për këtë gjë, sakrifikova dhe shkollën profesionale, ku vazhdoja studimet për mobilieri. U nisëm drejt Greqisë në dt 08.05 2010. Kur mbërritëm në afërsi të fshatit Tren të rrethit Devoll, rreth orës 16.30 minuta, një furgon i policisë na doli përpara, na ndaloi dhe na mori me vete, duke na thënë se thjesht do të bënin një verifikim. Njëri prej punonjësve të policisë, Julian Anelli më tha: “Ndaj jush është ngritur një akuzë, për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, sepse gjithë të tjerëve do t’u merrje nga 100 euro për person”. Mbeta i habitur ndaj akuzës që më ishte ngritur. Tre pjesëtarët e grupit u liruan që në fillim, mbajtën vetëm njërin nga Elbasani, i cili pasi u godit nga punonjësi i policisë diçka firmosi. Besoj se firma e tij ishte kurthi im. Më pas edhe atë e lanë të lirë”. Jam i bindur se gjithçka nisi përmes një akuze false”. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›