E Diel, 1 Nëntor 2026

Përcillet për në varreza Gerta Bahja, në ceremoni ministri Basha

13/05/2010 U vra një ditë më parë nga Endrit Llanaj. Zi dhe mort dhe në familjen e agresorit

Është përcjellë në varreza vajza e vrarë një ditë më parë në klasë nga i riu nga Vlora. Familjarët e saj, dy prindërit Ramazani dhe Vjollca, vëllezërit, nxënësit e të 4-D, mësuesit, të afërmit kanë qenë bashkë në këtë ditë kur është ndalur fryma, pasi për në varreza përcillej një e re e vrarë në mënyrë barbare.

Ceremonia

Në ceremoni ka marrë pjesë edhe zv/ministri Halit Shamata i shoqëruar nga Drejtori i Politikave për Arsimin e Mesëm, Fatmir Vejsiu, prefekti Shefqet Deliallisi, drejtoresha e Arsimit, Mimoza Matraxhiu, inspektorë dhe drejtues shkollash, të cilët kanë shoqëruar dhimbjen e familjes që humbi fëmijën. Për maturanten që vetëm pas disa ditësh do të jepte provimet e Maturës Shtetërore, për vajzën që ishte e lumtur pas një ekskursioni me klasën, gjithçka përfundoi me krimin e tmerrshëm. Në varrezat e qytetit do të mbërrinte edhe ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, i ndjekur nga deputeti Luciano Boçi. Ai ka takuar familjarët gjatë ceremonisë së varrimit duke përcjellë ngushëllimet e tij për humbjen e madhe që pësoi kjo familje. Gjithashtu kryetari i bashkisë Sejdini ka qenë pranë familjes Bahja në varrimin e vajzës së re që do të prehet në varrezat e qytetit. Qytetarët elbasanas kanë ndjerë dhimbjen e kësaj familjeje. Ata kanë kërkuar më shumë siguri në shkolla dhe më shumë sensibilizim për të denoncuar në kohë këta të rinj që mund të bëhen precedentë për ngjarje shumë të rënda. Të rinjtë që ishin dëshmitarë të ngjarjes do t’i nënshtrohen një trajtimi nëpërmjet psikologëve të shkollave. Për këtë krim të paprecedentë askush nuk ka një koment. Të gjithë kanë mbetur të tronditur. Krimi as nuk mendohej dhe vetë familja mësohet se nuk e dinte se i riu vazhdonte ta ngacmonte vajzën e tyre, pasi kjo e fundit nuk kishte dashur t’i shqetësonte.

Varrimi i autorit

Morti ka përfshirë familjen Llanaj që prej ditës së djeshme që kur lajmi i hidhur ka mbërritur në familjen e tyre fillimisht nga media dhe më pas nga policia. Akoma më i hidhur ka qenë fakti që i riu jo vetëm kishte marrë jetën e tij, por edhe të një njeriu tjetër çka e ka rënduar akoma më shumë hidhërimin në familje. Sipas të afërmve, i riu njihej si një njeri i qetë dhe jo problematik, dhe askujt nuk mund t’i shkonte në mendje se mund të kryente një veprim të tillë. Njihej si djalë punëtor që punonte për të ndihmuar familjen për shkak të problemeve ekonomike. Një prej të afërmve rrëfen se i riu është larguar një natë përpara ngjarjes duke i njoftuar familjarët se po shkonte në një prej zonave turistike të Vlorës me qëllim për t’u punësuar duke qenë se dhe sezoni veror i gjallëron këto zona. Duke qenë se familja mendoi se djali ishte i sigurt dhe kishte shkuar për punësim nuk ishte shqetësuar, por pas marrjes së lajmit, familjarët janë munduar të lidhen me të riun, por nuk dispononin një numër telefonik. Për sa i përket historisë së njohjes me vajzën, të afërmit shprehen se ka pasur një kërkesë të dorës së vajzës, e cila është refuzuar nga ana e familjarëve të saj. Ndërkohë që pas një kohe shkëputjeje, të rinjtë mund të kenë rifilluar kontaktet telefonike. Njohja mes të rinjve sipas të afërmve ka ndodhur një vit më parë kur vajza ka qenë në plazh dhe që prej asaj kohe dy të rinjtë kanë ruajtur kontaktet me njëri-tjetrin. Burime nga policia bëjnë të ditur se po hetohet edhe mbi armën, e cila dyshohet se mund të jetë siguruar në Elbasan.

Tregim nga një nxënëse e klasës së Gertës

Ai e dashuronte! Ajo jo!

Në adresën e Facebook të 4-D kanë ardhur me dhjetëra komente e mesazhe. Vetë nxënësit kanë shkruar edhe një tregim mjaft prekës që sjell emocionet e atyre momenteve tragjike sidomos për shokët e saj që ishin në klasë në kohën kur u vra shoqja e tyre. Disa rreshta të këtij tregimi japin edhe çastet më të vështira të krimit dhe përjetimin e të rinjve që panë me sy krimin e tmerrshëm....

E kishte njohur në një të mallkuar ekskursion në Vlorë, e tani si shqitej më nga jeta! Kishte një mënyrë të çuditshme të të dashuruarit! Ah... Sikur meshkujt të dinin të dashuronin, do të kishte më pak femra të lënduara, më shumë lumturi në këtë botë! E çfarë mund t‘i thoshe këtij djali- fantazmë, që qëndronte përballë një klase të tërë me një armë zjarri, por që ishte si një thikë e ftohtë, që çdokujt prej nesh i hyri në zemër e na e ndali atë. Nuk mund të mendoja, nuk mund të merrja frymë, kisha ngrirë... Si një kukull e hedhur diku në një cep të një shtëpie të braktisur... U tronditëm nga rënia e karikatorit të pistoletës se tij të mbushur... Ai u përkul, e mori dhe e vuri përsëri. Pastaj iu afrua Gertës, mikes sime më të ngushtë...

O zot! Hiqi duart prej saj! Jo! Jo mos i gjuaj! Oh, sa dhemb kjo shuplakë e dhënë faqeve të saj... Ajo klith e trembur... Shqipton e sigurt: "Ik ore idiot!"

Ai, oh mallkuar qoftë! Ai ashtu si një bust i pa tundur diktatori shpirtzi i qëndron mbi krye dhe e godet me shqelm! Ajo rënkon! Oh nuk duroj më! Çohu i them vetes, bjeri këtij maskarai me sa fuqi ke, mos e lër Gertën aty, ajo kush e di sa po vuan...! A e ke mikeshë apo jo? Çohu pra, lëviz! Për të parën herë në jetën time trupi nuk iu bind shpirtit. Ai bëri ta qëllonte, i zgjati pistoletën dhe... E shkrepi... Asnjë klithmë vdekje prej saj, asnjë tingull shurdhues, asgjë... I zhgënjyer . Vrasësi i dashuruar provon përsëri.. Sërish heshtje... Oh për atë qiell! Zemra ime kish ngrirë! Kisha një furi emocionesh, një grusht lotësh të kripur të zjarrtë të akullt, në sy.. E sytë nuk qanin...Mjekra më dridhej... Dhëmbët më kërcisnin si të isha në Antarktidë. E drejtë... Isha në Antarktidën e shpirtit të tij. Pyeta veten a ka:

“Dashuri ajo akullnajë e braktisur?” Oh të lutem! Ç`dashuri thua?! Kjo është dashuria? Kësaj i thonë njerëzit dashuri? Një shuplakë në fytyrë, një shqelm në stomak, një pistoletë mbi kokë?! A ka të drejtë ky njeri të shqiptojë emrin Dashuri? Jo, Jo, Jo! Ky nuk e njeh dashurinë! Ky njeri, që mallkuar qoftë, duhet të heshti, të zhduket që këtu... ...E kur rikthehem në këtë botë, klasa është e boshatisur, është vetëm Ai, një hije me këmishë më kuadrata! E ajo... Gerta... Nuk po qesh më... Nuk është më e lumtur... Sytë e saj janë ngulitur në të mitë. Sikur t`i kishte duar, do të më kishte çjerrur fort duke u mbajtur pas meje. E ndjeja që sytë e saj më kërkonin ndihmë... Oh sa shumë shprehnin ata sy! Sikur më thoshin: “Ndihmë! Hiqma këtë njeri që këtu! Më shpëto, ti je miku im...”. Por mallkuar qofsha! Nuk bëja dot asgjë.... Ai kishte një armë! Isha vetëm unë dhe ata të dy... Papritur mendova atë shprehjen: "E treta e vërteta". U luta me gjithë shpirt, që këtë herë të mos funksiononte! Mbylla sytë dhe pëshpërita: “ Të lutem mos... Jo.. Ajo nuk duhet të vdesë...”. Prej syve më rrodhën dy lot imcak, dy lot dhembjeje të madhe, që u përplasën faqeve të mia, por kurrë, kurrë nuk oshëtin më shumë se ajo krismë e thatë, që ra mbi zemrën time dhe e shpërndau atë në miliarda galaksi...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›