E Diel, 1 Nëntor 2026

Në botën e miliarderëve

Bill Gates nuk është më njeriu më i pasur i planetit.  Çfarë trishtimi për Bill Gates që edhe pse ka 2 miliard dollarë më shumë se vitin e kaluar nuk është njeriu më i pasur i planetit... Sipas revistës Forbes që bënë klasifikimin e përvitshëm të njerëzve më të pasur në botë, Bill Gates kalon në vendin e tretë duke ia lënë vendin e parë mikut dhe herë mbas here dhe partnerit të tij, Warren Buffet. Bill Gates kështu kalon në vendin e tretë pas trembëdhjetë vjetësh në krye të listës së personave më të pasur të botës. Në vendin e dytë ndodhet një meksikan me origjinë libaneze. Carlos Slim Helu që është një nga më të pasurit e Amerikës latine. Fusha e veprimtarisë së tij është telekomunikacioni. Duke folur me gjuhën e shifrave, njeriu më i pasur i botës pra, Warren Buffet ka në llogarinë e vetë 62 miliard dollar, Carlos Slim Helu 60 miliard ndërsa Bill Gates vetëm 58 miliard. Në dhjetëshen e 10 më të pasurve të botës këtë vit bëjnë pjesë 2 amerikanë, një meksikan, një gjerman , një britanik, një zviceran, një rus dhe 3 indian. E reja e këtyre viteve të fundit është se gjithnjë e më shumë kemi të pasur apo super të pasur nga vendet që quhen në zhvillim si Kina, India dhe Rusia.

Të rinjë dhe miliarderë

Në listën e personave miliarderë dhe kështu dhe më të pasurit e botës bëjnë pjesë shumë të rinj në moshë. Kështu kemi fëmijët e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri, Fahd Hariri 27 vjeç, Aymin Hariri, 29 vjeç me nga 2.3 miliard dhe motra e tyre Hind Hariri me 1.1 miliard dollar. Këta janë nga ata të rinj miliarderë që pasurinë e kanë trashëguar.

Ndërkohë, nga më të pasurit e botës prej disa vitesh janë themeluesit e motorit të kërkimeve në internet googel, Sergey Brin dhe Larry Page që kanë respektivisht 18.7 dhe 18.6 miliard dollar. Por tashmë ata kanë hyrë në histori dhe pak flitet për ta, sepse këtë vit ngado flitet për një nga miliarderët më të rinjë që gjithçka e ka filluar nga zero në shkurt 2004 pra para 4 vjetësh. Ai quhet Mark Zuckerberg dhe është vetëm 23 vjeç. Nga dhoma e tij në Harvard ku ai studionte, krijoi sitin e njohur Facebook një sit social ku vizitorët e shumtë takojnë miq dhe të afërm apo dhe shokët e shkollës. Pasuria e tij sot vlerësohet në 1.5 miliard ndonëse kompania e tij mendohet se vlen 15 miliard. Ai është miliarderi më i ri dhe ndoshta miliarderi më i ri i të gjitha kohërave i ngritur nga hiçi.

Vetëm burrat janë të pasur ?

Mbase meshkujt janë më të pasur se femrat por jo të vetëm. Përveç francezes Liliane Bettencourt, pronares së Loreal që ka në llogarinë e saj 22.9 miliard apo britanikes Cristina Green që ka vetëm 8.4 miliard në listën e më të pasurave të botës futen edhe femra relativisht të reja në moshë si turkja Begunham Dogan Faralyali, 31 vjeçe që ka një pasuri prej një miliard dollarë, libanezja Hind Hariri, 24 vjeçe me 1.1 miliard dollarë, apo kinezja Yang Huiyan, 26 vjeçe me 7.4 miliard dollarë e kështu mund të vazhdonim gjatë me një listë të gjatë me femra miliardere. Nga bota e sportit, artit dhe spektaklit tre vendet e para këtë vit ndahen mes Oprah Winfrey që ka qenë më e paguara me 260 milion dollarë, Tiger Wood me 100 milion dollarë dhe Madona me 72 milion.

Për ta mbyllur do shënoja faktin që klubi i miliarderëve ka 1125 anëtarë. Sidoqoftë ka vende dhe për të tjerë...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›