E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Presim vlerësimin e NATO për A3”

• Presidenti i SHBA-ve, Xhorxh Bush, tha dje nga Shtëpia e Bardhë se, shpreson që vendet e Kartës Adriatik 3 të plotësojnë detyrimet deri në Samitin e Bukureshtit.Duke folur në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se, “Në radhë të dytë, shpresat janë që shtetet që kanë aplikuar për t’u bashkuar me NATO-n, të vazhdojnë të plotësojnë detyrimet që dalin nga plani për anëtarësim. Unë pres që të kem nga ju një vlerësim për reformat dhe progresin që është bërë nga këto tre vende, përpara se të hedhim në votë zgjerimin”. “Mezi po pres të vij në Bukuresht për të mbështetur përpjekjet tuaja për të siguruar se NATO është një organizatë e rëndësishme që ka si synim të sjellë siguri dhe paqe ne botë”, iu drejtua Bush, sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Nga ana e tij zyrtari i aleancës së atlantikut u shpreh se, deri në këto momente NATO nuk ka prerë asnjë ftesë për Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë. Megjithatë sipas Shefer, zgjerimi i aleancës është në axhendën e samitit në prill të këtij viti. “Presidenti e kishte fjalën për zgjerimin e NATO-s. Shtetet që interesohen për këtë gjë, duhet të vazhdojnë reformat. Nuk është dërguar ende asnjë ftesë, por zgjerimi i NATO-s do të jetë në axhendë në Samitin e Bukureshtit”, theksoi Shefer në fjalën e tij para mediave, menjëherë pas takimit kokë më kokë me shefin e Shtëpisë së Bardhë. Basha në SofjeAnëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të sjellë më tepër siguri në rajonin e Evropës Juglindore. Ky ka qenë qëndrimi i mbajtur nga ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në takimin mes homologëve të tij të shteteve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Duke evidentuar progresin e vazhdueshëm që Shqipëria ka bërë për të merituar ftesën në Samitin e Bukureshtit, ministri Basha theksoi se, “anëtarësimi i saj në strukturat euroatlantike, do t’i shërbejë sigurisë e stabilitetit në Evropën Juglindore, si dhe do të konsolidojë edhe më tej vizionin evropian dhe euroatlantik të rajonit tonë”.Ministri Basha e konsideroi shumë të rëndësishëm transformimin e Paktit të Stabilitetit në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RÇ), duke nënvizuar përkushtimin e Shqipërisë për të thelluar më tej bashkëpunimin në programet dhe projektet rajonale në fushën e zhvillimit të infrastrukturës së transportit, të energjisë, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, lëvizjes së lirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›