E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja miraton e vetme ligjin për spiunët, PS: “Do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese”



Eljona Ballhysa
Deputetët e Partisë Demokratike kanë miratuar gjatë seancës së djeshme parlamentare të vetëm ligjin për hapjen e dosjeve të zyrtarëve të lartë. Pas një debati të gjatë PD-ja nuk e pranoi propozimin e PS-së për ta tërhequr projektligjin dhe më pas për ta diskutuar atë me përfaqësues të opozitës dhe me ekspertizën e Këshillit të Europës dhe të ODHIR-it. Gjatë debatit në Kuvend opozita e cilësoi përpjekjen e maxhorancës për të miratuar pa konsensus projektligjin, si një përpjekje për të sulmuar prokurorët që po hetojnë çështje të rëndësishme, si tragjedinë e Gërdecit, abuzimet në rrugën “Durrës-Kukës” dhe me çështjen “Fazlliç”. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, e cilësoi ligjin antikushtetues, që bie ndesh me të paktën 20 nene të Kushtetutës, që shkel të drejtat e njeriut dhe rekomandimet e ndërkombëtarëve. Ndërsa kryeministri Berisha dhe deputetët të PD-së bënë thirrje për miratimin e projektit duke e cilësuar atë në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke u bazuar në faktin se është një model i aplikuar në Republikën Çeke.
Opozita
Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Leskaj, e akuzoi PD-në se po mbron korrupsionin në emër të luftës kundër komunizmit. “Ky projekt është bërë jo për interesa kombëtare, jo për interesa të njerëzve, jo për interesa transparence apo pastrimi, por për motive e interesa private. Çështjen e dosjeve ju e mbajtët për më shumë se dy vjet në sirtar, për ta nxjerrë sot kur ju duhet të spostoni vëmendjen nga skandalet korruptive që janë të papara e të padëgjuara, e nxirrni para zgjedhjeve, sidomos kur ndieni nevojën për të trembur ata që brenda jush marrin kurajën të pipëtijnë, e nxorët nga sirtari tani që keni probleme me Drejtësinë, t’i bëni presion që të mos veprojë. Doni të godisni Prokurorinë për të mbyllur superskandalet korruptive që lidhen me dosjen ‘Rrëshen-Kalimash’, me dosjen e Gërdecit, me dosjen e Fazlliçit, me atë të Remzi Hoxhës”, - është shprehur Leskaj.
Ajo vuri në dukje se projekti bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligjet organike të institucioneve të Drejtësisë. “Projektligji njëherësh bie ndesh me standardet dhe legjislacionin organik në fuqi, për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor dhe atë për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, - është shprehur Leskaj. Sipas saj, miratimi i këtij projekti krijon një “gjykatë të jashtëzakonshme, njësoj si në periudhën e diktaturës”. “Nëse ky projektligj miratohet, institucionet e Drejtësisë futen në krizë duke filluar nga Gjykata Kushtetuese”, - ka vënë në dukje Leskaj. Në përfundim të fjalës së saj ajo kërkoi tërheqjen e projektligjit dhe hartimin e tij me ekspertizën e Këshillit të Europës. Leskaj bëri të ditur se PS-ja nuk merr pjesë në miratimin e këtij projektligji dhe se do ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Më pas deputetët e PS-së kanë braktisur sallën e Kuvendit. Edhe deputetët e tjerë të opozitës e cilësuan ligjin antikushtetues dhe hakmarrës. Madje kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, e cilësoi Berishën si një ndër personat që ka kundërshtuar hapjen e dosjeve në vitet e para të demokracisë. Sipas Gjinushit, çështja e dosjeve ka qenë shkak i konfliktit të vazhdueshëm midis Berishës dhe Azem Hajdarit dhe Eduart Selamit në PD. Gjinushi bëri të ditur se tashmë kur kërkohet miratimi i këtij ligji shumica e dosjeve janë zhdukur dhe kanë mbetur vetëm disa, të cilat nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët me ish-presidentin Berisha që të ishin zhdukur dhe dosjet e tyre. Ndërsa deputeti Taulant Balla sugjeroi që në nenin tre të ligjit për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të shtohet dhe një dispozitë që parashikon “verifikimin e miqve të Bamir Topit”. Balla nuk dha shpjegime të mëtejshme në lidhje me këtë propozim. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, u shpreh se ligji i paraqitur në Kuvend është një teatër, pasi të dyja palët e politikës e kanë përjashtuar veten e tyre nga ky ligj.
Maxhoranca
Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij, akuzoi deputetët e PS-së se sipas tij kanë dëmshpërblyer dhe kanë nxjerrë të pafajshëm Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën, që janë përgjegjës për regjimin më të egër komunist në Europë. Berisha akuzoi më tej Spiro Kolekën e Fehmi Abdiun. Duke iu drejtuar PS-së, Berisha tha se ata kanë kthyer në SHIK tre drejtorë të ish-Sigurimit të Shtetit. Ndërsa akuzoi Zamir Shtyllën si mashtrues me akuzat për rrugën “Durrës-Kukës”. Berisha i bëri thirrje opozitës që të mos e mbrojë një njeri të tillë, sepse është e turpshme për të. Kryeministri solli në vëmendje të opozitës se në vitin 1991 i ka bërë ftesë kryetarit të saj, Edi Rama, që të bëhet deputet i PD-së. Berisha hodhi poshtë akuzat e opozitës se ligji po bëhet në prag të zgjedhjeve dhe për të mbuluar hetimet. Ai kërkoi nga PS-ja që të sillte amendamentet e saj dhe i bëri ftesë për të marrë pjesë në votim.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›