E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frika nga shembja e pallatit nxjerr në protestë romët

Një pallat në qytetin e Korçës që rrezikon shembjen për shkak të amortizimit të ndërtesës së vjetër dhe lagështirës, ka nxjerrë banorët në protesta pas tragjedisë së Gjirokastrës. Banorët, pjesa më e madhe e të cilëve romë, prej 15 vjetësh të strehuar tek ish-konvikti i ndërtimit, thonë se jeta e tyre rrezikohet nga shkatërrimi i godinës, ndërkohë që papastërtitë dhe lagështira kanë sjellë jo pak problem për përhapjen e sëmundjeve. Një pjesë e pallatit që është shembur disa vite më parë, por edhe ujërat e tubacioneve të shkarkimit që rrjedhin në çdo kohë në një nga anët e pallatit, sipas banorëve kanë çuar në avancimin e dëmtimeve, duke e bërë këtë ndërtesë të pabanueshme. Ky komunitet, prej të paktën 100 banorësh, që jetojnë në këtë pallat ka apeluar disa herë pranë autoriteteve lokale për zhvendosjen e tyre në një tjetër godinë, por nga ana e ekspertëve që kanë kryer edhe vlerësimet përkatëse, faji për shkatërrimin e pjesës anësore të pallatit pesëkatësh ku janë të vendosura banjat, u është lënë banorëve, ndërkohë që pjesa tjetër e godinës është vlerësuar si e banueshme. Megjithatë, banorët kanë dalë në protesta, pasi kërkojnë me insistim që të kryhen ndërhyrje në pallat ose në të kundërt nga ana e autoriteteve të caktohet një tjetër vend për strehimin e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›