Fushë-Arës, shtatë pallate rrezikojnë të vrasin njerëz
Pas tragjedisë së ndodhur pak ditë më parë në jug të Shqipërisë në Gjirokastër, ku nga shembja e një pallati humbën jetën tre persona, rreziku i shembjeve të pallateve nga amortizimi apo ndërhyrjet pa kriter, ka rritur shqetësimin edhe në veri të Shqipërisë. Një nga zonat më problematike është qyteza e thellë malore e Fushë-Arësit. Sapo futesh në qytetin e vogël e shumë të varfër, të bie në sy vargu i disa pallateve në rrëzë të një kodre, që duket se është lodhur së mbajturi mbi shpinë betonin e derdhur prej disa dekadash. Që nga larg dallohen në disa pallate plasaritjet e mureve, spostimet apo dhe shembjet e disa çative, ku ende banojnë njerëz. Në hyrje të qytezës të bën përshtypje një pallat trekatësh, me fasadë të çarë. Njëra nga banoret, Marte Makaj, thotë: "Kemi shumë vite që jetojmë me pallate të çara. Askush nuk do t‘ia dijë për ne. Kemi frikë, sidomos pas asaj që ndodhi në Gjirokastër. Është çarë i gjithë muri dhe ballkoni është spostuar. Sikur një tërmet i lehtë të bjerë, këtu në këtë pallat vdesin me dhjetëra njerëz". Më në brendësi të qytezës të krijohet përshtypja se këtu sapo ka rënë një tërmet. Në një pallat dykatësh me çati të shembur, që duket i braktisur, jetojnë dy familje. Age Lala është njëra prej banoreve. "Në një dhomë nuk mund të hyjmë, pasi ka rënë çatia brenda, ndërsa në dhomat e tjera çdo natë bien copat e tavanit dhe ka pasur raste kur fëmijët janë dëmtuar lehtë", thotë Age Lala, e cila jeton aty me burrin dhe dy fëmijët. Kryetari i Bashkisë së Fushë-Arësit, Ndue Palucaj, thotë se "në qytet prej disa vitesh janë problem disa pallate, të cilat kanë pësuar plasaritje. Por më shqetësuese situata është për dy familje, që jetojnë me çati të shembur dhe rrezikon shembjen i gjithë pallati. Ne kemi bërë projekte për të ndërhyrë, na janë miratuar nga ministria dhe presim nga dita në ditë të ndërhyhet". Sipas tij, Bashkia e Fushë-Arësit e sheh me tepër seriozitet dhe do bëjë maksimumin për parandalimin dhe ndërhyrjen. Në qytezën e vogël veriore janë të paktën shtatë pallate të banuara nga qindra banorë, të cilat shfaqin probleme serioze për shkak të çarjeve, spostimeve dhe shembjeve në themele. Kjo situatë e radhit Fushë-Arësin në zonat më të rrezikuara në veri të Shqipërisë.