Palermo blen talentin Brian Filipi
Palermo blen nga Ravena Brian Filipin. Një tjetër talent shqiptar bashkohet me skuadrën siciliane, pas portierit Saimir Ujkani dhe sulmuesit Edgar Çani (të huazuar aktualisht te Askoli i Serisë B). “Vlera e operacionit të Filipit shkoi te 1.5 milionë euro për 100% të vlerës së kartonit të tij, ndërkohë që Ravena shpreson të mbajë 50% të vlerës, sepse duke qenë se Filipi do të jetë pjesë e Serisë A, atëherë edhe vlera e rishitjes së tij te një klub tjetër do të jetë më e madhe”, - tha për Albania-sport.com, menaxheri i tij, Sokol Haxhia. Mesfushori i ri shqiptar luan në Serinë C1/A me Ravenën, duke qenë një ndër protagonistët në skuadrën e njohur italiane. Brian Filipi, i konsideruar edhe “Skela i ri”, për shkak të vizionit të tij për lojën dhe goditjet standarde, është lojtar i Kombëtares shqiptare U-21 dhe ka luajtur në dy ndeshjet e fundit eliminatore të Kampionatit Evropian 2009, kundër Kroacisë dhe Azerbajxhanit. “Për momentin, Palermo ka interes ta huazojë pranë Ravenës, që dhe Filipi të luajë në vazhdimësi e të rritet si lojtar, për të qenë i gatshëm me fillimin e sezonit të ri që të përballojë një kampionat të fortë, siç është Seria A në Itali, - theksoi Haxhia. Lezhjani 19-vjeçar ka qenë një ndër protagonistët në skuadrën e njohur italiane dhe drejtuesit e klubit, duke parë edhe kërkesat në adresë të tij, në prag të hapjes së merkatos dimërore, nënshkruan gjatë muajit dhjetor kontratën si lojtar profesionist. Brian Filipi është golashënuesi më i mirë i Ravenës në dy versionet e Kupës së Italisë (5 gola), por që ka lënë emrin e tij edhe në ndeshjet e kampionatit të Serisë C1/A.