E Diel, 1 Nëntor 2026

Në dy raste Policia e Kosovës konfiskon mbi 400 bimë narkotike

Prishtinë,, 18 gusht  - Në dy operacione të ndara në Ponesh të Gjilanit dhe në fshatin Koliq të Prishtinës, Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë e Policisë së Kosovës ka  konfiskuar mbi 400 bimë narkotike të llojit kanabis sativa (marihuanë) Përmes rrugës operative, zyrtarët policorë nga Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë kishin pranuar një informatë rreth kultivimit të bimëve narkotike në një fshat të Gjilanit.
Sektori për luftimin e narkotikëve ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe ka zbuluar se në një arë në fshatin Ponesh janë të mbjella rreth 230 bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa - Marihuanë.
Pas marrjes së të gjitha procedurave të nevojshme në vendin e ngjarjes të gjitha bimët narkotike janë shkulur nga aty dhe pas përfundimit të proceduarave do të dërgohen për asgjësim.
Gjatësia e bimëve narkotike që dyshohet se janë mbjellë në këtë arë të fshatit Ponesh arrinte nga 5 deri 20 cm.
Operacioni i dytë policor është zhvilluar në një pjesë me mal të fshatit Koliq të Prishtinës. Aty njësitet policore pas një procesi hetimor zbuluan 325 bimë narkotike të dyshuara të jenë kanabis sativa.
Prej këtyre bimëve 195 ishin të mbjella në tokë kurse 130 të tjera janë gjetur të mbjella në tasa të plastikës dhe gjatësia e tyre arrinte 30 cm deri 60 cm. 
Pas konsultimit me prokurorin e disa nga bimët e kanabisit janë marrë si mostra për ekzaminim laboratorik kurse të tjerat janë shkatërruar në vend ngjarje.
Drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotikë është duke vazhduar proceduarat tjera hetimore për identifikimin e personave të dyshuar për kultivim të substancave narkotike.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›