E Diel, 1 Nëntor 2026

Në dyshim shiriti për Urën e Limuthit

15/06/2005  Lëvizja e udhëtarëve me tren

DURRES - Është vënë në dyshim, nëse do të përurohet së shpejti Ura e Limuthit, apo do të shtyhet për një kohë tjetër. Disa ditë më parë është deklaruar se rikonstruksioni ka përfunduar dhe shiriti i përurimit të rikonstruksionit të urës së shembur do të bëhej më 16 qershor. Por, të këtij mendimi nuk kanë qenë inspektorët e drejtorisë së infrastrukturës pranë Drejtorisë së Hekurudhave në Durrës. Sipas këtyre të fundit, do të jetë Drejtoria e Infrastrukturës, ajo që do të shprehet nëse ka përfunduar së zbatuari projekti, duke i rënë ndesh deklarimeve të drejtorisë, e cila është shprehur për datën e përurimit. Sipas inxhinierit Leonard Janit, ura është në përfundim e sipër, por do të jetë vështirë që me datë 16 qershor të nisë udhëtimi i trenave nga Tiranë drejt stacioneve jugore dhe veriore si dhe anasjelltas. Jani ka bërë të ditur se fillimisht do të realizohen disa inspektime nga specialistët përkatës dhe më pas të shprehen nëse ura është e gatshme apo jo. Inxhinieri ka deklaruar më tej se “vetëm kur të sigurohen plotësisht që projekti është zbatuar në parametrat e kërkuar do të bëhet e ditur edhe data e rinisjes së transportit në këtë linjë”. Ura e Limuthit është shembur më 22 dhjetor, duke paralizuar trafikun hekurudhor të mallrave dhe udhëtarëve. Rrëzimi i njërës këmbë të urës është pasuar pak javë më pas me shembjen e plotë të saj. Për rikonstruksionin e plotë të urës së ndërtuar për herë të parë në vitin 1948, ministria ka dhënë me prokurim të drejtpërdrejtë 147 milionë lekë. Akordimi me vonesë i fondeve ka shkaktuar disa ndërprerje, duke bërë që kjo linjë, e cila lidh vendin me kryeqytetin, të paralizohet plotësisht.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›