E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtohen kërkesat për punësim, shtohen dhe shifrat e papunësisë

15/06/2005  Më shumë të papunë në fshat e zonat rurale

DURRES - Qyteti i Durrësit është ndër zonat më problematike për sa i përket shkallës së lartë të papunësisë. Rreth 12 për qind e forcës aktive në këtë qytet është e papunë.

Shifra e mësipërme është bërë e ditur nga drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Punës, Lumturie Njala, e cila ka deklaruar se gjatë këtij viti janë depozituar 5600 kërkesa për punësim, ndërkohë që në pesë muajt e parë të këtij viti janë sistemuar vetëm 15 për qind e tyre.

Sipas Njalës, papunësia në Durrës është në shifrat e 11.4 për qind, por Drejtoria Rajonale e Punësimit i referohet vetëm statistikave zyrtare të personave që janë afruar për të plotësuar modularët e punëkërkuesit.

Mungesa e politikave për punësim nga njëra anë dhe krijimi i monopoleve, kanë shtuar vit pas viti numrin e të papunëve në qytetin bregdetar, ku pjesa më e madhe e punëkërkuesve janë të moshës deri në 30 vjeç.

Në pozitat e ndërmjetësimit mes palës punëmarrëse dhe punëdhënëse drejtoresha Njala është shprehur se në muajin e kaluar ka mundur të sistemojë 216 persona, të cilët i janë përshtatur ofertave dhe kritereve të publikuara nga punëdhënësit, ndërkohë që është arsyetuar se pjesa më e madhe e punëkërkuesve janë të pakualifikuar, duke e bërë të pamundur sistemimin e tyre. Nga ana tjetër edhe të punësuarit në disa kompani dhe subjekte private kanë të nënshkruar një kontratë, që varion nga disa muaj deri në një vit, gjë që nuk zgjidh përfundimisht çështjen e punësimit. Në të njëtën kohë, Njala ka pohuar se aktualisht në Durrës ka 172 vende të lira pune, kryesisht në sektorë si hoteleri-turizëm, sektorin e mekanikës, konfeksione dhe shërbime të ndryshme. Për këto vende të lira është thënë se subjektet punëdhënëse kanë kritere specifike, që nuk mund t’i përmbushin personat që kanë depozituar kërkesë.

Megjithatë, sipas drejtoreshës Njala, krahasuar me vitin e kaluar në saj të punës ndërmjetësuese, që ka bërë ky institucion, statistikat e punësimit janë rritur ndjeshëm. Në pesë muajt e parë janë punësuar 903 persona dhe pjesa më e madhe e tyre janë me arsim të mesëm, si dhe kualifikime në kurset përkatëse. Gjithsesi, ajo që vazhdon të mbetet e padeklaruar është numri i saktë i shtetasve që banojnë në qytetin bregdetar dhe që janë të papunë.

Migrimi qytetarë nga zona të ndryshme të vendit nuk është shoqëruar me statistika dhe kjo ka bërë që Drejtoria e Punësimit në Durrës të mos ketë të dhënat e plota për numrin e të papunëve. Në qytetin e Durrësit janë qindra shtetas, që punojnë në punë të zezë, ndërkohë që shumë të tjerë nuk kanë mundur të sigurojnë as punësim sezonal. E theksuar, sipas burimeve zyrtare, është niveli i papunësisë në zonat rurale të qytetit, ku edhe janë vendosur të shpërngulurit nga Veriu dhe Jugu.

Në Bashkinë e Durrësit ende nuk ka një statistikë të plotë dhe përfundimtare për numrin e familjeve që banojnë në këtë qytet dhe të gjitha shifrat e afruara nga institucionet, kryesisht shtetërore vlerësohen si të përafërta.

11.4 për qind

të papunë

5600 kërkesa

për punësim

903 persona

punësuar në 2005

172 vende

të lira pune

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›