Në ekonomi: Etatizmi ka vdekur, liberalizmi nuk ka lindur ende
1-Të shtunën e kaluar i gjithë opinioni publik u informua gjerësisht mbi debatin e parë të dy kandidatëve për President në SHBA. Debati u përqendrua kryesisht në çështjet e politikës së jashtme amerikane. Komentet në vendin tonë pas këtij debati theksuan se marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nuk varen nga fakti se kush ka Presidencën e radhës. Sidoqoftë, politologët, sociologët dhe ekonomistët në mbarë botën studiojnë fenomenet që ndodhin në SHBA në bazë të parimit se është mënyra e jetesës se këtij vendi që dikton në masë të gjerë edhe fenomenet që do të ndodhin në pjesët e tjera të globit. Në këtë këndvështrim, cili është komenti juaj mbi debatin e parë presidencial Mekein-Obama?
Pa dyshim jam dakord në përgjithësi me mendimin e shfaqur, sikur thoni ju, që kundrejt Shqipërisë nuk besoj se politika amerikane do të ketë ndonjë ndryshim në varësi të atij që do të zgjidhet President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e mbështes edhe në atë analizë që kam mundur të zhbiriloj, sipas mundësive të mia, sigurisht shumë të kufizuara, në të folurin politik dhe strategjik a gjeopolitik të dy kandidatëve, pra si Mekeinit ashtu edhe të Obamës. Më duket se pozicionimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në drejtim të Kosovës dhe të Shqipërisë, sikurse edhe ndaj gjeopolitikës ballkanike, ka të bëjë me një politikë afatgjatë dhe thuajse konsensuale të politikës amerikane si të tillë. Karta shqiptare në Ballkan është shumë e rëndësishme në raportet dhe marrëdhëniet e fuqive të mëdha botërore sot. Kurse për sa u përket aspekteve ekonomike apo kulturore nuk besoj se problematika shqiptare ka fuqi, me peshën e saj të vogël, të sensibilizojë vendimmarrësit në majë të piramidës shtetërore amerikane. Sidoqoftë, këtu nuk duhet të jemi aspak absolutë, kjo nuk do të thotë se nuk ka ndjeshmëri më të madhe ose më të vogël të grupimeve politike apo personaliteteve në garë atje ndaj forcave politike në Shqipëri. Nuk është se di ndonjë gjë të madhe në këtë drejtim për t’ia thënë lexuesit, por nuk e përjashtoj. Di që drejtuesit e së majtës shqiptare të lidhur, afër ose brenda Partisë Socialiste Shqiptare morën pjesë në Konventën e demokratëve dhe me siguri që kanë shprehur afërsinë e tyre me Obamën. A gjen kjo përgjigje nga pala tjetër? – këtë nuk mund ta di dhe nuk e di.
Nuk e ndoqa dot direkt debatin e parë midis dy kandidatëve, ishte shumë herët në mëngjes me orën tonë, zakonisht në atë orë jam në gjumë, por e lexova më pas tekstin e debatit, sikurse kam ndjekur nga shumë afër nëpërmjet shtypit amerikan dhe evropian qëndrimet e rivalëve për postin e fuqishëm të Presidentit të fuqisë më të madhe të botës. Së pari, më bëri përshtypje që debati u organizua nga dhe në mjediset e Universitetit të Misisipit. Kjo më intereson si universitar shqiptar sepse tregon rolin e vërtetë që kanë dhe duhet të kenë universitetet dhe mjediset akademike në demokracitë e sotme. Politika kërkon një legjitimim intelektual nga mjedisi akademik dhe e trajton atë si sferën ku politika ballafaqon prognozat logjike dhe politike të së ardhmes. Sigurisht, nuk arrij të them se bota universitare është dhe duhet të bëhet arbitri intelektual dhe kritik i alternativave politike. Kjo do të ishte një zëvendësim i politikës nga shkenca, çka e mbaron demokracinë, e cila është zgjedhje e bërë nga shumica, qoftë edhe gabim. Sidoqoftë, dëshmohet se prestigji akademik dhe universitar është në shkallë të lartë. Sepse atje universitarët dhe akademikët kanë legjitimitetin e paanshmërisë, gëzojnë besimin e publikut dhe janë në një autonomi mendore dhe financiare të fuqishme. Ky është komenti i parë.
Komenti i dytë është se në demokracinë më të zhvilluar të botës nuk ka një zbehje të konfliktit politik e të ballafaqimit midis së djathtës dhe së majtës. Ky është mësimi i dytë që unë nxjerr dhe kërkoj ta theksoj. Bile fort. Dallimet dhe kontradiktat politike midis së majtës dhe të djathtës nuk janë shuar dhe as nuk janë pleksur në një tërësi pa ngjyrë alternativash që t’i vlejnë njësoj gjithë popullit brenda një mendim unik dhe konceptit brezhnjevian të partisë së të gjithë popullit. Demokracia është një strukturim i larmishëm i statuseve sociale të individëve dhe shtresave shoqërore, prandaj nuk mund të ketë një politikë të vetme. Sikurse thoshte filozofi i madh pragmatist amerikan, Xhon Djui, kundërshtari i një universalizmi të fallsët, atje ku populli i pasur dhe pjesa e varfër apo disi me probleme e kombit mendojnë njësoj, brenda një ideologjie të vetme, atje nuk ka mendim të lirë. Statuse sociale të ndryshme prodhojnë ideologji të ndryshme.
Obama kërkon një tërheqje graduale nga Iraku, një dialog me Iranin, si edhe shpalosjen e forcës amerikane në Afganistan, atje, ku sipas tij, janë bazat e terrorizmit ndërkombëtar, aq të rrezikshëm për paqen dhe stabilitetin e botës ku jetojmë. Kurse Mekein është për një vazhdim të kontrollit ushtarak mbi Irakun deri në një periudhë më të largët si edhe një politikë të ashpër lidhur ndaj planeve bërthamore të Iranit. Sipas atij dhe partneres së vet për postin e vz.presidentit, tërheqja e shpejtë nga Iraku do të ishte tundja e flamurit të bardhë të dorëzimit. Kjo është ideja e tyre.
Edhe në planin e brendshëm, përgjithësisht Obama është për një mbrojtje sociale më të fuqishme për shtresat në nevojë, kurse Mekeini gjykon se duhen ulur më tej, ndofta taksat, të paktën nuk duhen ngritur, me qëllim që progresi dhe akumulimi i kapitalit të sjellë prosperitet edhe për më të varfrit. Këtu duket se shihen dy kultura të ndryshme që përballin liberalët demokratë me neokonservatorët, të cilët, të fundit, janë për jetë ekonomike dhe treg më liberal.
Të ndryshme fort janë edhe përqasjet midis tyre për probleme sociale, kulturore, për vlerat morale, sikurse edhe për sistemin shkollor. Mekeini kërkon një forcim të kontrollit shtetëror në kufijtë me Meksikën për të luftuar fort kundër emigracionit klandestin, kurse Obama kërkon një zbutje të embargos ndaj Kubës, si edhe dëshiron të shkojë drejt legalizimit të kategorive të ndryshme të emigrantëve klandestinë. Për shkollën Mekein e vë theksin te zhvillimi i garës dhe seleksionimi i më të mirëve, te Obama, kam përshtypjen se kam parë që e vë theksin te përmirësimi i cilësisë së shkollave për popullsinë masive.
Më duket se në disa plane ka një ballafaqim midis kulturës së qyteteve kozmopolite dhe kulturës që zhvillohet brenda zonave rurale, midis pacifistëve dhe atyre që e mendojnë vendin e tyre si një fuqi që ka përgjegjësi ndërkombëtare për rendin botëror, midis shtresave të shoqërisë që jetojnë sipas vlerave disi më liberale familjare dhe të marrëdhënieve familjare ose midis sekseve dhe atyre që kanë një kulturë më tradicionale. E më në fund shfaqen edhe ballafaqime politike midis emigrantëve metisë ose me ngjyrë dhe atyre që konsiderohen të lindur amerikanë.
Duke thënë të gjitha këto nuk kam se si të mos vendos theksin te ideja se te Obama kemi një personalitet të dalë nga emigracioni, i brezit të dytë, që vjen në këtë kandidaturë për atë post të lartë. Kjo tregon simbolikisht një ndryshim në mentalitetet e politikanëve, të popullsisë, pra një evolucion të paparë, si edhe se në kohën e globalizimit dukuria e shumëkulturalitetit është bërë temë dhe problematikë qendrore në shoqëritë e hapura. Sa shumë janë tërhequr stigmatet dhe paragjykimet raciale nga arena sociale, sa shumë është rritur ndërgjegjja e gjithëpërfshirës dhe jo e përjashtimit, me gjithë problemet që ky proces has gjithandej. Ky është mësimi i tretë dhe i fundit që vendos në dukje. E them këtë se shoqëria shqiptare ende nuk e kam mësuar multikulturalitetin e vërtetë.
2- Ka pothuajse një muaj që tregu mbarëbotëror i financave është tronditur nga dështimi i disa bankave të mëdha të investimeve në SHBA. Të frikësuar nga pasojat, vendet e zhvilluara dhe kryesisht Gjermania, Japonia, Franca, Anglia dhe Zvicra kanë vendosur të kontribuojnë në para që efektet e kësaj krize të mos ndihen në vendet e tyre. A mendoni se kriza e mësipërme i ka dhënë fund filozofisë liberale (laisez-faire) sipas së cilës është treguar ai që përcakton politikat e qeverive dhe më tej stilin e jetës së njerëzve?
Pyetja juaj është shumë e bukur dhe interesante, por kërkon net të tëra dimri për të diskutuar. Nuk mendoj se kriza e sotme e tregjeve financiare botërore i jep fund idesë, filozofisë dhe vlerave të ekonomisë liberale. Faktet që vijnë kundër saj sot janë shumë, të rënda, të pamohueshme, por filozofia mund të shkojë edhe kundër fakteve. Kjo është edhe rëndësia e saj, shërbimi i saj në drejtim të publikut. Filozofia, thoshte Hegeli, duhet të presë. Kur është ditë duhet të presë që të bjerë nata, dhe kur është natë duhet të presë të dalë drita. Filozofi i vërtetë i dëgjon, mban sytë dhe veshët hapur ndaj fakteve që sjell jeta, por duke qenë i tillë, nuk i ndryshon idetë e veta pa u bindur me logjikë. Filozofi që nuk i injoron faktet, në këtë kuptim, duke qenë partizan dhe besnik vetëm i logjikës së tij, mbase edhe të gabuar, nuk është fare filozof. Mund të jetë e shumta ish-dezhurn i ndonjë dikasteri si miku im i inatosur Qenan K. Ky është parimi i Sokratit. Mjekët i falen Hipokratit, kurse filozofët duhet t’i falen në moral vetëm Sokratit. Të gjithë athinasit e quanin tradhtar dhe të denjë për t’u ekzekutuar, ai i mbetej besnik vetëm vetes. Nga jashtë përpiqej t’i bindte me argumente që ata i kuptonin, nga brenda mendonte me fisnikëri po ato gjëra, por bazuar në një logjikë shumë më të përpunuar që nuk e thoshte dot.
Faktet nuk e rrëzojnë dot një filozofi, sepse askush nuk e di se fakte të tjera nuk do të rrëzojnë faktet e mëparshme – kështu thotë filozofi i madh anglez Alfred Ayer aty nga vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar.
Duke thënë këtë gjë, mendoj se kriza e tregjeve të sotme financiare dëshmon për të pestën a gjashtën herë me radhë që nga vitet e këqija 1929 dhe 1930 se tregu i lirë, fare i lirë, pa rregulla, pa mbrojtje sociale, pa kontroll të caktuar nga shteti, pa një lloj intervencionizmi, nuk mund të riekuilibohet vetiu. Dora e fshehtë, jo e ngrohtë, por e ftohtë, e tregut që rregullon gjithçka, duket se nuk është fort e besueshme. Mbase gaboj, por sikurse thotë Xhon Rollsi, më shumë jam i bindur se në një treg krejt pa norma dhe rregulla, atje ku shteti heq dorë nga çdo autoritet në emër të komunitetit, ka një “dorë të fshehtë” që i çon gjërat për dreq.
Sot Sarkozi, Berluskoni, Merkel, drejtues të vendeve të mëdha evropiane, ndonëse në fushata elektorale shpesh janë paraqitur si liberalë në fushën e ekonomisë, tani po flasin me termat e një intervencionizmi shtetëror të bashkuar me vlerat e lirisë së iniciativës së lirë. Pra, sot po anohet drejt një konceptualiteti mikst, të cilin kam dashur ta zhvilloj në librin tim “Shtigje drejt Guvës së Gjarprit”, të botuar nga shtëpia botuese “Ora” që e drejton zoti Besnik Mustafaj. Unë jam mbështetës i teorive që operojnë me koncepte të ndërmjetme logjike në të gjitha fushat, ekonomike, politike, financiare, morale etj. Fundja, kjo është edhe teza ime e doktoraturës në Francë dhe me të cilën kam marrë edhe diplomën e doktorit të habilituar në Shkencat Sociale dhe Humane atje.
Mirëpo, gjykoj se ndërsa në ekonomi liberalizmi ka ekzistuar vetëm në teori, por në praktikë nuk kam parë deri më sot ndonjë model praktik që të zbatojë një program tërësisht liberal. Nuk ka teori apo ideologji të pastra, të kulluara, kur ato zbatohen në praktikë. As komunizmi i zbatuar në Lindjen e kohës së Luftës së Ftohtë nuk ishte komunizëm. Nuk kishte të bënte fare me të. Liberalizmi ekonomik ka qenë një doktrinë që frymëzoi dje luftën e drejtë kundër privilegjeve dhe kufizimeve feudale dhe pak kohë më parë shembjen e ekonomive etatiste të lindjes, stalinizmit ekonomik. Kaq. Këtu ka një rol të jashtëzakonshëm dhe një meritë të pazëvendësueshme. Po kështu, idetë dhe vlerat e tij, si konkurrenca e lirë, iniciativa e lirë, matësi i vlerave në treg etj. janë mësime dhe mekanizma të rëndësishëm dhe pa dyshim shumë emancipues të botës ekonomike. Por, kjo nuk do të thotë se liberalizmi duhet të kuptohet si privatizim i gjithçkaje në çdo çast, sikur kapitali nuk kufizohet në veprimin e tij të madh nga disa norma, sikur vlerat morale nuk paskan më asnjë rol dhe dobi para fitimit, sikur gjithçka na qenka kontratë dhe jo edhe fat dhe imponim, sikur të gjithë duhet ta masin vlerën në treg pa mbrojtur shtresat e margjinalizuara, sikur edhe kultura, arti, feja mund të komercializohen si veshjet e brendshme.
Ky liberalizëm ekstrem as ka ekzistuar ndonjëherë si politikë. Doganat, politikat shtetërore, aksionet e forcës publike janë aty. E thotë bukur filozofi liberal i majtë amerikan, Paul Walzer, se liberalizmi i mbështetur te individualizmi nuk mund të ekzistojë në formë të kulluar sa kohë që iniciativa e lirë u krijon privilegje të ndryshme edhe ekonomike shtetasve të një kombi që përbën një bashkësi kulturore dhe gjuhe. Përndryshe, një afrikan i ardhur nga kontinenti i tij do të kërkonte të punësohej si individ i lirë në tregun evropian amerikan të punës. Po kush e lë pa?! Liberalizmi vepron dhe mund të veprojë brenda një komunitarizmi. I tillë ka vepruar deri më sot. Pra, nuk mund të flasim për ndonjë fund të filozofisë ekonomike liberale, se si e tillë, e zbatuar, në formën e përputhjes me faktet dhe me politikat në fuqi, ajo nuk ka ekzistuar kurrë në gjendjen e vet të kulluar. Tjetër është neokonservatorizmi dhe tjetër liberalizmi. “Etatizmi ka vdekur, liberalizmi ekonomik ende nuk ka lindur”.
Unë jam simpatizues i tregut të lirë dhe i konkurrencës së vlerave. Përulem përpara idealit të liberalëve për liri ekonomike, veç atyre politike etj., por shkencat politike dhe filozofike sot janë zhvilluar aq shumë, saqë e kanë kapërcyer sipas meje debatin klasik midis komunitarizmit etatist dhe liberalizmit të kulluar. Ekonomia publike, brenda disa kushtesh, me disa parime fleksibël, mund të jetë po aq dinamike sa edhe ajo e kapitalit privat. Ato duhet të konkurrojnë dhe bile vende-vende edhe të pleksen. Unë uroj që kjo të ndodhë edhe në modelin ekonomik të vendit tim. Brenda sektorit ekonomik dhe ndërmarrjes publike duhen futur urgjentisht mekanizma konkurrenciale dhe fleksibël. Unë jam kokëfortë në pikën që sipas meje të qenit publik i një televizioni, universiteti, kompanie, muzeu etj. nuk e përjashton brenda tyre demokracinë, konkurrencën, dinamizmin. Puna është se nuk janë gjetur mekanizmat për ta bërë këtë gjë. Privatja duhet të humanizohet, publikja duhet të shkathtësohet. Mikst. Koncepte mikst. Sot ka dështuar ekstremizmi politik dhe logjik.
Meqë folëm për krizën e sotme financiare, më lejoni të them diçka. Shoh në media se pyetet gabimisht: “A do të na prekë ne?” Për mua është një pyetje e gabuar. Sigurisht që nuk ka arsye të themi se do të ketë probleme serioze sistemi ynë bankar. Aq më tepër që qytetari ka vetëm një rrugë racionale nëse nuk do të presë degën ku ka hipur. Të mos bëjë budallallëkun për të shkuar drejt tërheqjeve bankare eksesive sikurse bënte në 1997-ën. Duhet të ketë besim dhe bile duhet të fusë edhe më shumë para në banka, sikurse po bëjnë perëndimorët. Bankat duhet ta stimulojnë këtë. Por nga ana tjetër, unë gjykoj se kriza e sotme financiare tashmë na ka prekur prej disa muajsh. Rritja e çmimeve, ulja e ritmeve të zhvendosjeve të kapitaleve të huaja në tregun shqiptar, mungesa e kreditimit në masë të gjerë të iniciativave private, futja në borxhe e familjeve janë të lidhura pa dyshim me këtë krizë, pavarësisht se nuk mund të shpjegohen vetëm me këtë. Unë do të uroja që edhe politikanët tanë të thonë se kriza i ka pasur tashmë efektet mbi ne dhe se politikat ekonomike dhe gjendja e ekonomisë shqiptare po i përballon ato sikurse dhe aq sa mundet në kushtet kur e gjithë bota përjeton një ankth kolektiv. Po ta thonë këtë, jo për demagogji, do të ndihmonin që gjendja jonë ekonomike të bëhej më transparente. Se duhet kuptuar se kur në vende të mëdha të Evropës pagat kanë kohë që njohin një lloj stagnacioni e nuk rriten, të paktën disa paga te ne kanë pasur rritje. Të mos politizojmë gjithçka pa njohur kushtet në të cilat veprojnë operatorët ekonomikë shqiptarë duke përfshirë edhe qeverinë. Populli duhet ta dijë se jetojmë në një periudhë ekonomike të vështirë. Kështu, ai e kupton pastaj politikën më mirë. Vështirësitë do të kalojnë, por ato duhen përballuar. Popujt e mëdhenj këtë bëjnë.
3 - Gjatë fushatës elektorale të vitit 2005 Kryeministri aktual, në atë kohë në opozitë, premtonte se do ta rriste nivelin e kreditimit për shqiptarët shtatë herë më shumë se në momentin e dhënë. Këtë premtim ai e ka realizuar duke e rritur kreditimin me dhjetë herë dhe duke e çuar në nivelin 30% të PBB-së. Kjo do të thotë se bankat, në 100 lekë depozitë kthejnë në formën e investimit me anë të kreditimit vetëm 30 lekë, ndërsa diferencën e investojnë në vende të tjera. Sipas bankave, niveli i kreditimit nuk mund të rritet më në vendin tonë në rast se në Shqipëri nuk zgjidhet çështja e sistemit të drejtësisë dhe pronësisë mbi tokën. Në këtë kontekst, a mendoni se lëvizja e Kryeministrit për reformë në drejtësi duhet të gjejë më tepër mbështetje në opinionformuesit e vendit tonë?
Lidhja që ju kërkoni të evokoni në pyetjen tuaj ekziston, patjetër, por më duket disi e largët. Problemi i pronës është pa dyshim në bazë të marrëdhënieve ekonomike. Pa zgjidhur atë, vështirë se sistemi bankar dhe kreditimi mund të bëhen një levë e vërtetë zhvillimi. Vetëm kini kujdes, kreditimi nuk është si bukuria, sa më shumë ta kesh, aq më mirë është. Jo, ka kufij. Këtë e thosha edhe në numrin e kaluar, por gazeta ma kishte ngatërruar titullin e shkrimit tim në formë interviste. Gjella me kripë e kripa me karar. Kur ndërmarrja kreditohet shumë, ajo rrezikon të shtypet nga pesha e interesit bankar. Por, çështja e pronave dhe kthimi i tyre nuk është aq shumë çështje e reformës së sferës së drejtësisë sesa e ligjeve. Ka prona që mund t’i kthehen qytetarit menjëherë. Nuk ka nevojë të jesh De Soto për ta menduar e bërë këtë gjë. Aksesi i qytetarit te prona e tij është i vështirë. Kjo është formë e korrupsionit që uroj që qeveria t’i japë fund. Unë njoh mijëra e dhjetëra mijëra qytetarë që paguajnë taksën e pronësisë për një të mirë materiale për të cilën nuk kanë tituj pronësie. I njëjti shtet edhe u vjel taksa, se i konsideron me pronë, por dhe nuk u jep tituj pronësie, çka e ka për detyrë. Po të doni, radhën tjetër më pyesni dhe ju tregoj.