Reperi që mundi Sarkozinë
Ai quhet Mohamed Mourokba, por nga të gjithë njihet si Hame. Është 33 vjeç, me origjinë algjeriane, i diplomuar në kinema dhe një nga reperët më të njohur të muzikës franceze. Por, përveç kësaj, ai njihet nga pjesa më e madhe e francezëve për shkak të konfliktit me ish-ministrin e Brendshëm, tani President i Republikës, Nikolas Sarkozi. Beteja ligjore mes tyre nisi që në 2003-shin, pasi një vit më parë, në 2002-shin, Hame kishte shkruar në një artikull që "raportet e Ministrisë së Brendshme nuk llogarisin kurrë qindra vëllezërit tanë që janë vrarë nga forcat e policisë dhe asnjë prej tyre nuk ka përfunduar kurrë para drejtësisë", për të cilën Sarkozi e hodhi në gjyq për shpifje. Në vitin 2002, ministri i Punëve të Brendshme ishte Sarkozi dhe në këtë kohë Hame dhe grupi i tij fituan famën. Në fakt, ai publikoi një artikull-pamflet në mbështetje të albumit të parë të nxjerrë nga grupi rep në të cilin bën pjesë, "La Rumeor". Atëherë Hame ishte një student ende i panjohur si artist, edhe pse shumë e cilësonin si "hajdut muzikash, gjithmonë në kërkim të fjalëve të reja dhe dëshirën për t‘u larguar nga gjithçka". Sot, ai ka një shtëpi diskografike, një diplomë për kinema, është i suksesshëm dhe, mbi të gjitha, krenar që refuzon të ëmbëlsojë tekstet e tij rep për radiot dhe televizionet. "Kjo e jona është muzikë emigrantësh, nuk është muzikë franceze", tregon ai. Nga të gjitha proceset gjyqësore, Hame ka dalë i pafajshëm. E vetmja njollë e drejtësisë mbi të është anulimi i procesit të dytë të apelit nga Gjykata e Kasacionit, që pretendon se "janë shumë të rënda dhe pa kufij", fjalët e teksteve të tij kundër policisë. Nga ana e tij, Sarkozi, që pasi mbaroi fushata elektorale u zgjodh President, i trembej më shumë pafajësisë, por sigurisht që nuk mund të tërhiqte denoncimin, sepse përndryshe do të kishte pranuar hapur se kishte trajtuar temën e sigurisë me rreptësi gjatë zgjedhjeve në vend që ta përballonte me realizëm politik. Duhet shtuar se, nga pikëpamja e mendimit abstrakt në Francë, nuk ka arsye të mendosh, se në përgjithësi, Gjykata nuk ka të njëjtin mendim me Presidencën e Republikës dhe ministrit të Punëve të Brendshme. Megjithatë, në procesin gjyqësor, u prekën pothuajse të gjitha anët e çështjes, ajo sipas së cilës "në vendin ku ekziston liria e shprehjes këngët janë thjesht këngë" dhe tjetra "se nuk mund të mos përbëjë skandal fakti se në këngë thuhet policia është vrasëse". Dëshmitar i gjykimit të shëndoshë ishte historiani Murice Rajfus, që numëroi rreth 80 të vdekur që nga viti 1982 "thuajse të gjithë të mitur me origjinë nga Magrebi". Kjo e ndihmoi shumë reperin 33-vjeçar që, i veshur me xhinse, bluzë të gjerë dhe beretë në kokë, shpjegoi se nuk i referohej "fakteve konkrete, por një atmosfere dhune, ku gjithmonë një prej protagonistëve është policia". Pastaj Hame nisi të përmendë, njëlloj si në shumë prej teksteve të tij, një mori emrash, ndër to Malik Ouseikene, i vrarë më 25 nëntor 1986, dhe Abdelkader Bourizane. "Por çfarë mund të mendojë një i ri nga periferia, duke lexuar ato që ti ke shkruar se të gjithë policët janë vrasës të pandëshkuar", replikonin ata që mbanin anën e Presidentit. Në tekstet e tij, Hame evokon edhe dhunën kundër emigrantëve algjerianë në vitin 1961, kur ndodhi grushti i shtetit që De Gol e fshehu. "Të humburit ishin më shumë se 400, dhe u hapën 61 procese nga prefektura të cilat u mbyllën për motivacione banale". Megjithatë, të gjithë e kuptuan se vetëm një "reper në delir poetik" mund t‘i lejojë vetes të krahasojë policinë e Paponit të vitit 1961 me atë të Sarkozisë në 2002-shin. Për këtë arsye, u thirrën edhe specialistë linguistikë për të analizuar përmbajtjet e këngëve. Profesoresha Dominiques Lagorggette, e specializuar në pamflete, tregoi se kishte gjetur "tekste më të dhunshme në shkrimet e Volterit", ndërsa më pas shpjegoi se "janë agresive, por jo të rrezikshme". Përkundrazi sipas saj, "artirepi është një kundërhelm, një antidot", sepse me siguri këngët dhe artikujt që e shoqërojnë nuk "vrasin", madje shpesh të "shërojnë" nga dhuna. Me pak fjalë, "policia vrasëse" në tekstet e këngëve të Hames është njëlloj si "fishekzjarrët", ndaj nuk mund të "burgosen" impulset e të rinjve të zonave periferike. Që atëherë kanë kaluar thuajse gjashtë vjet. Tani Franca është mësuar të debatojë mbi muzikën rep, e cila është shndërruar në "të vetmin vend ku i lejon të rinjtë të bëjnë çmendurira". Sipas avokatit Dominique Tricaut, drejt këtyre të rinjve duhet mbajtur një qëndrim më i butë se ai i Sarkozisë. Por, tani që Hame u shpall i pafajshëm, si të gjithë reperat që në këto vite kanë përfunduar nën proces gjyqësor, mund të thuhet vërtet se fitoi gjykimi i shëndoshë ndaj atij të rëndomtë, fitoi arsyeja politike e të gjithë atyre që kërkojnë të mos abuzojnë me ndjenjat e të përjashtuarve dhe humbi ajo tezë që mbronte me forcë faktin se policia përfaqëson garancinë dhe rregullin e shtetit francez dhe jo të vrasësve. Kështu, falë një gjykimi postmodern, Hame fitoi duke humbur rastin historik për t‘u bërë heroi romantik i periferisë ndërsa Sarkozi humbi duke fituar: nuk do të jetë ai censuruesi i verbër i një kënge që në gjykatë u pa se kishte etikë. Por, kush e njeh paksa periferinë franceze e di dhe popullsinë e saj të paintegruar, kush kujton zjarret, plagët dhe të shtënat e 2005-ës e kupton se shteti francez lejon të shpallë të pafajshëm reperin me një debat të madh politik, kulturor dhe etik, vetëm sepse di të tregojë forcën në fushën e vërtetë të betejës.