E Diel, 1 Nëntor 2026

Olimpiada e Informatikës, Shqipëria e dyta

Bledar Kazia, fiton medalje argjendi në Turkmenistan duke mposhtur 40 shtete të njohura në elektronikë

KAVAJË - Qyteti i Kavajës është nderuar me vendin e dytë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Informatikës. Bledar Kazia është nxënësi që ka arritur t’u rrëmbejë medaljen e argjendtë përfaqësuesve të shteteve të tjera shumë më të përparuara në sistemin elektronik. Në këtë konkurs merrnin pjesë 40 vende të njohura në këtë fushë ku vlen të përmenden SHBA, Gjermania, Austria dhe Australia. Megjithatë, jo gjithçka varet nga përvoja. Bledari është nxënës në vitin e tretë pranë medresesë së Kavajës, dhe nuk ka punuar aq shumë për projektin e paraqitur në konkurs. Ai ishte një projekt që tërhoqi vëmendjen e jurisë, pasi është një risi në shkencë dhe teknologji, ku nëpërmjet tastierës së kompjuterit njeriu mund të prodhojë energji. Por koha ishte e paktë dhe mjetet me të cilat duhej ndërtuar projekti nuk ishin të mjaftueshme. Për këtë arsye Bledari mendon se nuk arriti të ishte mbi 182 nxënësit konkurrentë. Olimpiada u zhvillua për të tretin vit radhazi në Turkmenistan, ku merrnin pjesë vetëm të përzgjedhurit nëpërmjet një forumi kompjuterik. Të gjithë personat që duan të regjistrohen në këtë konkurs duhet të paraqesin dhe prezantojnë një projekt, më pas ai përzgjidhet po në internet dhe fituesve u vjen ftesa nga organizatorët për të marrë pjesë në konkursin e drejtpërdrejtë. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me shkollën e medresesë në Kavajë, e cila pasi u përzgjodh në internet ndër 90 projektet që u paraqitën në olimpiadë, u vlerësua edhe si projekti i dytë më i mirë. Mësuesi Salih Dedej shprehet se ndihet i kënaqur që çmimi i dytë u fitua nga një nxënës i tij. Në ceremoninë e marrjes së çmimit, Bledari ka hyrë në skenë me flamurin kuqezi në dorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›