E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri përballë Zelës për Tiranën

22/02/2012  Kryesia e PS takim për reformën zgjedhore, parlamentare dhe zgjedhjet në parti

Gara e ardhshme parlamentare, socialistët synojnë ngritjen e një raporti të ri me medien

Asambleja Socialiste e Tiranës do të votojë më 3 mars mes kandidaturës së Sajmir Tahirit dhe asaj të Ilir Zelës, për kreun e ri të PS-së. Këto ishin dy emrat që iu propozuan këtij forumi nga mbledhja e mbrëmshme e kryesisë së PS-së.

Takimi

Kështu pas më shumë se tre orë mbledhje, kreysia e kësaj partie diskutoi mbi një sërë çështjesh ku ndër të tjera përzgjodhi mes disa kandidaturave pikërisht këto dy emra. Ndërkohë që pjesë e diskutimeve ishin dhe reforma zgejdhore, ajo parlamentare. Por një vëmendje të veçantë në këto diskutime kishte dhe raporti PS-Media, për shkak se tashmë kjo parti është përfshirë në një proces parapërgatitor për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Madje, përmes një deklarate për shtyp, PS informoi se gjatë mbledhjes së këtij forumi, kryetari Edi Rama propozoi ngritjen e një grupi pune për hartimin e strategjisë së komunikimit me publikun, propozim i cili u miratua nga anëtarët e kryesisë. Gjithashtu, kreu Rama nënvizoi rëndësinë e përmbylljes sa më parë të reformës zgjedhore, duke përmbushur më së pari rekomandimet e OSBBE/ODIHR dhe të gjitha shqetësimet e nxjerra në pah gjatë procesit të fundit zgjedhor. Ndërkohë, sekretari për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri, njëherazi dhe bashkëkryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore, informoi Kryesinë e PS mbi ecurinë e deritanishme të punës së këtij Komisioni, duke shfaqur shqetësimin për ritmin e ngadaltë dhe vonesat në vendimmarrjen e këtij komisionit. Sipas njoftimi, kryesia e PS gjykon se zvarritja e qëllimshme e reformës zgjedhore, për shkak të mungesës së vullnetit politik nga ana e mazhorancës, rrezikon vetë procesin e ardhshëm zgjedhor dhe shënon një moment kritik në përmbushjen me sukses të reformës.

Zgjedhjet

Ndalur në zgjedhjet në 117 njësi vendore, sekretari organzativ, Blendi Klosi, i propozoi kryesisë zhvillimin e zgjedhjeve për kreun e partisë në Tiranë më datën 3 mars ku do të kandidojë Ilir Zela dhe Sajmir Tahiri, ndërkohë që propozoi mbylljen e të gjithë procesit zgjedhor në PS brenda datës 15 mars.

Reforma parlamentare

Nënkryetari i Parlamentit, Namik Dokle, shprehu shqetësimin lidhur me ecurinë e reformës parlamentare. Sipas tij, kjo reform nuk po përmbushet në afatet kohore të vendosura më parë. Socialistët vlerësojnë se rivendosja e votimit të fshehtë është cilësuar si një element tejet i rëndësishëm në funksionimin demokratik të Parlamentit, element i cili fatkeqësisht ende nuk është pranuar nga mazhoranca.

Zgjedhjet në FGS

Në zgjedhjet e reja brenda strukturave të Partisë Socialiste, përfshihet dhe Forumi i Gruas Socialiste. Për këtë arsye, kryesia e PS-së në mbledhjen e djeshme caktoi një grup pune që do të koordinohet nga deputetja Olta Xhaçka dhe drejtohet nga anëtarja e kryesisë, Eglantina Gjermenji, për të konceptuar një projekt, që do i serviret këtij forumi në mbledhjen pasardhëse, mbi organizmin e forumit të gruas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›