E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ferrin e romëve: Policia na dhunoi kur protestuam, duam fondet tona (FOTO)

romet-300—-Nga Arisa Liço—-

Tiranë- Teksa i afrohemi vendqëndrimit të 37 familjeve rome pranë Pallatit me Shigjeta në kryeqytet, vend nga i cili u kanë kërkuar të largohen, i gjejmë të shpërndarë secili duke u marrë me diçka, por sapo shohin dikë të panjohur, në sytë e tyre duket një vështrim kërkues, kërkues të një përgjigjeje, plot shpresë, plot pyetje, plot dhimbjese çdo të bëhet me ta!

Burra që pinë duhan, gra që mbushin ujë, fëmijë të vegjël për të cilët argëtimi i vetëm janë mjetet e punës të prindërve, diku më tej, në ato dhoma që kanë mbetur pa u rrënuar, fëmijë që janë mbledhur pas televizorit, i vetmi mjet luksi në atë mjerim që edhe ai kërkohet tu merret. Rroba që duken se janë mbledhur nxitimthi. Gjithçka duket e qetë nga jashtëpor tragjike në gjirin e saj!

Një ditë pasi u organizuan dhe protestuan për të drejtat e tyre përpara Bashkisë Tiranë në sheshin Skënderbej, nga gratë dhe burrat romë mësojmë se edhe prej aty ku kishin vendosur të qëndronin deri në një përgjigje nga institucioni që drejtohet nga Lulzim Basha për strehimin e tyre, janë larguar me dhunë, njësoj siç thonë se po i largon personi që pretendon se është pronari i tokës në të cilën familjet rome kanë prej vitesh që jetojnë në barakat e tyre të vogla.

Ishim para dy ditësh, dolëm me pankarta në duar dhe thërritëm, duam strehim. Asnjë sdoli, nuk na dha përgjigje Basha. E di si na thanë policët? Aty në zyrë ka qenë por për inat nuk ju doli,- thonë në kor disa gra dhe burra që u mblodhën tok të gjithë për të na rrëfyer atë që mesa dukej ishte grumbullimi i një vuajtje të madhe në një mërzitje që ka arritur pikën kulmore. Ne ikëm prej aty se na hapën ujin, nuk mund të rrinim aty, ne aty, uji na lagu. Një grua e qëlluan,- thotë Liri Nuredini, gruaja që të gjithë i lënë rradhën të flasë pasi sipas tyre është më veteranja ndër ta.

Teksa i kërkojmë të na çojë tek baraka e gruas që sipas tyre është sulmuar nga policët ditën që protestuan te Sheshi Skënderbej, mësojmë se Liria ka 25 vjet që jeton në këtë vend, është e ve dhe në barakën e saj jetojnë 8 persona, ose më saktë, mbijetojnëtë harruar nga një shtet që aspiron të përmbushë paktin evropian.

Ne shisnim kanaçe, po edhe atë kemi 2 javë që nuk e bëjmë se na izoloi këtu brenda, rrëzoi me fadromë barakat ku fusnim kokën, na mbylli edhe derën që burrat të mos dilnin për të siguruar bukën e gojës.,- vijon ajo teksa na shpie drejt një barake në të cilën rri Liri Rakipi.

Ndërsa një burrë na rrëfen: Pse nuk i përmendet në media emri i Delijorgjit. Ai që hodhi një Gërdec në erë…qeveria jonë e korruptuar! Janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin! Delijorgji dhe gruaja e tij bëjnë xhiro çdo natë rreth urës edhe shikojnë situatën…Ata presin fundjavën kur ska njeri që të vijnë të na prishin barakat. Vijnë këtu dhe thonë: Prishini vetë, sepse tjua jap juve lekët, jo qeverisë. Ai na ka lënë afat deri të enjten që të prishim barakat. Ne e dimë të shtetit këtë dhe jo të Delijorgjit. Kemi 25 vjet këtu….

Liri Rakipi është një mesogrua që nuk nguron të na tregojë pjesën e majtë të barkut ku sipas asaj që na tregon ajo por edhe të tjerët që e kanë parë me sy skenën, është qëlluar me shkelm nga një polic.

Po po mua, mua më qëlloi atë ditë një polic. Ja mu këtu në fund të barkut, në anën e majtë. Unë asgjë spo bëja, isha me fëmijën e vajzës në krah që e kam të vogël, dhe po vrapoja për tek vajza që po shtronte batanijen tek bari kur ai vjen me vrull dhe më godet. I thash, po avash mor burr i thash se nuk po bëj gjë,- thotë Liria.

Ndërsa i pyesim se çfarë do të bënin të nesërmen, kur personi që pretendon se është pronari i vendit ku jetojnë u ka lënë edhe një ditë afat për tu larguar, të gjithë njëzëri nisin të flasin: Ja gjysëm ore ka që iku, erdhi prap sonte dhe na kërcënoi, na shan me fjalë banale, në sy të fëmijëve, vjen familje më familje edhe na thotë akoma skeni dalë?. Na ka lënë afat deri nesër, për të mërkurën na tha që do instaloj portë të re te dera kryesore dhe ju do dilni në rrugë e nuk do futeni më brenda. Një nga një në lum do hidheni na thotë,- thotë Zeqine Memeti, Rira Maksuti dhe Liri Raipi.

E kur i përmend si alternativë Sharrën, reagojnë nxitimthi me një mohim qartazi të prerë: Ne nuk jemi në kohën e Enverit që i internonte njerëzit. Ne jemi njerëz, ky është diskriminim racial. Si të shkojmë ne atje, në banesa pa kushtet minimale, pa dyer, pa dritare, pa ujë e pa drita. Ne duam fondet tona, ku shkojnë, ku janë? Ne 25 vjet nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti, edhe kur kemi shkuar tek Ministria e Punës na kanë përcjellë. Atja nuk jetohet, shko shikoje vetë me sytë e tu çfarë kushtesh ka atje, se në televizor mos e shiko se nuk jepet realja- shprehet e irrituar Liri Nuresini, veteranja e komunitetit rom që jetojnë tek Rruga e Kavajës.

Një tjetër kërkesë dhe shpresë që kanë është siç thonë: Një fjalë nga qeveria e re për ne, për zgjidhjen e problemit tonë,- shprehet një burrë. Ndërsa akuzojnë qeverinë në ikje dhe kryetarin e Bashkisë Lulzim Basha që sipas tyre, i ka mashtruar me premtimet elektorale për banesat e përfunduara. Ku është Basha? Mori votat tona edhe tani po na shkel me këmbë. Do marri më votë ai nga ne? Sa mori Berisha tani që iku aq do marri edhe ai- thotë Liria.

Teksa bie nata, Rita Maksuti është ajo që dëshiron që ne të njihemi me secilën nga barakat që kanë ngelur, me fatin e secilit prej atyre njerëzve, na çon tek një familje që e mbledhur tok këmbëkryq në një dyshek të shtruar në shesh, po hanë darkën bukë më domate Kemi dy javë që hamë bukë me domate,- dhe nxiton të na tregojë tepsinë, e të na krijojë kushte të bëjmë një fotografi aty ku bie drita, pasi dita ka perënduar. Rrobat më kanë mbetur akoma nën rrënoja të barakës që më prishi ai. Nuk kam rroba për djalin,- thotë gruaja.

Një tjetër çështje që familjet rome e theksojnë me forcë është fakti që nuk janë larguar me dëshirë pasi kanë marrë lekë nga personi që pretendon se është pronari i tokës. Po disa kanë marrë para, dikush 50 mijë lekë të vjetra, dikush 70 dikush 80. Na i dha se po na vdisnin fëmijët për bukë, pasi na kishte bllokuar dy javë këtu brenda që spunonim dot. Ai na tha merrini këto dhe ikni, po si të ikim ne në këmbim të 50 mijë lekëshit? Dhe na thotë prishini vetë që mos ti prish unë,- shprehet Rita.

Duke i premtuar Ritës se do të rikthehemi të shkruajmë çdo ditë për historitë e tyre deri sa kjo çështje të marrë zgjidhje, e që sytë e pushtetarëve të kthehen kah atyre që i kanë votuar e për të cilët kanë përgjegjësi njerëzore e ligjore, romët ende sot mbeten pa një zgjidhje për strehimin e tyre.

◄ Pas Para ► Foto    1 / 13

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›