“Në fillim e helmuan, pastaj e vranë”
AFRIM IMAJ
“E vranë apo u vetëvra”. Dilema disavjeçare për çastet fatale të ish-kryeministrit komunist, nuk është përjetuar si e tillë nga i vëllai i tij, Duro Shehu. Nuk ka rëndësi për të kush e ka tërhequr mekanizmin e pistoletës, por ai që krijoi situatën për likuidimin e Mehmetit. Duro Shehu ka bindjen e padiskutueshme se arkitekti i kësaj është Enver Hoxha. Për të, ai është njeriu që zhduku në mënyrë monstruoze vëllain e tij. Më shumë se kaq, vëllai i ish-kryeministrit të vetëvrarë, për herë të parë bën të ditur për gazetën “Panorama”, një variant të plotë të skenarit dhe rrethanave misterioze, nëpërmjet të cilave u realizua eliminimi i Mehmet Shehut. “Në fillim e helmuan, e vunë në gjumë të imponuar, pastaj e qëlluan me pistoletë me dy plumba në zemër”, përmbledh Duro Shehu thelbin e asaj që ndodhi në vilën e kryeministrit natën e 17 dhjetorit 1981...
Zoti Duro! Prej vitesh nuk jeni shprehur rreth dilemës që ka sunduar opinionin shqiptar “E vranë apo vrau veten Mehmet Shehu”...
Gjithnjë kam preferuar të jem indiferent karshi kësaj dileme dhe mos ta përjetoj si të tillë ditën fatale të Mehmetit. Kam bindjen time për këtë që ka për bazë një arsye të fortë. Nuk ka rëndësi kush e shkrepi pistoletën në trupin e tij, por kush ishte ai që krijoi situatën, rrethanat për ta eliminuar tim vëlla. Nuk ka diskutim tashmë se arkitekti i tërë kësaj tragjedie ka qenë Enver Hoxha. Ai dhe vetëm ai është inskenuesi i mënyrës monstruoze, nëpërmjet të cilës u zhduk Mehmet Shehu. Detajet pastaj janë gjëra më pak të rëndësishme...
Megjithatë, koha që ka kaluar me siguri ju ka ndihmuar të zbuloni diçka nga misteri i prapaskenave të 17 dhjetorit ‘81...
Padyshim që me kalimin e kohës kemi zbardhur pjesë-pjesë profilin e skenarit, nëpërmjet të cilit ndodhi tragjedia e 17 dhjetorit. Kemi mundur të depërtojmë në rrethin e atyre njerëzve që atë natë të errët e me furtunë vranë pas shpine jo një njeri të zakonshëm, por kryeministrin e vendit. Ishin ata që do të raportonin tek vetë Enveri ato çaste se misionin e përmbyllën me sukses...
E keni fjalën për njerëzit e sigurimit të Shtetit...
Enver Hoxha për misione të tilla specifike tërë jetën e tij ka operuar me një strukturë tjetër të fshehtë. Më saktë ka patur një polici sekrete me një kontingjent të kufizuar njerëzish të besuar, që e përdorte drejtpërdrejt pa dijeninë e strukturave të tjera shtetërore. Rasti i zhdukjes së Mehmetit është një nga misionet më të spikatura të kësaj strukture të panjohur...
Pra, njerëzit e besuar të Enverit bënë atentatin ndaj Mehmetit dhe realizuan alibinë, sipas të cilës ai vrau veten...
Kjo është e vërteta, po çuditërisht edhe pas kaq vitesh ende nuk ndjehen angazhime serioze për të zbuluar këtë rrjet të ngushtë e mafioz me të cilin Enveri eliminonte kundërshtarët e tij. Nuk është vetëm Mehmeti viktimë e tyre, por unë di edhe disa të tjerë. Kam dëgjuar se mjaft prej këtyre “besnikëve” që operonin natën pas ardhjes së demokracisë janë larguar e jetojnë në perëndim. Për ironi të fatit të gjithë nuk kanë mbërritur aty si klandestinë të zakonshëm, por me procedura zyrtare e me përkujdesjen e shtetit...
Në vlerësimin tuaj Mehmeti është viktimë e policisë së fshehtë të Enverit. Por cila ka qenë mënyra e ekzekutimit, skenari i saj, si është fshehur e vërteta?
Deri tani kam dashur të mbetem te ky konstatim, duke menduar se të tjerat janë thjesht detaje e emra njerëzish të përdorur si kavie. Me që këmbëngulni po u them variantin e vërtetë të mënyrës si u ekzekutua Mehmet Shehu në vilën e tij...
Çfarë ndodhi konkretisht mbrëmjen 17 dhjetorit në vilën e Mehmetit?
Atë natë, Mehmet Shehun në fillim e kanë helmuar, pastaj e kanë asgjësuar me pistoletë, duke e qëlluar me dy plumba në zemër. Për të mbërritur deri këtu është realizuar paraprakisht ndërrimi i tërë personalit që shërbente në vilën e Mehmetit. Çuditërisht atë natë ishte ndërruar edhe pastruesja dhe infermieria e turnit. Nga sa kemi mundur të mësojmë më vonë, kjo e fundit atë mbrëmje kishte marrë një lloj helmi që ia hodhi Mehmetit në çajin që i serviri në dhomën e punës. Nën efektin e tij ai ra në gjumë të thellë. Pikërisht në këtë moment njerëzit e besuar realizuan qitjen me pistoletë në gjoksin e tij. Pastaj, gjithnjë sipas një regjie tipike mafioze u bë përshtatja e kufomës, në mënyrë të tillë që të linte të kuptoje se ai kishte vrarë veten. Mjaftoi kaq dhe të nesërmen filloi “Tabloja Sinoptike”, sipas të cilës Mehmet Shehu, poliagjenti i rrezikshëm, i gjendur pa rrugëdalje vrau veten...
Pika kyçe, sipas jush, ka qenë infermieria që ju besua helmimi i Mehmetit. A ka një emër kjo grua dhe a keni kërkuar të takoheni me të?
Padyshim që ne ia dimë emrin, e dimë kush është dhe në çfarë rrethanash është detyruar për ta bërë këtë lloj krimi. Tani për tani rezervohemi ta bëjmë publike emrin e saj. Tjetër. Më pyetët nëse jam takuar me të, desha të them se ajo vajzë nën përkujdesjen e shtetit, të zyrave speciale të tij, prej vitesh është zhvendosur e jeton në Australi. Kam të dhëna se edhe misionarë të tjerë të policisë sekrete të Enverit, njerëz të tjerë që janë urdhëruar për të bërë krime të kësaj natyre, me bekimin e shtetit emigrojnë prej vitesh.
“Natën e vetëvrasjes, te vila e Mehmetit ishte ndërruar personeli i shërbimit”
AFRIM IMAJ
“Natën e vetëvrasjes ishte ndërruar tërë personeli i shërbimit në vilën e kryeministrit, madje edhe pastruesja”.
Konstatimi i të vëllait të Mehmet Shehut për atë çfarë ka ndodhur mbrëmjen e 17 dhjetorit ’81, është rezervuar prej tij si një nga pikat më të forta për dyshimin e shprehur në librin “Mehmet Shehu, im vëlla”, se tragjedia e 17 dhjetorit nuk ka qenë vetëvrasje, por një likuidim monstruoz. Të tjera detaje të panjohura më parë Duro Shehu i bën të ditura në intervistën e dhënë për gazetën “Panorama”, gjithnjë me bindjen se kontribuon për të zbardhur një nga ngjarjet më dramatike të historisë së Shqipërisë komuniste...
Zoti Duro! Në librin “Mehmet Shehu, im vëlla” shpreheni i bindur se Mehmet Shehu nuk është vetëvrarë, por e kanë vrarë. Keni fakte për këtë?
Unë jam i bindur se tim vëlla nuk është vetëvrarë, por është likuiduar nga Enver Hoxha, sipas një skenari të parapërgatitur...
Në libër janë shumë të rezervuara faktet që argumentojnë se Mehmetin e kanë vrarë pas shpine...
Në libër nuk kam patur për qëllim zbardhjen e këtij misteri, por jam nisur nga dëshira për t’i dhënë lexuesit figurën e tim vëllai si njeri, si shok e prind, si luftëtarë e mik i shumë shqiptarëve. Sa ia kam arritur kësaj, këtë do ta vlerësojë lexuesi. Sa për faktet ku e mbështes dyshimin, mjafton të përmend mënyrën si u ndërrua tërë personeli i shërbimit dhe rojeve të Mehmetit natën e tragjedisë. Madje, qysh atëherë e kam konstatuar se atë natë është ndërruar edhe pastruesja. Me “personelin” e ri që “shërbeu” për Mehmetin natën e 17 dhjetorit, jam takuar të nesërmen, më 18 dhjetor teksa shkova aty me familjen për të marrë pjesë në mortin e tij. Jo vetëm unë, por asnjëri prej familjarëve të tjerë nuk njihte asnjërin prej tyre...
Si u njohët me lajmin për vetëvrasjen e Mehmet Shehut?
Para lajmit për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, ne si familje kishim ndjerë një lloj izolimi. Të paktën tre-katër muaj më parë. Ishte një survejim i fshehtë, disi i padukshëm në pamje të jashtme, por i prekshëm dhe real. Gjithsesi, fakti që Mehmeti vazhdonte të ishte kryeministër, na jepte një farë sigurie...
Pra, policia sekrete kishte filluar të survejonte familjarët e kryeministrit...
Këtë e kam ndjerë për herë të parë katër muaj para vrasjes së Mehmetit. Atëherë isha sekretar i Komitetit të Partisë së Aviacionit Luftarak dhe pas një sëmundje të rëndë u nisa për kurime në Austri. Gjatë qëndrimit në një klinikë aty, një ditë më ftojnë për të marrë pjesë në një pritje të ambasadës tonë në Vjenë. Nisur nga statusi i ushtarakut që i rezervonte kontaktet me të huajt, fillimisht hezitova, por me këmbënguljen e ambasadorit tonë në Austri, shkova. Aty pikërisht mora sinjalin e parë ogurkeq. Së paku parandjenjën se diçka jo e mirë po trokiste në fatin e familjes tonë, diçka që kishte lidhje me fatin e Mehmetit, i cili prej 30 vitesh bënte detyrën e kryeministrit...
Kush ju tha në Vjenë se ishin tronditur pozitat e vëllait, Mehmetit...
Kuptohet që nuk ma tha njeri drejtpërdrejt, por një kosovar, një burrë shtatlartë e me mustaqe vesh më vesh gjeti rastin gjatë atij takimi dhe erdhi e më pyeti me një lloj ndrojtjeje: Si është shoku Mehmet? Mbaj mend që ato ditë në Tiranë bëhej Kongresi i Tetë i Partisë dhe Mehmeti që kishte mbajtur raportin për problemet ekonomike, kishte tërhequr vëmendjen e tërë opinionit për paraqitjen e zymtë në foltore. Mesazhi i kësaj paraqitje kishte filluar të komentohej në mënyra të ndryshme. Sidoqoftë, ndërhyrja e kosovarit dhe interesimi i tij i drejtpërdrejt më la të kuptoja se diçka kishte ndodhur. Mjaftoi kaq dhe kërkova të kthehesha menjëherë në Shqipëri. Rrugëtimi më bindi plotësisht se diçka kishte ndodhur.
Çfarë konstatuat kur mbërritët në Tiranë për fatin e Mehmetit dhe familjarëve të tij?
Që gjatë udhëtimit konstatova se isha nën vëzhgim të rreptë. U nisa nga Vjena e mbërrita në Budapest. Në të gjitha lëvizjet më shoqëronte një oficer i sigurimit. Në ambasadë më pritën shumë ftohtë. Po kështu më pritën edhe në Beograd, teksa po qëndronim tranzit. Ftohtësinë më të madhe e ndjeva në Rinas. I vetmi që kishte dalë për të më pritur ishte Gëzdar Vehipi, një miku im pilot i klasit të parë. Për tjetër njeri as që bëhej fjalë. Gjithsesi me një makth të jashtëzakonshëm mbërrita në shtëpi. Por edhe aty nuk munda të mësoj ndonjë gjë më shumë.
Po nga miqtë e shokët që filluan t’ju vizitojnë gjatë kohës që ishit në shtëpi, a mundët të kuptonit çfarë kishte ndodhur?
Unë erdha nga Vjena dy-tri ditë para vetëvrasjes së Mehmetit. Ishte ditë e martë, në mos gaboj. I pari që u fut në shtëpi ishte komandanti i Aviacionit. Ndenji vetëm tri-katër minuta dhe iku. Menjëherë pas tij u gjend aty komisari i Aviacionit. Dy-tri minuta edhe ai dhe iku. Pastaj mbërriti Veli Llaka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Tri-katër minuta dhe ai dhe iku. Asnjë mesazh prej tyre. Vetëm një interesim telegrafik për shëndetin, sa për të kaluar radhën dhe asnjë fjalë tjetër. Burra shteti, miq të hershëm, njerëz që kisha kaluar një jetë me ta nuk mundnin të më shprehin asgjë. Më tundoi jashtë mase heshtja e tyre. Një heshtje që të linte të kuptoje se një furtunë, një mort i madh ishte duke ardhur. Prandaj ata nxitonin të iknin që morti mos t’i zinte brenda. Ai mort i tmerrshëm që do vinte vetëm pas dy ditësh...
Po me Mehmetin kur u takuat pas kthimit nga Vjena?
Po atë natë, pasi kishin dalë miqtë e shokët që vinin e iknin si në ilegalitet, më telefonoi Mehmeti. “Erdhe?”, më pyeti. “Po, iu përgjigja, do vij t’ju takoj sonte”. “Jo, më tha, se je i lodhur, do vij aty Fiqiretja me djemtë”. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Nuk kaluan pak çaste pasi kisha mbyllur telefonin dhe ata erdhën. U mundova të mësoja ndonjë gjë prej tyre, por Fiqireti me mënyrën si shprehej dhe gjestet me të cilat shoqëronte fjalët më la të kuptoj se diçka jo e mirë pritej. E gjithë biseda e saj tingëllonte diçka false. Me sa dukej ajo e dinte që në shtëpi kishim përgjues...
Pra, kjo ishte edhe telefonata e fundit me Mehmetin...
Nuk pata më rast tjetër për të komunikuar me të. Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe pas dy ditësh erdhi 17 dhjetori fatal. Më mbeti peng që gjatë ditëve kur im vëlla vuante me shpirt, unë isha në Austri. Rrugëtimin tim për në Vjenë më vonë policia e çmendur e Enverit kërkonte ta argumentonte si një inkursion agjenturor me porosi të Mehmetit. Për ditë e net të tëra më kanë lebetitur në hetuesi si e si të provonin që unë vëllai i “poliagjentit” Mehmet Shehu kisha shkuar në Austri për t’i çuar dokumente sekrete Breshnjevit. Nejse, është një histori tjetër kjo...
Po si e morët vesh lajmin për vetëvrasjen e Mehmetit?
Ishte ditë e shtunë me sa mbaj mend, data 18 dhjetor. Atë ditë shkova në punë dhe aty nga ora dy pasdite u ktheva në shtëpi. Pa u ulur mirë më mori në telefon Veli Llaka, shefi i Shtabit të Përgjithshëm. “E more vesh, më tha me një ton disi tronditës, Mehmet Shehu vrau veten”. Ngriva në këmbë. M’u duk se Dajti më ra mbi supe. “Çfarë? pyeti gruaja që mundohej të deshifronte lajmin e keq që kishte ardhur nga telefonata.
“Xhaxhi Mehmeti ka vrarë veten!”, e sqaroi aty për aty vajza e vogël, që me sa dukej e kishte dëgjuar zërin e Veliut në telefon. “E vranë! E vranë të poshtrit!”, bërtiti gruaja me një zë të dridhur dhe filloi të ecte nëpër shtëpi si e marrë.
Vajzat u prenë në fytyrë dhe filluan të qajnë me dënesë. Hataja kishte ndodhur. Më takonte të dilja në krye të kësaj situate të jashtëzakonshme. Po nga ta nisja...
Cili ishte veprimi i parë që bëtë pasi morët vesh lajmin për vetëvrasjen e Mehmetit?
Krejt padashur këmbët më çuan nga dritarja. Jashtë kishte filluar një stuhi e lehtë. Përqark pallatit kishin filluar të patrullonin civilë të armatosur, gjë që do të thoshte se që nga ky moment ishim në objektivin e policisë sekrete...
Promovohet libri “Mehmet Shehu, im vëlla”
Është promovuar dje në Tiranë libri i Duro Shehut “Mehmet Shehu, im vëlla”, botim i shtëpisë botuese “Bota shqiptare”. Është ky një libër me kujtime, fakte e dokumente, të cilin autori, vëllai i ish-kryeministrit komunist dhe njërit prej figurave më emblematike të historisë së Shqipërisë të shekullit të XX e hedh në treg me rastin e 95-vjetorit të lindjes së tij. Pas librave “Vjeshta e ankthit” dhe “Rrëfim ndaj një varri të zbrazët” të shkrimtarit Bashkim Shehu, djalit të ish-kryeministrit komunist. “Mehmet Shehu, im vëlla” i Duro Shehut, është libri i tretë nga rrethi i ngushtë i familjarëve të Mehmetit. Shokë e bashkëluftëtarë të Mehmet Shehut dhe të autorit të librit folën për vlerat e veçanta që mbartin kujtimet e të këtij botimi dhe shprehën përgëzimet e tyre për punën e kujdesshme që është bërë për sistemimin e tyre. Libri është redaktuar nga gazetari Xhevdet Shehu dhe qysh nga dita e djeshme është në treg me çmimin 500 lekë.
neser do te lexoni
Çfarë ndodhi në vilën e Mehmet Shehut më 18 dhjetor 1981 dhe si u organizua ceremonia mortore e kryeministrit komunist.
Çfarë tha i biri, Vladimiri, në përcjelljen e përmotshme të të atit dhe historia e zhvarrimit të eshtrave të Mehmetit.
Kush ishte çekja Maria Circi dhe si ishte gjendur ajo në familjen e Mehmetit, ku bënte bebisiten e fëmijëve.