E Diel, 1 Nëntor 2026

Në fshat, aty ku nxënësit kanë qiellin çati

Kur dëgjojnë sloganin "Shqipëria në moshën e internetit", mijëra nxënës në Shqipëri nuk e kuptojnë se për çfarë flitet. Kjo për arsyen e thjeshtë se në shumë shkolla mungojnë dyert, dritaret, në vend të oborrit të shkollës kanë kotece shpendësh e jo më të shkojë linja e internetit. Nuk kanë klasa ku të bëjnë mësim e jo më të kenë laboratorë informatike. Që të instalohet interneti, në radhë të parë duhet të ketë shkollë fizikisht. As ditën e parë të shkollës nxënësit e fshatit Kamen në Peshkopi nuk zhvilluan një orë mësimi normal. Ditën e parë të këtij viti shkollor në klasat e shkollës së fshatit Kamen shikoje nxënës që ndiqnin orët e mësimit me çadra shiu në duar. Çfarë binte jashtë, hynte brenda. As Ministria e Arsimit, as drejtoria arsimore dhe as komuna nuk kishin menduar që të merrnin masa për izolimin e tavanit të shkollës. Nxënësit e kishin gjetur zgjidhjen vetë. Me nga një çadër shiu në dorë ndiqnin orët e mësimit. Por nuk ishte vetëm tavani që pikonte, e vetmja e metë, muret ishin të palyera, dyer nuk kishte nëpër klasa, xhamat e dritareve të thyera.

Nga ana tjetër, mjediset e shkollave janë kthyer edhe në ferma të vogla. Në to mbillet jonxhë dhe kullosin bagëtia.

Në shkollën 9-vjeçare të Komunës Xhafzotaj në Durrës, fusha sportive është mbjellë me jonxhë. Me një vendim gjykate, kjo sipërfaqe, pjesë e shkollës, i është kthyer ish-pronarit.

Kryetari i Komunës Xhafzotaj e ka kundërshtuar para gjykatës kthimin te pronari të sipërfaqes së fushës sportive të shkollës. Madje kërkuan edhe anulimin e vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave të vitit 1994, në mënyrë që pronarëve t‘u njihej si pronë dhe të kompensoheshin diku tjetër, por gjykata vendosi që oborri i shkollës, së bashku me fushën sportive, t‘u kthehej pronarëve dhe 300 nxënësit e shkollës 9-vjeçare e zhvillojnë orën e Fizkulturës në një rrip të vogël vendi të lirë që u është lënë si oborr i shkollës. Në fushën e tyre sportive është mbjellë jonxhë dhe as që bëhet fjalë të zhvillohet ndonjë orë mësimit. Kryetari i Komunës së Xhafzotajt nuk ka më se ku të ankohet, është i zhgënjyer nga gjykatat, të cilat i kthyen fushën sportive pronarit. Ndërsa në oborrin e shkollës 9-vjeçare të Vajkanit të Komunës Mbrostar, në Fier, kullosin gjë e gjallë, pula, dele. Në këtë shkollë mësojnë rreth 170 nxënës. Oborri i saj, përveçse është shndërruar në kotec gjigand me pula fshati, gjela deti, pata, dele e kafshë të tjera, i mungon edhe muri rrethues që të ndajë ambientet e saj nga autostrada e re që sapo është ndërtuar. Mungesa e këtij muri rrethues rrezikon çdo ditë jetën e fëmijëve që mësojnë në këtë shkollë. Drejtoresha e shkollës, zonja Brunilda Delibashi, thotë se i ka çuar disa herë kërkesa komunës, drejtorisë arsimore rajonale të Fierit, këshillit të qarkut, për marrjen e masave për të realizuar rrethimin e shkollës. Kërkesat që kanë pasuar njëra-tjetrën janë bërë edhe nga këshilli i mësuesve dhe i prindërve të shkollës, por asnjë përgjigje pozitive nuk kanë marrë. Kërkesa e tyre e fundit mban datën 6 tetor 2008. Asnjë përgjigje. Grupi i xhirimit të "Fiks Fare" shkoi në komunë për të mësuar arsyen e vërtetë se përse lejohet të rrezikohet jeta e fëmijëve që mësojnë në shkollën 9-vjeçare të Vajkanit. Kryetari nuk ndodhej në komunë, pasi ishte nisur me shërbim për në Tiranë, ndërsa nënkryetari i bëri bisht dhënies së një përgjigjeje zyrtare duke u shmangur. Pasi i la një orë të prisnin gazetarët e "Fiks Fare", duke nxjerrë justifikime nga më të ndryshmet, vendosi që të mos përgjigjej fare për këtë problem.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›