Në funksion të realizimit të detyrave që burojnë nga Programi i Qeverisë për intesifikimin e masave të marra dhe efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të palig
Në funksion të realizimit të detyrave që burojnë nga Programi i Qeverisë për intesifikimin e masave të marra dhe efektivitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, Ministri i Rendit Publik, Luan Rama, bazuar në ligjin nr.8553, datë 25.11.1999, "Për Policinë e Shtetit", sipas të cilit Policia e Shtetit "... është institucion i administratës shtetërore të republikës së Shqipërisë në varësi të Ministrit të Rendit Publik..."ka urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Bilbil Mema të planifikojë dhe të drejtojë një operacion të posacëm kundër vatrave të identifikuara të trafikut të qënieve njerëzore në të gjithë zonën bregdetare, me prioritet Qarkun e Vlorës.
Pas konstatimeve të para për mangësi dhe defekte, që në nisje të operacionit në mbrëmjen e datës 18.08.2002, Ministri i Rendit Publik ka shkuar vetë në Vlorë për të bërë analizën e fazës së parë të opreacionit. Nga kjo analizë ka rezultuar mungesë angazhimi dhe paaftësi në drejtimin e strukturave të përfshira në opreacion.
Si konkluzion, bazuar në ligjin nr.8553, datë 25.11.1999, "Për Policinë e Shtetit", përkatësisht neni 1, pika 1; neni 7, pikat 1,2,3; neni 9 pika3; gërma ç, pika 2 dhe neni 29 Ministri i Rendit Publik, Luan Rama ka urdhëruar pezullimin e zotit Bilbil Mema nga Detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke komanduar në këtë detyrë, Zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Kolonel Pjerin Ndreu.
Ministri i Rendit Publik në ushtrim të kompetencave që i njeh ligji i ka propozuar kryeministrit lirimin e Bilbil Memës nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë me motivacionin: "Për paaftësi në lidje me funksionimin dhe rezultatet në drejtimin e Policisë së Shtetit."
Zëdhënësi i Kryeministrit, Aldrin Dalipi, deklaroi dje në orët e vona të natës se Ministri i Rendit, Luan Rama, në mirëkuptim me Kryeministrin Fatos Nano, ka pezulluar për papërgjegjshmëri në drejtimin e operacionit antitrafik, që po zhvillohet në Vlorë, Drejtorin e Përgjithshem të Policisë, Bilbil Mema.
Zëdhënësi Aldrin Dalipi, sqaroi se vendimi për shkarkimin e Memës ka ardhur pas një analize të zhvilluar nga Ministri i Rendit Luan Rama në Drejtorinë e Policisë së Vlorës në lidhje me superaksionin e zhvilluar kundër trafikut të klandestinëve dhe lëndeve narkotike.
Në motivacionin e shkarkimit thuhet: "Përveç momenteve të arritura gjatë zhvillimit të aksionit kundër trafikantëve është konstatuar papërgjegjshmëri në drejtimin e veprimeve, gjë që ka ulur ndjeshëm efikasitetin e lëvizjeve në det të policisë shqiptare".
Po dje në mbrëmje, në vend të Memës është komanduar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, zv/drejtori Pjerin Ndreu i cili ka marrë në dorë që dje në mbrëmje drejtimin e operacionit "Puna", të nisur prej dy ditësh në qytetin jugor të Vlorës.