E Diel, 1 Nëntor 2026

Në garë Braçe, Tahiri, Gjoni, Zela, Harasani

15/02/2012  Partia Socialiste e Tiranës më 20 shkurt do të zgjedh kreun e ri të saj

Socialistët më 20 shkurt do të zgjedhin kryetarin e ri të PS-së për Tiranën. Në këtë mënyrë Partia Socialiste vijon procesin zgjedhor brenda strukturave të saj, edhe pse një proces i tillë duhej të ishte përfunduar që përpara mbajtjes së kongresit të 5 nëntorit. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se do të jetë pikërisht kjo datë kur do të zhvillohen zgjedhjet për qytetin e Tiranës, datë kjo e kërkuar më së shumti nga organizatat socialiste të bashkisë së kryeqytetit. Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar nga ana e PS-së, paraprakisht janë bërë publike kandidaturat që do të garojnë për një post të tillë. Kështu, emrat e përfolur janë Ilir Zela, Sajmir Tahiri, Andis Harasani, Ilir Gjoni dhe Erion Braçe. Më 6 shtator të vitit 2011 deputeti i PS-së Besnik Bare dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën. Dorëheqja e Bares u argumentua me rezultatin jo të kënaqshëm të PS-së në zgjedhjet lokale të 8 majit. Një post i tillë u mbajt nga deputeti Bare për 6 vjet radhazi. Por nisur nga situata e krijuar në kampin rozë, deputeti socialist preferoi që të japë dorëheqjen. Nga ana e saj kupola rozë komandoi në vend të tij deputetin Sajmir Tahiri, i cili do ta mbajë këtë post deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Kreu i ri i Partisë Socialiste së Tiranës që do zgjidhet nga procesi i 20 shkurtit, do drejtojë degën më të madhe të Partisë Socialiste në 4 vjetët e ardhshëm. Më herët një post i tillë është mbajtur nga ish-deputeti i PS-së Musa Ulqini. Për shkak dhe të mënyrës se si ishte organizuar kjo parti, kryetari i PS-së për Tiranën ishte i veshur dhe me më përgjegjësi tjetër: ai ka pasur peshën më të madhe në çdo proces zgjedhor. Pas ardhjes në parti të kryetarit aktual Edi Rama, nisi spastrimi i figurave “të vjetra” dhe rifreskimi i tyre me prurjet e reja të lidershipit socialist. Në këtë frymë të re u përfshi dhe organizimi dhe funksionimi i partisë më të madhe në kampin e majtë, e cila vijon të ndryshojë organizimin e saj me ndërhyrjet e herëpashershme që bëhen në statutin e PS-së.

Lobimi

Bëhet e ditur se deputeti socialist Sajmir Tahiri ka nisur kontaktet me krerët e organizatave socialiste për të lobuar lidhur me zgjedhjen e kreut të ri të PS-së së Tiranës. Në këtë kuadër, mësohet se gjatë ditës së djeshme Tahiri ka thirrur në takim një pjesë të krerëve të organizatave. Nuk kanë munguar dhe takimet me deputetët e Tiranës.

Kandidatura

Deputeti i PS-së Andis Harasani ka shfaqur publikisht preferencën e tij për të qenë pjesë e garës për kreun e ri të kësaj partie për Bashkinë e Tiranës. Pavarësisht përplasjeve me lidershipin socialist, Harasani është i vendosur që t’i shkojë deri në fund një gare të tillë, duke marrë përsipër riskun e penalizmit për shkak të kësaj fryme.

Zgjedhjet

Në Partinë Socialiste nuk janë bërë zgjedhjet e drejtuesve socialistë në 117 njësi vendore, ku është e organizuar partia, pra në më shumë se 1/3 e tyre, duke nisur nga kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana. Zgjedhjet në PS u mbajtën javë të tëra para Kongresit të PS-së, ndërsa në këto njësi nuk u mbajtën në periudhën normale, duke paralizuar veprimtarinë e PS-së atje.

Gara

Nisur nga vetë kandidaturat për një post të tillë, duket që gara do të jetë mjaft e fortë. Por kësaj atmosferë i shtohet dhe vetë qëndrimi i lidershipit socialist, i cili do të përcjellë nën zë emrin që do të drejtojë degën e PS-së së Tiranës për katër vitet e ardhshme. Nuk mund të thuhet ende nëse preferenca anon nga emri i Braçes apo i Tahirit.

Neni 17 i statutit të PS-së

Kandidaturat për kryetar të partisë të bashkisë propozohen nga organizata socialiste përkatëse dhe miratohen nga kryesia e PS-së. Kandidaturat për kryetar duhet të kenë vendbanim ligjor dhe të bëjnë jetën e partisë për një periudhë jo më pak se 1 vit brenda territorit të bashkisë. Kryetari i partisë i bashkisë zgjidhet nga asambleja socialiste e bashkisë me votim të fshehtë dhe kandidatura alternative. Kryetari është drejtuesi kryesor i partisë në bashki dhe përgjigjet për aktivitetin organizativ, politik dhe elektoral të strukturave të partisë në njësinë vendore përkatëse. Ai drejton organizimin e fushatës së zgjedhjeve në bashki e përgjigjet për rezultatin zgjedhor. Mandati i kryetarit të partisë të bashkisë si rregull është 4 vjet. Në rast se rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme e vendore është humbës ose më i ulët se në zgjedhjet paraardhëse, kryetari i partisë i bashkisë jep dorëheqje. Kur përbërja e asamblesë socialiste të bashkisë ripërtërihet, kryetari i partisë i nënshtrohet votëbesimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›