E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shpëtohet” nga Osumi linja e tensionit të lartë

15/02/2012  Ndërhyn me mjetet e tij Bordi i Kullimit, rrezikoheshin nga errësira 47 fshatra

Shumë komuna të izoluara nga reshjet e dëborës, banorët: Nuk kemi më ushqime

BERAT- Vazhdon të jetë problematike situata në komunat e bllokuara nga bora në qarkun e Beratit, kryesisht në fshatrat e thellë malorë në Skrapar dhe Berat. Kryetari i Këshillit të Qarkut në një komunikim me medien gjatë mesditës së ditës së djeshme ka bërë me dije se shumë zona rurale vazhdojnë të jenë të bllokuara me gjithë masat e marra për hapjen e tyre.

Rrugët

Petrit Sina, kryetari i Këshillit të Qarkut, ka bërë me dije se ende raportohen si të bllokuara akset rrugore Çorovodë-Devri, Çorovodë-Leshnje, si dhe Çorovodë-Potom. “Ndërmarrja e Rrugëve prej disa ditësh po punon me mjetet e saj dhe ato private në këto akse rurale, por reshjet e borës që vazhdojnë të bien me intensitet tepër të lartë, bënë që rrugët të bllokohen herë pas here. Për pastrimin e rrugëve është punuar jo vetëm me mjetet që Ndërmarrja e Rrugës ka në dispozicion të saj, por dhe me mjete të marra me qira tek bizneset private, por situata vazhdon të paraqitet problematike në këto zona”, tha Sina. “Shqetësimi që po ndihet këto ditët është mbarimi i rezervave ushqimore të banorëve në këto zona për gjënë e gjallë, çfarë ka bërë që menjëherë të organizohet puna dhe të hartohet një plan i detajuar që banorëve t’u dërgohen ndihmat e para me ushqime për gjënë e gjallë”, pohoi kreu i qarkut.

Operacioni

Një tjetër problem madhor është zgjidhur në paraditen e djeshme nga mjetet e rënda të Ndërmarjes së Bordit të Kullimit të Qarkut të Beratit për eliminimin e një defekti në linjën e tensionit të lartë, linjë e cila furnizon tre komunat e rrethit të Beratit e më gjerë dhe kryesisht komunën Velabisht, Sinjë dhe Tërpani, komuna me 47 fshatra. Një nga shtyllat e tensionit të lartë të kësaj linje ka qenë gati për t’u rrëzuar në ujërat e lumit Osum, pasi ujërat e rrëmbyeshëm të këtij lumi kishin gërryer tokën deri në këmbët e kësaj shtylle. Menjëherë pas marrjes së këtij sinjali nga drejtori i këtij filjali Pandi Kllapi me ndërhyrjen e prefektit të Beratit Bujar Hoxha është bërë e mundur që drejtori i ndërmarjes së Bordit të Kullimit të dërgojë mjetin e rëndë ekskavator dhe të bëjë të mundur eliminimin e këtij defekti madhor. Sipas pohimit të drejtorit të filialit KESH në Berat, Pandi Kllapi, pasojat do të ishin të pallogaritshme, pasi po këto shtylla do të merrnin me vete dhe disa të tjera dhe e gjithë zona për më shumë se 40 fshatra të tre komunave e më gjerë do të mbeteshin pa energji për më shumë se një muaj apo më mirë të them derisa të ulej niveli i ujërave të rrëmbyeshëm të Osumit.

Flet Artur Çepani

Për riparimin e këtij defekti drejtori i Bordit të Kullimit, Artur Çepani, tha për gazetën se: Ndërmarrja e Bordit të Kullimit të Qarkut të Beratit, veç problemeve të saja të planifikuara, me mjetet e saja të mbajtura në gatishmëri, ka për detyrë edhe ardhjen në ndihmë të komunitetit në rastin e emergjencave civile të krijuara në këtë rast nga moti i keq. Kemi në gatishmëri të gjithë mjetet për emergjencat civile”.

Spostimi i shtyllave

Në rast mosndërhyrjeje ujërat e Osumit do të kishin rrëmbyer jo më pak se 6 shtylla për të cilat me mjetet e Bordit të Kullimit u bë e mundur jo vetëm shpëtimin nga ujërat e rrëmbyeshëm të Osumit, por dhe vendosjen e tyre më shumë se 30 metra larg bregut të tij, duke i shpëtuar njëherë e përgjithmonë këto shtylla dhe krejt linjën nga ujërat e këtij lumi. Brenda tre orësh të gjithë fshatrat kishin energji.

Bilanci i stuhisë në Berat

Mbeten 46 shtëpi pa çati,

rindërtim 3 shkollave

BERAT – Ka rezultuar me një bilanc të hidhur stuhia e erës dhe bora e rëna në ditët e fundit në komunat Vërto dhe në disa komuna të tjera të rrethit të Beratit dhe të Skraparit. Në takimin në shtabin e emergjencave të mbledhur pranë Prefektit të Qarkut të Beratit me kryetarët e njësive vendore u bë e ditur se nga bilanci që kanë bërë krerët e njësive vendore gjatë këtyre ditëve rezulton se janë mbi 46 shtëpi që stuhia e erës ka shkatërruar thuajse plotësisht, mbi 120 kasolle bagtish të ndërtuara rishtas, si dhe shumë mbajtës bari e dushku për bagëtitë. Po kështu për t’u rikonstruktuar janë dhe 3 shkolla. S. G

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›