E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trëndafila të gjitha deputeteve në Kuvend

15/02/2012  Dhurata e Berishës

Kryeministri Sali Berisha ka zgjedhur që në ditën e Shën Valentinit të bëjë nga një dhuratë simbolike për të gjitha gratë anëtare të Kuvendit. Kreu i qeverisë u ka dhuruar 22 deputeteve nga një trëndafil të kuq. Si çdo vit, edhe këtë herë kreu i mazhorancës ka zgjedhur të bëjë dhurata për ditën që është simboli i dashurisë. Një vit më parë Berisha u dhuroi lule një grupi studentesh. Edhe pse aktivitetet për festën e Shën Valentinit u anuluan për shkak të emergjencës së krijuar nga reshjet e borës në Veri të vendit, Kryeministri nuk ka harruar të bëjë një urim të veçantë për ditën e të dashuruarve. Trëndafilat janë dërguar nga Kryeministri në Kryesinë e Kuvendit gjatë ditës së djeshme. Ndërsa stafi i Kuvendit ka bërë shpërndarjen për të gjitha gratë që janë pjesë e legjislativit shqiptar. Dhurata u është dërguar si deputeteve të mazhorancës, edhe të opozitës. Megjithëse në një situatë jo të zakonshme për shkak të motit të keq, sërish Kryeministri ka gjetur kohën për t’u bërë dhurata grave të Kuvendit të Shqipërisë, përfshi këtu dhe ato të opozitës. Nga ana tjetër, ishte Bashkia e Tiranës që ka lajmëruar ndërprerjen e festimeve për Shën Valentinin. Kjo për shkak të situatës së rënduar në Veri të vendit. Bashkia ka njoftuar se ka vënë në dispozicionin burimet e saj njerëzore për t’u ardhur në ndihmë banorëve të bllokuar atje. Ndërkohë në ndryshim me vitet e tjera Shën Valentini i djeshëm në Tiranë ishte disi më i zbehtë për shkak të të ftohtit, por dhe për shkak të krizës ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›