Sfidat e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Betejën e fundit duket se e ka fituar Barak Obama duke mbyllur kështu raundin e debateve. Në fakt raundin e parë presidenti e kishte nisur keq dhe gjatë dy debateve të fundit arriti të rrokullisë edhe sondazhet e kryera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithcka po shkon drejt votimit, datës 6 nëntor, do të jenë dy javë “lufte” ku mbi të gjitha do të synohen qytetarët ende të pavendosur në votën e tyre. Sidoqoftë gjithçka mbetet e hapur edhe pse pas gjashtë muajsh debatet kanë qenë të shumtë. Në fakt për politikën e jashtme ka qenë debati i fundit mes Obamës dhe Romnit. Një debat i zjarrtë i cilësuar si një debat fizik. Ka qenë Mitt Romnei që është paraqitur këtë herë më i pavendosur, dhe pa një ritëm në fjalët e tij. Madje sipas një komentuesi demokrat (Xhejms Karville) “Dukej sikur Romnei kishte humbur të njëjtin medikament si Obama në debatin e parë”. Nga ana tjetër presidenti Obama është dukur më i pregatitur, më i vendosur madje dhe shumë agresiv. U fol për Libinë dhe Romnei foli më tepër në linja të përgjithshme ndërsa Obama ishte më i sigurtë. Lindja e Mesme ka qenë protagoniste e pjesës së parë të debatit ku është folur edhe për Izraelin, Iranin dhe Egjiptin për të vazhduar më tej me terrorizmin e Al-Kaedës dhe në mënyrë të veçantë për atë në Afganistan. Por dy kandidatët nuk janë mjaftuar me kaq por kanë folur edhe për Kinën dhe konkurrencën e saj aspak korrekte. Më vonë është folur edhe për të fuqizuar Pentagonin, sipas tezës së Romnei ndërsa presidenti Obama ka folur për shndërrimin sa më efiçent të bilancit ushtarak. Natyrisht nuk ka pasur shumë Europë në këtë debat por Europa është përmendur nga Romnei kur theksoi (mbi Iranin) se “Jam dakord për të mbyllur portet dhe për të aplikuar sanksionet më të forta dhe jam i sigurtë që alaatët tanë europianë do të jenë me ne”. Sipas shumë analistëve duhen pyetur me të vërtetë amerikanët nëse janë të bindur se kriza në Europë ka përfunduar. Ka nga ata që mendojnë se pikërisht se kriza europiane është dicka e tejkaluar tashmë ndërsa disa të tjerë mendojnë se Europa nuk llogaritet shumë nga amerikanët aq sa nuk përmendet shumë. Sidoqoftë ka qenë një debat i kushtueshëm me rreth qindra milionë dollarë të shpenzuara në reklama televizive. Me sondazhe që përpara fillimit të debatit jepnin presidentin Obama dhe Romnei-n me 47% të sondazheve kombëtare. Natyrisht debati ka shërbyer mbi të gjitha për atë pjesë të popullsisë që ende nuk ka zgjedhur kandidatin për të cilin do të votojë. Një shifër jo e pakët që arrin në 4% të bazës elektorale. Ky debat pati edhe një karakteristikë tjetër sepse kandidatët ishin të ulur në një mënyrë të tillë dhe duhet të kishin mundësinë të takoheshin fizikisht edhe në mënyrë kërcënuese siç kishte ndodhur edhe një javë më parë. Një ditë më parë në Wall Street Journal, hartuesja e diskutimeve të Ronald Reganit, Peggy Noonan shkruante: “Ky është viti në të cilin debatet kanë patur një rol qëndror”. Në fakt kjo ka qenë shumë e vërtetë sepse në debatin e parë në të cilin Obama nuk eci shumë mirë fill pas tij sondazhet u rrokullisën. Edhe këtë herë ndoshta prandaj dhe u zgjodh edhe një skenë gladiatorësh, ku debati u përqëdrua më së shumti në politikën e jashtme që gjithsesi i intereson aq pak amerikanëve të përfshirë nga një krizë e lehtë ekonomike. Edhe publiku u tërhoq nga kjo lloj skene. Një politikë e jashtme që në vija të përgjithshme është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vetë Lindja e Mesme ka ende shumë çështje për të zgjidhur. Ka revolucione që nuk kanë përfunduar akoma, një luftë civile si ajo e Sirisë me shqetësimet e saj dhe të vendeve fqinje por edhe rreziqet që sjell bërthamorja e Iranit, pastaj Izraeli e kështu me radhë. Nga ana tjetër, edhe pse e minimizuar, me një krizë europiane që duket sikur kërcënon edhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në të njëjtën kohë është edhe rasti i Kinës që është cilësuar si e vetmja “perandori” alternative e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një shtet me mijëra miliardë dollarë amerikanë, një shtet që furnizon Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prodhime me kosto të ulët që në të njëjtën kohë përfaqëson një treg jashtëzakonisht të madh. Këto do të jenë dhe sfidat e afërme për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
...