E Diel, 1 Nëntor 2026

Në gjurmë të francezëve, për të shpëtuar arkeologjinë



Deri tani shkeljet flagrante që janë bërë në arkeologji nuk kanë mundur të ndalen për shkak të mosdijes dhe mungesës së një metodologjie dhe ligjit për mbrojtjen e tyre. Me gjithë krijimin e Agjencisë së Shpëtimit, ende arkeologjia shqiptare nuk ka kaluar në pozicionin mbrojtës të arkeologjisë së zbuluar. Seminari dytësor që është organizuar në Tiranë, këtë ka pasur qëllim, duke thirrur një nga institucionet më me përvojë në Francë, për të mësuar nga shkolla e mbrojtjes së arkeologjisë. Drejtori i teknikave shkencore, Pascal Depaepe, për gazetën “standard” është shprehur se midis Tiranës dhe Francës ka shumë pika të përbashkëta që kanë të bëjnë me fillesën e institucioneve për mbrojtjen e arkeologjisë. Depaepe tha se ndodhet në Tiranë për t’iu dhënë shqiptarëve përvojën e tyre 30-vjeçare, që të mos jemi më viktima të padijes, por të ndjekim metodologjinë franceze për shpëtimin e arkeologjisë. “Kemi ardhur në Shqipëri me ftesën e shqiptarëve nëpërmjet shkollës franceze të Romës, për të treguar mënyrën se si ne punojmë në Francë, por nuk pretendojmë që të imponojmë metodën tonë të punës, por thjesht kërkojmë të paraqesim mënyrën se si punojmë ne në Francë prej 30 vjetësh. Është fjala që çdo vend i caktuar të vërë në zbatim sipas kontekstit të tij ato që ne kemi arritur përgjatë gjithë këtyre viteve që sapo theksova”, - është shprehur drejtori i teknikave shkencore, Pascal Depaepe. Ai thekson se kjo përvojë do t’u shërbej arkeologëve shqiptarë, me qëllim që të mos bien viktimë e mungesës së informacionit gjatë kërkimeve në terren. Sipas tij, metodologjia franceze është një trampolinë e mirë për një punë të kujdesshme, që mund të shfrytëzohet sipas interesave vetjake të arkeologëve.

“Duke prezantuar eksperiencën tonë, ne kemi dëshirë që me anë të punës sonë të përbashkët, sepse mes arkeologjisë sonë dhe asaj shqiptare kemi shumë pika të përbashkëta, të mos lejojmë që të bëjnë të njëjtat gabime që kemi bërë edhe ne para shumë kohësh. Në një farë mënyrë ne duam që arkeologët shqiptarë të marrin anën pozitive të kësaj eksperience prej tri dekadash”, - bën më dije drejtori i institutit të kërkimeve arkeologjike preventive franceze, Pascal Depaepe. Ai ka shtuar gjithashtu se pikërisht kjo ngjashmëri terrenesh mes dy vendeve evropiane konsiston tek ligji i arkeologjisë shqiptare të shpëtimit. “Ligji i arkeologjisë shqiptare ka shumë pika të përbashkëta me ligjin tonë në Francë, kështu që e shikoj si një fushë me të cilën do të mund të vazhdojmë bashkëpunimin për ta përmirësuar akoma edhe më tepër”, - shprehet drejtori, duke shtuar se “po ashtu shikoj edhe shumë site të cilat janë të krahasueshme si për periudhën greke apo edhe romake, si këtu edhe në Francë, kështu që mënyra e punimit mbi to mund të jetë krejtësisht e krahasueshme”.

Ndërkohë që Agjencia e Shpëtimit të Arkeologjisë (ASHA) ka vetëm shtatë muaj që është themeluar, drejtori i teknikës së INRAP është shprehur optimist për rrjedhën e mëtejshme të punës së këtij institucioni. Ai thekson se këtë përfundim e nxjerr në bazë të vlerësimeve që ai i bën ekonomisë së Shqipërisë. “Me sa shoh ka një zhvillim të madh ekonomik dhe ndërtimor, kështu që është një periudhë e mirë që Shqipëria të zhvillojë një arkeologji perfekte, me qëllim që t’i përshtatet këtij zhvillimi ekonomik dhe urban”, - thotë Pascal Depaepe.

Ndërkohë që sqaron metodat e punës mbi terren, ai vë theksin edhe në rëndësinë e kësaj pune. “Ashtu sikurse vendet e tjera edhe për Shqipërinë është e rëndësishme që banorët të njohin historinë e tyre në mënyrë që të shohin drejt së ardhmes në mënyrë sa më objektive”, pohon drejtori i teknikave shkencore të INRAP, Pascal Depaepe.

Ndërkohë, gjatë seminarit në prani të studiuesve shqiptarë e të huaj, si dhe studentë të arkeologjisë, Depaepe ka diskutuar mbi mënyrën e organizimit të punës, duke u bazuar mbi shembuj konkretë gjatë zbulimeve në vende të ndryshme të Francës. Ndër të tjera, ai ka treguar edhe misionin bazë të INRAP, pikërisht dokumentimin e të dhënave dhe rezultateve të studimeve arkeologjike. Ai thotë se të dhënat e grumbulluara nëpërmjet sondazheve, anketave, inventarëve, metodave të kërkimit trafik e teknikave të tjera bëjnë të mundur botimet e librave specifikë të kësaj fushe, të cilat sipas tij, mund të shërbejnë si një pikë e mirë referimi për studiuesit. Pascal Depaepe bën me dije se në raportet e deritanishme të publikuara në shërbim të botimeve shkencore përfshihen të dhëna si 45 zonat e gërmimeve arkeologjike në Francë, në të cilat janë zbuluar mbi 95 mijë objekte, nga më i lashti deri tek më i hershmi. Gjithashtu, ai tregon se deri tani janë evidentuar rreth 600 mijë të dhëna për faunën dhe drejtime të tjera studimore. Kështu që Shqipëria tani, pas kësaj eksperience franceze duke pasur dhe një institucion të ri siç është Agjencia e Shpëtimit të Arkeologjisë, mund të shprehet se nuk do të kemi më, ose të paktën do të zbulohen në kohë, dhe do të parandalohen shkeljet flagrante që u bëhen objekteve arkeologjike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›