Në gjyq 40-vjeçarja, falsifikoi dokumentet e gjendjes civile
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për shtetasen Mrika Prendi, me detyre punonjëse e gjendjes civile të Njësisë Numër 11 në Laprakë. Sipas akuzës, e pandehura Prendi, ndryshe nga regjistri themeltar i shtetasve ku ishin pasqyruar të dhënat e një pjesëtari të familjes Karabeci, e cila figuron e datëlindjes 25.02.1968, e ka plotësuar dhe lëshuar certifikatën e lindjes duke pasqyruar si datë dhe muaj të lindjes 15.03.1968, duke falsifikuar kështu përmbajtjen e këtij akti të gjendjes civile. Nga hetimi ka rezultuar se plotësimin dhe lëshimin e certifikatës së lindjes, Mrika Prendi e ka plotësuar mbi bazën e kërkesës së A.Karabecit, pasi me këtë datëlindje ajo kishte plotësuar dokumentet si emigrante në Greqi. Vetë e arrestuara nga policia ka pretenduar para prokurorisë se e ka lëshuar ajo certifikatën, por shton se A.Karabeci i është paraqitur me një dokument identifikimi me gjeneralitetet e caktuara në këtë certifikatë.
#