E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Shqipëria pa viza,por me tre kushte,Rama letër Barrosos: Mos u ndiko nga kriza



Erald Kapri

Komisioni Europian propozoi që qytetarët shqiptarë dhe ata boshnjakë të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Vendimi i Komisionit Europian bën të mundur që udhëtimi pa viza të nisë në muajt e vjeshtës. Vendimin e bëri dje me dije komisionerja e BE-së për çështjet e Brendshme, Sesilia Malmstrëm. Ajo deklaroi se propozimi kushtëzohet me plotësimin e tri kërkesave të mbetura për t’u realizuar nga të dy vendet. Në një konferencë për shtyp ajo tha se ky propozim do u dërgohet institucioneve të larta të BE-së, që janë Këshilli dhe Parlamenti. Gjithsesi, Shqipëria e Bosnjë-Hercegovina duhet të plotësojnë tri kushtet e mbetura, e për këtë, në muajt e verës do të vizitojnë Shqipërinë një grup ekspertësh, të cilët do të verifikojnë 3 kushtet e vendosura. “Propozimi i sotëm është rezultat i punës së madhe dhe intensive të autoriteteve dhe popujve të këtyre vendeve për plotësimin e kushteve. Jam e sigurt se të dy vendet, duke pasur parasysh rezultatet e mira të treguara tashmë, do të jenë në gjendje të plotësojnë kriteret e mbetura në kohën e duhur, në mënyrë që Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave i BE-së të mund të japin së afërmi dritën e fundit jeshile për këtë propozim”, tha Malmstrëm. Ajo u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të plotësojnë detyrimet. “Më lejoni të theksoj se kjo liri duhet të shoqërohet me një përgjegjshmëri. Kështu që i ftoj autoritetet kombëtare në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë të vazhdojnë të informojnë shtetasit e tyre mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga udhëtimi afatshkurtër pa viza”, nënvizoi komisionerja.
Kushtet
“Procesi i monitorimit mund të zhvillohet gjatë verës, në mënyrë që të lejojë Këshillin dhe Parlamentin të marrin një vendim përfundimtar në vjeshtë”, bëri me dije Komisioni. Deri në muajt e vjeshtës, para se Këshilli e Parlamenti Europian të marrin vendimin politik për liberalizimin e vizave, Shqipëria do të duhet të plotësojë tri kushtet shtesë. Kushti i parë për Shqipërinë është “zhvillimi i një strategjie dhe politike për të mbështetur riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer”. Kushti i dytë është “përforcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëpërmjet ndarjes së burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare” dhe kushti i tretë është “zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar”. Sipas Komisionit Europian, propozimi është rezultat i një pune intensive për më shumë se dy vjet në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave, i cili filloi me këto dy vende gjatë gjysmës së parë të vitit 2008. Tashmë çdo qytetar që ka një pasaportë biometrike, sapo të hyjë në fuqi vendimi për heqjen e vizave, mund të udhëtojnë lirshëm në të gjitha vendet e BE-së, përjashtuar Britaninë e Irlandën. Në zonën Shengen bëjnë pjesë edhe Zvicra, Islanda dhe Norvegjia. Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, “tashmë është në dorën e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian të marrin vendimin përfundimtar për propozimin e Komisionit”.

Kërkesat për Shqipërinë

Zhvillimin e një strategjie dhe politike për të mbështetur riintegrimin e shtetasve shqiptarë të kthyer. Përforcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëpërmjet ndarjes së burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. Zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor në fushën e konfiskimit të aseteve nga krimi i organizuar.

Kërkesat për Bosnjën

Përforcimi i kapaciteteve të zbatimit të ligjit dhe zbatimi me efektivitet i kuadrit ligjor për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, edhe nëpërmjet ndarjes së burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare. Zbatimi progresiv nga marsi 2010 i plan-veprimit mbi shkëmbimin e të dhënave elektronike mes autoriteteve policore dhe të prokurorisë. Harmonizimi i kodeve kriminale të niveleve e të entiteteve, njësive dhe qarkut Brcko me kodin kriminal në nivel shtetëror.

Lohan: Udhëtimi pa viza, realitet
Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, deklaroi dje pas propozimit për liberalizimin e regjimit të vizave me Shqipërisë, se udhëtimi pa viza është realitet. Lohan kujtoi se Shqipëria duhet të plotësojë tri kriteret e kërkuara, para se të merret vendimi përfundimtar, i cili do të jetë vendim politik. “Vendimi që do të merret nga Këshilli dhe nga eurodeputetët në Parlamentin Europian mbi propozimin e Komisionit, do të jetë një vendim politik, sepse do të merret nga politikanët. Parësore mbetet që udhëtimi pa viza do të bëhet realitet vetëm kur të tëra standardet do të përmbushen”, tha Lohan.

Azilkërkuesit
Komisioni Europian thekson nevojën për të marrë masat e nevojshme për të limituar një fluks personash, që bëjnë aplikime për azil të pabazuara. Të dy vendet janë përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe efikase, duke bërë fushata të gjëra publike me qëllimin për t’u shpjeguar siç duhet qytetarëve të tyre kuptimin e udhëtimit afatshkurtër pa viza, çfarë është ai, dhe në veçanti duke u bërë thirrje qytetarëve kundër keqpërdorimit të vizës për qëllime të papërputhshme me udhëtimin pa viza.

Si u bë vlerësimi?
Në prill 2010, Komisioni Europian bëri një vlerësim të imtësishëm të progresit të arritur nga Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, i cili u nda me Parlamentin Europian, me Këshillin dhe me autoritetet e vendeve përkatëse. Përfundimet lejuan vazhdimin me propozimin e sotshëm për të mundësuar udhëtimin pa viza për këto dy vende. Tani i takon Parlamentit Europian dhe Vendeve Anëtare në Këshill të vendosin ta miratojnë propozimin gjatë muajve në vazhdim.

Vendet në Shengen
Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e BE-së, përjashto Britaninë e Madhe dhe Irlandën. Janë edhe tri vende në Shengen që s’janë pjesë e BE, Norvegjia, Zvicra dhe Islanda. Kështu, 25 vendet në Shengen janë: Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Finlanda, Italia, Luksemburgu, Holanda, Portugalia, Spanja, Suedia, Norvegjia, Islanda, Republika çeke, Hungaria, Lituania, Letonia, Estonia, Malta, Sllovakia, Polonia, Sllovenia, Zvicra.

Rama i shkruan letër Barrosos

Aristir Lumezi

Edi Rama i kërkon Emanuel Barrosos liberalizim sa më të shpejtë të vizave me Shqipërinë. Kreu i Partisë Socialiste i drejtoi dje një letër presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, ku shpreh mirënjohjen e opozitës për rekomandimin e KE për heqjen e regjimit të vizave për shqiptarët. Në letrën e tij, Rama i kërkon presidentit të KE që lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë të mos pengohet nga ngërçi politik që ka mbërthyer vendin që pas zgjedhjeve të 28 qershorit. "Lejomëni t'ju lutem zoti president që lëvizja e lirë e qytetarëve të mos varet a lidhet në asnjë mënyrë me çfarëdo problemi që Shqipëria sot ka, për shkak të mungesës së transparencës dhe të kushtetueshmërisë në një serë aspektesh të administrimit të punëve të vendit, duke filluar nga vetë Parlamenti, ku këto mungesa themelore fatkeqësisht hasen rëndom", theksohet në letrën e kryesocialistit. Kreu i selisë rozë falënderon përmes letrës së tij kreun e KE-së për kontributin që ai ka dhënë në këtë proces për shqiptarët. "është ky rasti më i mirë për mua që t'ju falënderoj në emër të opozitës shqiptare për koherencën që ju personalisht, e Komisioni Europian po ashtu, keni manifestuar në vijimësi për ta nxitur, mbështetur e përfshirë Shqipërinë në rrjedhën e bashkëjetesës europiane, duke ndikuar me këmbëngulje përpjekjet e vendit tim në rrugën e vështirë për përmbushjen e standardeve mbi të cilat qëndron në këmbë ngrehina e Bashkimit Europian", shprehet Rama. Ndër të tjera, ai thekson se liberalizimi pa kushte i vizave me Shqipërinë do të inkurajojë sipas tij, edhe në kapërcimin e pengesave të vështira me të cilat po përballet vendi. Kryesocialisti nënvizon përpjekjet dhe mbështetjen e fortë të opozitës për të bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve. "Apelin për heqjen e regjimit të vizave e për moskushtëzimin e kësaj procedure të shumëpritur për Shqipërinë e kemi bërë pa pushim në Tiranë, Bruksel, Strasburg, Pragë, Sarajevë, kudo ku kemi gjetur një hapësirë evropiane për të thënë fjalën tonë në emër të një populli evropian, të shumëvuajtur 50 vjet nën një prej regjimeve komuniste më brutale në botë. Kemi punuar në mes të krizës politike që ka mbërthyer vendin, për miratimin konsensual në Kuvendin e Shqipërisë të një rezolute të 11 marsit 2010, ku kemi inkurajuar institucionet shqiptare në përmbushjen e standardeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", shkruhet në letër. Përmes letrës dërguar Presidentit të Komisionit Europian, Rama përfaqëson qëndrimin e gjithë opozitës shqiptare, duke u shprehur se opozita e ka mbështetur vazhdimisht këtë proces. "është ky rasti më i mirë për mua që t'ju falënderoj në emër të opozitës shqiptare për koherencën që ju personalisht, e Komisioni Evropian po ashtu, keni manifestuar në vijimësi për ta nxitur, mbështetur e përfshirë Shqipërinë në rrjedhën e bashkëjetesës evropiane, duke ndikuar me këmbëngulje përpjekjet e vendit tim në rrugën e vështirë për përmbushjen e standardeve mbi të cilat qëndron në këmbë ngrehina e Bashkimit Evropian", shprehet Rama në letrën e tij. Në fund të letrës, Rama vlerëson kontributin e zotit Barroso në mbështetje të Shqipërisë drejt integrimit evropian të vendit.

Ditmir Bushati
Partia Socialiste e konsideroi dje propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave të një rëndësie historike. Sipas deputetit socialist, Ditmir Bushati, hyrja në fuqi e këtij propozimi do ta bëjë edhe më konkrete perspektivën Europiane dhe aspiratën shekullore të shqiptarëve, për të lëvizur të lirë në hapësirën europiane. "Partia Socialiste i kërkon Qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore që të përmbushin pa humbur kohë dhe me seriozitet kushtet e konsideruara si të papërmbushura ende nga KE, pasi vetëm përmbushja e tyre do të mundësojë miratimin nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së të propozimit të Komisionit Europian", u shpreh Bushati.

Fule: Kam besim se do plotësoni kushtet

Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefan Fyle, tha dje se autoritetet e Shqipërisë dhe Bosnjës duhet të plotësojnë kushtet e mbetura për të përfituar liberalizimin e vizave. “Ky propozim për udhëtim pa viza është me rëndësi të madhe për shtetasit e vendeve në fjalë, pasi do t’i sjellë ata më pranë BE-së. Regjimi pa viza do të ndihmojë për ta bërë perspektivën europiane më të prekshme. Kam po aq besim sa komisionerja Malmstrëm se autoritetet përkatëse kombëtare në Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë së shpejti do të mund të plotësojnë kërkesat e mbetura dhe do të vazhdojnë të garantojnë rezultate të qëndrueshme në zbatimin e udhërrëfyesve”, tha Fyle.

Bashkimi Evropian: Vizat brenda vitit, zgjidhni krizën

Zëdhënësja e Ministres së Jashtme Europiane, Catherine Ashton, Maja Koçijançiq vlerësoi dje në një intervistë për BBC-në hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për heqjen e vizave. Por ajo vuri theksin edhe te zgjidhja e krizës politike, që po ndikon në imazhin e demokracisë shqiptare.
Komisioni Europian ka hapur dritën e gjelbër për liberalizim të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën. çfarë nënkupton kjo për këto vende dhe cili është tani hapi i ardhshëm?
Ju e dini se procesi i liberalizimit të vizave i është ofruar Ballkanit Perëndimor kohë më parë, por natyrisht me disa kushte. Komisioni Evropian sot e ka bërë publik njoftimin se edhe Shqipërisë dhe Bosnjë Hercegovinës duhet t’u ofrohet qasja pa viza. Sipas pikëpamjes sonë, kjo shënon një gurëthemel për politikat e integrimeve të Ballkanit Perëndimor dhe diçka shumë e rëndësishme, por gjithashtu është një hap konkret për njerëzit në rajon që ata ta ndjejnë se BE-ja është shumë serioze në përkushtimin e saj ndaj Ballkanit Perëndimor dhe më saktësisht për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.
Por të dyja vendet, e posaçërisht Shqipëria, kanë ende detyra për të përmbushur. A s’është kjo një punë shtesë për këtë vend?
Ashtu është, por e thashë se për të gjitha vendet e rajonit kishte një udhërrëfyes të përcaktuar me të gjitha kushtet që duhej të plotësoheshin. Kjo u përcaktua për shkaqe të ndryshme. është e vërtetë se disa gjëra ende duhet të përmbushen, por ne jemi optimist se kjo do të ndodhë dhe se të dyja vendet do të kenë mundësi ta bëjnë këtë. Jemi optimist se vendimi do të jetë pozitiv dhe se liberalizimi i vizave do të bëhet më vonë gjatë vitit në nivel të BE-së.
Pra liberalizim të vizave brenda vitit?
Ne mbesim optimist se kjo do të ndodhë këtë vit dhe se të dyja vendet, duke u bazuar në rezultatet e mira, që tashmë i kanë treguar, do të përmbushin kriteret e mbetura me kohë. Dhe pastaj ne do të kemi mundësi që të kemi një vendim më vonë.
Ndërsa po flasim ka një ngërç politik në Shqipëri, një përplasje mes Qeverisë dhe opozitës. Mund të ketë kjo një lloj ndikimi në vendimin që mund të marrë BE për liberalizim të plotë të vizave?
Kjo nuk është një çështje e ndërlidhur drejtpërdrejtë. Por ajo që mund të them është se ngërçi aktual politik po e dëmton imazhin e demokracisë në Shqipëri dhe po pengon reformat e rëndësishme si dhe punën ligjore që vendi duhet të bëjë. Në përgjithësi, kjo nuk i ndihmon përpjekjet e vendit për të përparuar drejt BE-së.
çfarë po bën atëherë BE-ja për të tejkaluar situatën? Po lehtëson dialogun apo po ndërmjetëson për të gjetur zgjidhje?
Ju jeni në dijeni se edhe përfaqësuesja e lartë Catherine Ashton dhe komisioneri për zgjerim, Stefan Fyle, po e mbështesin nismën e dy deputetëve të Parlamentit të Evropës, që në emër të grupeve politike po punojnë që të ndihmojnë Shqipërinë që të gjejë një zgjidhje.
Një takim i nivelit të lartë të vendeve të rajonit dhe BE-së pritet të mbahet në më pak se një javë në Sarajevë. Ka pritje të mëdha gjithandej nga takimi, por ka pasur edhe shumë zëra që thonë se këto pritje nuk do të përmbushen, sepse, siç thuhet, “Ballkani do të jetë pjesë e BE-së diku nga viti 2020”?
Ajo që mund të them është se kjo konferencë në Sarajevë, më 2 qershor do të riafirmojë përkushtimin e saj për Ballkanin Perëndimor si të perspektivës evropiane ashtu edhe asaj të anëtarësimit për këtë rajon, sipas një konsensusi për zgjerimin që e ka arritur BE-ja. Gjithashtu do të shënojë edhe 10-vjetorin e fillimit të procesit, dhe me siguri ju kujtohet samiti i Zagrebit kur pas ndryshimeve të rëndësishme në rajon procesi nisi dhe perspektiva evropiane për Ballkanin për herë të parë u sigurua në nivelin më të lartë. Përkushtimi i BE-së këtu është shumë i qartë, por ajo që është me rëndësi është që vendet e rajonit të Ballkanit të bëjnë pjesën e punës së tyre. Gjithashtu presim që në këtë konferencë vendet e rajonit do të përkushtohen për intensifikimin e reformave që duhet të bëjnë me qëllim që t’i përafrohen BE-së. Kjo sepse është një monedhë me dy anë: njëra i takon BE-së por vendet e rajonit duhet të bëjnë reformat e tyre me qëllim që t’i përafrohen BE-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›