E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në gjyq mund të fusësh armë

15/02/2005  OSBE: Korrupsioni, ambientet, siguria dhe vonesat në procedura janë problemi i sistemit të Drejtësisë

Në Shqipëri nuk ka ambiente për të zhvilluar seancat gjyqësore

Sistemi gjyqësor në Shqipëri është vënë sërish në kritikat e organizatave ndërkombëtare. Korrupsioni, mungesa e sigurisë, zyrave dhe toleranca ndaj të pandehurve janë shënjestra e OSBE-së. Sipas ekspertëve, dobësia e sistemit gjyqësor është një nga pikat kryesore të bashkësisë ndërkombëtare dhe për pasojë pengon përparimin e Shqipërisë në Procesin e Stabilizimit dhe Asociimit. Në lidhje me mungesën e ambienteve, OSBE-ja shprehet se situata është e pakuptimtë, pasi fondet për ndërtimin e ambienteve të reja kanë kohë që janë vënë në dispozicion të Shqipërisë. "Pavarësisht se BE ka caktuar 5 000 000 euro për ndërtimin dhe ngritjen e një Gjykate për Krime të Rënda, në kuadrin e Planit Kombëtar të Veprimit CARDS 2003, ndërtimet deri tani nuk kanë filluar. Gjykata e re do ta ketë vendndodhjen pranë Burgut 313, në zonën periferike të Tiranës", thuhet në raportin e OSBE-së për Shqipërinë. Vërejtje janë dhënë dhe për nivelin profesional të gjyqtarëve. "Niveli profesional i ish-gjyqtarëve, të ashtuquajtur "gjashtëmujor", të cilët tani janë bërë avokatë, ka rezultuar tepër i dobët".

Rreziqet

Rreziqet, që lidhen me sigurinë e mjedisit të gjykatës, për shkak të këtyre shqetësimeve me personelin e policisë, shtohen nga mospërdorimi i mjeteve të tilla si detektorët metalikë, videokamerave si dhe kasafortave për ruajtjen e dosjeve dhe provave materiale. Në parim, çdo njeri mund të hyjë në zyrat e personelit të gjykatës, ku dokumentet nuk janë të kyçura dhe kështu mund të humbasin lehtësisht. Pavarësisht nga fakti se kohët e fundit në Gjykatën e Rrethit Tiranë janë instaluar pajisjet e duhura, këto mjete, në dukje funksionale, nuk përdoren. Rrezik përbën dhe shoqërimi i të akuzuarve. Për rastet kur të pandehurit në paraburgim nuk ishin të pranishëm në gjykim, ata nuk u sollën nga toga e shoqërimit. "Kjo ndodhi në 23 seanca, ndërsa në 5 seancat e tjera, të pandehurit gjykoheshin në gjendje të lirë. Në Gjykatën për Krime të Rënda nga shkurti 2004 deri në korrik 2004, nga vëzhguesit u ndoqën 138 seanca në kuadrin e 21 proceseve", thuhet në raport.

Vonesat

Sipas studimit të bërë në vitin e shkuar, seancat gjyqësore nuk kryhen gjithmonë në sallat e gjykatës, por disa herë zhvillohen në zyrat e gjyqtarëve. Kjo praktikë krijon probleme për hapësirën dhe prandaj efektivisht kufizon numrin e vëzhguesve, që mund të ndjekin një seancë gjyqësore. Gjithashtu, ekspertët kanë vënë re se seancat shtyhen me afate të gjata. "Një pjesë e madhe e vonesave shkaktohet nga masat e pamjaftueshme për transportimin e të pandehurve, që janë nën masën e sigurimit arrest në burg. Pavarësisht nga transferimi në vazhdim i përgjegjësive nga Ministria e Rendit Publik te Ministria e Drejtësisë, deri tani nuk mund të raportohen përmirësime të dukshme në lidhje me transportin. Prokurorët dhe avokatët mbrojtës i humbasin orët e punës, të cilat mund t'ua kushtonin çështjeve të tjera, dëshmitarëve u duhet ta zgjasin kohën në kushte të parehatshme për shkak të mungesës së një dhome pritjeje - një fakt që i ekspozon ata ndaj hakmarrjes së personave të afërt me të pandehurin", thuhet në raport. Shtyrje të tjera rezultojnë nga mosparaqitja e dëshmitarëve për të njëjtën arsye. Meqenëse zakonisht ka një hapësirë prej dhjetë ditësh ndërmjet seancave të një gjyqi, ky i fundit mund të zgjasë lehtësisht disa muaj. Proceset më të gjata janë ato që përfshijnë akuzat për trafikim droge dhe të qenieve njerëzore. Gjykimi në mungesë i një të pandehuri, ose i një pjese të të pandehurve, ndodh shpesh, duke cënuar kështu të drejtën e të pandehurit për të qenë i pranishëm në gjyq. Bie shumë në sy, veçanërisht në çështjet e bujshme, që në bankën e të akuzuarit nuk ulen kriminelët kryesorë, por të akuzuar për veprimtari mbështetëse.

Dokumentet janë gjithnjë nën rrezikun e vjedhjes apo të djegies Dëshimtarët janë të kërcënuar nga të afërmit e të akuzuarit Masat për mbrojtjen e dëshmitarëve, kryesisht nuk zbatohen, përveç ndonjë shoqërimi nga oficerë të policisë gjyqësore në gjyq për rastet kur është bërë një kërkesë më parë nga zyra e prokurorisë. OSBE thekson se, përveç mungesës së dhomës së pritjes, nuk ka hyrje-dalje të veçantë për dëshmitarët, ndërkohë që kur trupi gjykues tërhiqet për konsultim dëshmitari lihet në sallën e gjyqit ballëpërballë me autorët e krimit. Ndërsa, publikimi pa asnjë kufizim i çështjeve gjyqësore nga ana e medias duke përfshirë edhe zbulimin e emrave të dëshmitarëve, regjistrimin e deklarimeve të bëra dhe fotografitë e botuara, rrezikojnë sigurinë e dëshmitarëve si dhe atë të pjesëmarrësve të tjerë në gjykim (policisë, prokurorëve) dhe për më tepër, dëmton vendosjen e drejtësisë nga gjykata. Këto mangësi vihen re dhe në rastet e dëshmitarëve, që kanë mbrojtje të veçantë. Të dhënat Këtu flitet në mënyrë të veçantë edhe për kasafortat kundër zjarrit, me qëllim ruajtjen e dosjeve si dhe provave materiale. Sipas OSBE, aktualisht këto lloje pajisjesh nuk janë të kyçura, prandaj pastrueset, punëtorët apo dhe vizitorët që hyjnë në zyra, mund t'i shikojnë këto dokumente dhe mundet madje, edhe t'i marrin me vete në një moment kur njerëzit. që ndodhen në zyrë nuk e kanë mendjen. Për më tepër, në ndërtesën e Gjykatës dhe në hyrjen e katit të katërt, nuk kryhen kontrolle sigurie, kështu armët për të kërcënuar apo sulmuar personelin mund të futen brenda me lehtësi. Punonjësit e gjykatës rezultojnë se nuk janë trajnuar për situata të tilla dhe në shumicën e seancave (d.m.th. seancat me të pandehur në paraburgim), nuk ka policë të pranishëm për të ruajtur zyrat e gjyqtarëve

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›