Në janar PD zgjedh kupolën
28/12/2009 Pas zgjedhjeve të Këshillit Kombëtar PD do të përfshihet në zgjedhje të reja
Gara për të qenë pjesë e kryesisë dhe sekretariatit mes personaliteteve të njohura
Kupola e Partisë Demokratike gjendet në prag të një rinovimi të madh. Pas zgjedhjet së 100 anëtarëve të Këshillit Kombëtar në Kongresin e 14 dhjetorit, muajin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet për kryesinë e përgjithshme të partisë dhe sekretariatin. Gjatë muajit janar Këshilli Kombëtar do të mblidhet për të zgjedhur kryesinë e re të PD-së. Kandidaturat do të përzgjidhen nga vetë kreu i PD-së mes 100 emrave që fituan në Kuvendin e 14 dhjetorit.
Për të qenë pjesë e sekretariatit e Partisë Demokratike do të garojnë figura që kanë dhënë kontribute në këtë forcë politike. Kështu, do të garohet për sekretarin e përgjithshëm, për dy nënkryetarë, sekretarin për çështjet ligjore, sekretarin për pushtetin lokal, sekretarin për marrëdhëniet me jashtë, sekretarin e burimeve njerëzore, sekretarin organizativ, sekretarin për partneritet dhe sekretarin për ekonominë. Mendohet se personalitete të PD-së, të cilët kanë dhënë gjatë viteve të fundit, do të jenë pretendentët kryesorë. Në postin e sekretarit të përgjithshëm pritet të rizgjidhet Ridvan Bode, i cili përgjithësisht gëzon mbështetjen e krerëve të lartë të partisë. Po kështu në dy postet e nënkryetarëve nuk pritet të ketë ndryshime. Me shumë siguri Jozefina Topalli, e cila është edhe Kryetare e Parlamentit, dhe Astrit Patozi, kryetar i grupit parlamentar, do të rikonfirmohen. Garë do të ketë për postin e sekretarit organizativ. Flamur Noka deri më tani duket se ka bërë një punë të mirë, por nuk mënjanohet asnjë mundësi ndryshimi. Për postet e tjera në sekretariatin e PD-së do të ketë një garë mes figurave që njohin bazën e partisë, funksionimin dhe organizimin e saj, por edhe të jenë figura që të gëzojnë mbështetjen e zgjedhësve. Ndërkohë posti i sekretarit për marrëdhëniet me jashtë, i cili mbahej nga Besnik Mustafaj, me shumë siguri do t’i kalojë një tjetër figure të PD-së. Sipas statutit, përzgjedhja do të jetë e kryetarit të PD-së, Sali Berisha. Pak kohë më parë në radhët e PD-së lindi debati mbi mbajtjen e të dy posteve: atë të sekretarit dhe atë të ministrit. Ndër të parët që kërkoi ndarjen në statut ishte Fatos Beja dhe Aleksandër Garuli, të cilët argumentuan se është vështirë të mbahen dy poste dhe puna të ketë rezultate. Por këto pretendime nuk u bënë pjesë e propozimeve që iu përcollën Kongresit për ndryshimet statusore.
Kryesia
Kryeministri Sali Berisha, njëherësh kryetar i PD-së, ritet që në janar të thërrasë mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të partisë, ku do të zgjidhet përbërja e re e kryesisë së përgjithshme. Zgjedhjet në KK për kupolën e partisë nuk do të kalojnë pa rivalitet mes grupeve të formuara prej kohësh në PD, të cilët synojnë të kenë sa më shumë peshë në vendimmarrjen e partisë, duke influencuar sa më shumë në opinionin e kryetarit Berisha.
Sekretariati
10 anëtarët e kryesisë së përgjithshme të PD-së, që përbëjnë sekretariatin e partisë, do të zgjidhen menjëherë pas shpalljes së vetë kryesisë. Tre janë personat që me shumë siguri do të ruajnë postet aktuale në sekretariat: Jozefina Topalli, Ridvan Bode dhe Astrit Patozi. Për postet e tjera të sekretariatin e PD-së do të ketë një garë mes figurave që njohin bazën e partisë, funksionimin dhe organizimin e saj.