E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni, kapen 4 kg drogë, arrestohen 2 persona

28/12/2009  “Dhurata” , të prangosurve u gjenden armë dhe mbi 13 mijë euro
Policia: Kishim kohë që i ndiqnim, ka dhe të tjerë të përfshirë
ELBASAN-Operacioni “Dhurata” rezulton me dy të arrestuar me 4 kg heroinë. Agjentët e antidrogës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë arritur të mbyllin me sukses operacionin e koduar duke sekuestruar 4 kg heroinë 12 mijë e 950 euro dhe një pistoletë TT. Nga ky operacion janë arrestuar në flagrancë shtetasit Klevis Baxho, 31 vjeç, me banim në lagjen “5 Maj” të qytetit të Elbasanit dhe Arjan Petova, 42 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Elbasan në të njëjtën lagje. Burime nga Seksioni i Antidrogës në Elbasan bëjnë të ditur se dy të arrestuarit ishin vënë në survejim prej kohësh nga agjentët dhe lëvizjet e tyre janë ndjekur deri në finalizimin e operacionit në vendin e quajtur Stacioni i Trenit përgjatë Unazës së qytetit të Elbasanit. Me shpejtësi mjete me civilë kanë bllokuar rrugën dhe dy personat e ndodhur në mjetin targa të huaja BA433LL. Menjëherë janë neutralizuar dhe është ushtruar një kontroll i imtësishëm i mjetit. Në bagazh të paketuara janë gjetur 2 kg e 78 gr lëndë narkotike e dyshuar si heroinë. Menjëherë agjentët kanë ndërhyrë në banesat e personave të arrestuar në konspiracion të plotë. Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Klevis Baxho u gjetën dhe u sekuestruan edhe 2 kilogram e 27.6 gram pluhur ngjyrë e kuqërremtë e dyshuar për lëndë narkotike heroinë, një pistoletë me 8 fishekë si dhe 130 mijë lekë të reja. Ndërsa në banesën e shtetasit Arjan Petova u gjetën dhe u sekuestruan edhe 12 mijë e 950 euro. Sipas të dhënave të grumbulluara, mjeti është verifikuar në kohën kur lëvizte nga segmenti rrugor i Librazhdit në drejtim të Elbasanit. Agjentët e kanë ndjekur mjetin në çdo kohë derisa është organizuar ndërhyrja në brendësi të qytetit në Unazën Jugore. Dyshohet se droga do të qëndronte në Elbasan për një kohë të shkurtër dhe më pas synohej tregu kryeqytetas. Droga mendohet se ka hyrë nëpërmjet Maqedonisë. Prokuroria bashkë me agjentët antidrogë janë duke hetuar formën sesi ka kaluar kjo sasi droge nga vendi fqinj. Ende nuk bëhen të ditur emra të tjerë të përfshirë në trafik, por sipas të dhënave operacioni vazhdon. Dy të arrestuarit njiheshin edhe më parë nga antidroga dhe ishin në rrjetin e të survejuarve. Të dy janë të martuar dhe me një jetë normale në lagjen ku jetojnë. Familjet janë përballur me kontrollin e policisë vetëm paraditen e djeshme, pasi nuk kanë ditur të thonë asgjë për vendndodhjen e dy shtetasve, të cilët do të duhet të përgjigjen për akuzat “trafik të lëndëve narkotike”. Ndërkohë vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafik.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›