E Diel, 1 Nëntor 2026

“Në katër vitet e ardhshme do ta bëjmë qytetin e Shkodrës edhe më të bukur”

29-04-2011 / Gazeta 55

Profil/ Shkodër, kandidati i mazhorancës Lorenc Luka Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në qytetin verior, thotë se gjatë këtyre viteve është punuar për të kthyer principet dhe premtimet në realitet, ndërsa mandatin e ardhshëm arrihet objektivi madhor i shndërrimit të Shkodrës në një qytet të denjë Evropian


Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” për bashkinë e Shkodrës, Lorenc Luka, i cili gjatë katër viteve të fundit drejtoi me shumë sukses në këtë institucion, është shumë i bindur se bashkëqytetarët e tij do ta votojnë sërishmi për të vijuar edhe për katër vite të tjera zbatimin e projekteve madhore në shërbim të komunitetit si dhe për zhvillimin e qytetit në përgjithësi. I njohur tashmë si një drejtues dhe menaxhues i aftë, përvojë të cilën e ka fituar jo vetëm në katër vitet e drejtimit të Bashkisë së Shkodrës, por edhe të Këshillit të Qarkut të Shkodrës, deputet i Parlamentit Shqiptar, etj, Luka konsiderohet në opinionin shkodran si alternativa e duhur dhe më serioze për të vijuar mandatin e tij në krye të bashkisë. 52 vjeçari Luka, i diplomuar në Fakultetin e Juridikut, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, vjen nga një familje e persekutuar nga regjimi komunist, ku edhe pse familja e tij është ndër më të vjetrat në qytetin e Shkodrës, vendlindja e tij është në Saver të Lushnjes, periudhë në të cilën familja e tij ishte e internuar atje për bindjet politike. “E di që kërkoj një vazhdim, e di që na duhet të kalojmë një garë, por di edhe që Shkodra nuk kërkon kurrë hapa mbrapa”, thotë në një prononcim për mediat kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lorenc Luka. I kënaqur për atë që ka arritur gjatë katër viteve të drejtimit të bashkisë së Shkodrës, Luka thotë se, “punuam së bashku dhe kthyem principet dhe premtimet tona në realitet. Por nuk u mjaftuam, sepse ne tejkaluam edhe premtimet tona ambicioze, tejkaluam vetveten, dhe falë kësaj, sot Shkodra është qytet i vlerave e drejt standardeve evropiane, qendër e rëndësishme ekonomike, universitare dhe shkëmbimesh rajonale, ku harmonizohet zhvillimi i qëndrueshëm me mrekullinë e natyrës, historinë, kulturën dhe njerëzit, qytet tërheqës për të jetuar, punuar e pritur miq”, u shpreh kandidati demokrat për bashkinë e Shkodrës, Lorenc Luka. Ai ndihet krenar për çfarë ka bërë, por ndërkohë, shton se ajo që i intereson për më tej, është ajo që mund të bëjë shumë më tepër në katër vitet që do të vijnë sepse, sipas tij, gjatë kësaj kohe, “mësuam të punojmë së bashku, duke montuar shina të forta, ku treni i projekteve të tyre ka marrë shpejtësinë i sigurt”. Ndër investimet e realizuara gjatë mandatit të kaluar, si pjesë e programit lokal me mbështetjen e madhe të Qeverisë Shqiptare, Luka veçon rikonstruksionin e 24 km rrugëve, ku janë investuar 1 miliardë e 50 milionë lekë. Ndërkohë, thotë ai, këtyre investimeve i shtohen ato në kuadrin e programit afatshkurtër dhe afatmesëm të Qeverisë Shqiptare për qytetin e Shkodrës, mes të cilave janë investimet që po kryhen në unazën e qytetit të krahut lindor, pjesë e segmentit Shkodër-Hani Hotit, që do të mundësojë lidhjen me të shpejtë të Shkodrës me qendrat e tjera urbane si brenda vendit, ashtu dhe jashtë tij. Po kështu, Luka bën të ditur se në rikonstruksionin e rrugëve dytësore janë investuar 150 milion lekë, ku janë shtruar 19 km rrugë, rikonstruksion trotuare, ku janë investuar 125 milionë lekë në një sipërfaqe prej 41 mijë metër katror. Arritje të shumta janë shënuar edhe në nivelet gjithnjë e në progres të taksave, mbledhja e të cilave u ndihmua edhe nga implementimi i programeve të kompjuterizuara, i cili ka bërë të mundur që deri tani të numërohen 1020 biznese të ngritura, shoqëruar me hapjen e 7300 vendeve të punës. Investime të shumta janë kryer edhe në Parkun Industrial me 490 milion lekë në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës në rrugë, ndriçim, kanalizime dhe shërbime publike. Ndërkohë, ai shtoi se aktualisht është duke u zbatuar projekti prej 112 milion lekë për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të përdorura për këtë zonë. Në përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore për ndërtimin e kolektorëve kryesorë të ujërave të bardha janë akorduar 193 milion, ndërsa në përmirësimin e mjedisit dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbra janë investuar gjithsej 111 milion lekë, janë mbjellë 4 mijë pemë dhe shtuar e përmirësuar 28 mijë metër katror sipërfaqe e gjelbër. Duke mos dashur të përmendë edhe shumë e shumë arritje të tjera gjatë mandatit të kaluar, zoti Luka thotë se, “sigurisht që ka sërishmi punë për t’u bërë, dhe për këtë, ndryshe të jeni të sigurt që nuk do të pretendoja për një mandat të dytë”. Zbatimi i plotë i projektit “Shkodra përballë ujit”, është një tjetër pjesë e programit “Luka” për katër vitet e ardhshme, duke krijuar një fizionomi të re dhe garantuar një mbështetje me tepër për mbrojtjen e qytetit nga uji si edhe krijimin e zonave të reja zhvillimore. Këtu bën pjesë edhe Bypass-i perëndimor, i cili do të parandalojë dëmet e sjella nga dukuritë natyrore, por edhe do të mundësojë qëndrueshmëri ekonomike për zonat përreth, duke mundësuar gjithashtu ambientet park dhe shëtitjet në këmbë, pedalimin me biçikletë për banorët dhe vizitorët, etj. Këtyre investimeve u shtohen edhe Kampuset Universitare, Parku i Biznesit, shoqëruara nga muze, galeri, biblioteka, qendra kulturore, ndërtimi i kompleksit “Qyteti i Drejtësisë” pjesë e të cilit do të jenë Gjykata e Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë dhe Prokuroria, duke e shndërruar këtë qytet në një model për të gjithë rajonin. Në ambiciet e zotit Luka për katër vitet e mandatit të dytë në krye të bashkisë së Shkodrës, janë edhe investimet në fushën e turizmit, të cilat janë të përqendruara qoftë në zonën muzeale të qytetit, zhvillimi i trashëgimisë, artit e kulturës në një qytet që i çmon vlerat e traditës, pikat turistike të Shirokës dhe Zogajve pranë liqenit të Shkodrës, ato të lumit Buna, Kir dhe Drin, kalanë Rozafa, etj, pa lënë mënjanë edhe sportin, ku për këtë katërvjeçar, ai thotë se janë projektuar ndërtimi i dy komplekseve sportive në zonën veriore dhe veri-perëndimore të qytetit, që do të ofrojnë alternativa për aktivitete sportive dhe do të rrisin cilësinë e jetës për qytetarët.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›