E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ merr masa për 8 majin, askush s’do marrë peng vulën

29-04-2011 / Gazeta 55

Në rast të largimit të komisionerëve nga qendra e votimit, gati grupi i zëvendësuesve bashkë me vulën


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zyrtarizojë vendimmarrjen për vulat shtesë si një masë që shmang prishjen e procesit të votimit në atë qendër ku komisionari largohet së bashku me vulën. Vulat rezervë do të jenë nën administrimin e KQZ-së dhe do të dërgohen nga ky institucion në atë qendër votimi  ku ndeshet problematika e marrjes peng të vulës prej komisionerit. Kryetari i institucionit kryesor që administron zgjedhjet, Arben Ristani thotë se një vendimmarrje e tillë është e domosdoshme. “Na ka ndodhur në zgjedhje një fenomen shumë i shëmtuar i cili nuk ka marrë përgjigjen e duhur. Fenomeni është largimi i komisionerëve duke marrë vulën në xhep nga qendrat e votimit. Na ka ndodhur nga zgjedhjet në zgjedhje dhe nuk kemi arritur të gjejmë zgjidhje për çështjen dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i shqetësuar për këtë problem mendon se një nga masat që mund të marrim është që të bëjmë gati vula rezerve dhe këtë fenomen që mund të ndodhi të mund ta shmangim me kohë”. Largimi i mundshëm i një komisioneri së bashku me vulën nga qendra e votimit bllokon procesin, për shkak edhe të largimit të tij. Edhe për një situatë të tillë duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gati skenarin për ndërhyrje. Kryetari i KQZ-së, kujton zëvendësimin e emrave të përfaqësuesve politik në KZAZ me pjesëtarë të shoqërisë civile detyruar nga vonesat më shumë se një  mujore të depozitimit të emrave  nga opozita. “Një praktikë të tillë e bëmë në rastin e KZAZ-ve. Kemi gati ata 66 të cilët gjej rastin ti falënderoj  përsëri publikisht që shpëtuan zgjedhjet nga një ngërç që synonte t’i dështonte, pra ata janë dhe besoj se si ata do të kemi edhe angazhim të njerëzve të tjerë që duan të marrin pjesë dhe janë qytetarë të përgjegjshëm të zgjedhjeve në Shqipëri”. Ristani thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i detyruar të garantojë procesin. “Së pari Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati një kritikë nga ODIHR-i në zgjedhjet e kaluara për të qene më aktiv në zgjidhjen e problemeve. Në kuadër të kësaj kritike dhe të rregullimit të kësaj situate në po përpiqemi të jemi aktiv. Urojmë që dyshimet tona të jenë të pabaza por nuk mund të jemi indiferent ndaj të gjitha sinjaleve që vijnë për të bllokuar qendrat e ndjeshme të votimit apo sinjale të tilla që vijnë dhe nga media për të përdorur lista paralele. Janë absolutisht veprime të papërgjegjshme që duhen të merren masa jo vetëm nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve por edhe nga organet e ndjekjes penale nga prokuroria dhe nga policia”, sqaron Ristani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›