Në katër vitet e fundit u ndërtuan 5983 km rrugë

Investimet në rrugët e vendit janë rritur ndjeshëm gjatë katër viteve të fundit, çka tregoi qartë se rrugët ishin prioriteti i qeverisë shqiptare. Po ajo që po vihet re edhe në prezantimin e programit të qeverisë për mandatin e ardhshëm është fakti se rrugët do të njohin sërish të njëjtin ritëm zhvillimi. Në programin e kësaj qeverie për katër vitet në vazhdim sërish mbetet prioritet dhe tashmë ka nisur edhe zbatimi i disa prej projekteve të kontraktuara, zhvillimi i infrastrukturës rrugore rurale. "Në projektet e MPPTT për modernizimin e infrastrukturës, vend të rëndësishëm zë puna për lidhjen e komunave me akset kryesore dhe ajo e lidhjes së rrugëve rurale me akset kryesore rrugore. "Në synojmë që çdo komunë të lidhet me akset kryesore kombëtare në një kohë jë më të gjatë se 15 minuta" ka deklaruar kreu i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi në përballjet e tij të herëpashershme në opozitën, ditët e fundit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, gjatë periudhës 2006-2009 janë investuar në rrugë nacionale dhe rurale 178 miliardë lekë, kur në periudhën 2002-2005 u investuan 27 miliardë lekë. Në katër vitet e fundit vendit i janë shtuar 5 983 km rrugë, të reja dhe rikontruksione të rrugëve ekzistuese për shkak të degradimit dhe standarteve jo cilësore në ndërtim. Statistikat tregojnë se në vitet 2006-2009 janë ndërtuar 2055 km rrugë të reja nacionale të financuara nga buxheti i shtetit, 1980 km rrugë të financuara nga pushteti vendor, si dhe janë rikonstruktuar 1948 km akse nacionale. Ndër akset kryesore renditen rruga Durrës-Kukës, dhe akse të tjera kryesore me financim të huaj si Levan-Tepelenë, Tepelenë-Gjirokastër, Levan-Vlorë, Sarandë-Konispol, etj. Ndërkohë kanë filluar punimet edhe për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, për zgjatimin e autostradës nga Plepat deri në Rrogozhinë. Ndërsa po shtohet edhe me dy korsi edhe rruga nga Fushë-Kruja deri në Milot, dhe punimet po vijojnë intensivisht për të përfunduar në kohë sa më të shkurtër dhe për ta shndërruar në një autostradë normale. Në të njëjtën kohë janë në përfundim punimet edhe në rrugën Korçë-Qafë Thanë. Kjo rrugë shkurton distancën së paku me 27 kilometra. Deri në fund të këtij viti pritet edhe fillimi i punimeve për Boshtin e Jugut. Ky bosht shkurton distancën e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Sarandës dhe Delvinës së paku me 70 kilometra. Aktualisht, sipas MPPTT-së në mbi 70 akse rrugore në të gjithë vendin po punohet në përmbushje të objektivit të qeverisë për një infrastrukturë të standardeve evropiane. Në këtë kuadër, gjatë vitit 2009 po investohen mbi 55 miliardë lekë për ndërtim, asfaltim dhe sistemim të akseve rrugore kombëtare dhe rurale. Por një pjesë e mirë e segmenteve rrugore po financohen edhe nga institucione financiare ndërkombëtare nëpëmjet kredive të kontraktuara nga qeveria shqiptare.
Rrugët që do përfundojnë
Autostrada Fushë Krujë-Milot
Pjesë e korridorit Durrës-Kukës. Do të jetë një devijim i autostradës Tiranë-Durrës dhe do të bashkohet me autostradën e Kukësit në Milot. Punimet parashikohen të përfundojnë në prill 2010.
Autostrada e Plepave-Kavajë-Rrogozhinë
Vazhdim i rrugës Kukës-Vlorë. Segmenti Durrës-Rrogozhinë është me dy korsi dhe po shtohen edhe dy korsi. Pjesa tjetër, Rrogozhinë-Vlorë, po ndërtohet me katër korsi. Kjo rrugë në shumicën e kohës ka një trafik të ngjeshur.
Autostrada Korçë-Qafë Thanë
Vazhdim i rrugës Rrogozhinë-Qafë Thanë. Segmenti tjetër Qafë Plloçë-Korçë po ndërtohet. Eshtë menduar shmangja e rrugës buzë liqenit dhe ngjitja në Qafë-Thanë. Mendohet që segmenti të kalojë nga Qafë Plloça-Guri i Kamjes-Propisht-Qukës buzë Shkumbinit. Parashikohet ndërtimi edhe i një tuneli.
Rruga e Arbrit
Për këtë rrugë do të kontraktohet loti tjetër Bulqizë-Klos. Sapo të përfundojë projekti tërësor i pjesës më të afërt me Tiranën, do të tenderohet dhe do të fillojë ndërtimi nga shkalla e Tujanit. Problem ngelet një urë 150 metra e lartë, për të cilën do kontraktohet një kompani e huaj.
Rruga e Bregut
Në përfundim brenda muajit qershor 2009.
Rrjeti i përgjithshëm rrugor në Shqipëri, duke konsideruar gjithë kategoritë e rrugëve ku qarkullojnë automjete, është rreth 18 000 km i gjatë, përfshirë 3 636 km rrugë kryesore kombëtare, 10 500 deri në 11 000 km rrugë rrethesh. Sipas strategjisë së transporteve në territorin shqiptar prioritet kanë lidhjet e korridoreve Lindje-Perëndim (Korridori VIII) dhe Veri-Jug, si dhe të Korridori Durrës-Morinë, me standarde ndërkombëtare.
...