E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet mashtruesi, hiqej si zëvendësdrejtor i Interpolit



KUKËS – Arrestohet një person, i cili pretendonte se ishte zv.drejtor i Përgjithshëm i Interpol Tiranës. Bëhet e ditur se arrestimi i personit të akuzuar për mashtrim dhe përvetësim titulli në mënyrë të paligjshme është bërë falë një bashkëpunimi të ngushtë me Policinë e Kosovës. I arrestuari mbante një dokument të falsifikuar, i cili në njërën anë të tij kishte një stemë të Ministrisë shqiptare të Drejtësisë dhe në anën tjetër foton e personit, një vulë ende të paidentifikuar mirë, si dhe emrin e firmën me nënshkrimin “Berluskoni”. I dyshuari për mashtrim ishte ndaluar nga policia e Prizrenit, e cila e ktheu atë në Kukës, ndërsa Policia shqiptare vendosi menjëherë masën e arrestit me akuzën “mashtrim dhe përvetësim titulli në mënyrë të paligjshme”.

Sherri me armë, një në pranga, tjetri në kërkim

KORÇË – U konfliktuan me armë dy net më parë përpara Bashkisë, ndalohen dy persona dhe një i tretë shpallet në kërkim. Burime pranë Policisë së Korçës thanë se është bërë arrestimi në flagrancë për akuzën e “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”, “prishje e rendit dhe qetësisë publike e kryer në bashkëpunim” ndaj Adi Manokut, 25 vjeç. Policia tha se ka kryer veprimet hetimore procedurale për të njëjtat vepra penale në ngarkim të Rigels Shalcanjit, 20 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”. Gjithashtu, uniformat blu kanë kryer veprimet hetimore edhe për Renaldo Meton, mbi të cilin rëndojnë akuzat e “prodhimit dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “prishjes së rendit dhe qetësisë publike e kryer në bashkëpunim”. Të akuzuarit dyshohen si autorë të ngjarjes së ndodhur dy net më parë pranë Bashkisë Korçë, te vendi i quajtur Trekëndëshi, ku shtetasit Adi Manoku dhe Regels Shalcanji janë konfrontuar fizikisht me Renaldo Meton e, për pasojë, ky i fundit është plagosur me mjete të forta dhe me armë zjarri nga këta persona. Policia tha se Rigels Shalcanji është shpallur në kërkim, ndërsa Renaldo Meto ndodhet në spitalin e qytetit të Korçës, jashtë rreziku për jetën.

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›