Kreshnik Spahiu: “Gjykata e Vlorës thyen rekord për ankesat e qytetarëve”
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deklaroi dje se Gjykata e Vlorës thyen rekord për nga numri i ankesave të qytetarëve për zvarritjen e gjykimeve. Kjo deklaratë u bë gjatë analizës së dy gjykatave në Vlorë. Përveç statistikave të punës së vitit që kaloi, gjyqtarët u njohën edhe me kritikat që kishte ndaj tyre KLD-ja. “Për Gjykatën e Apelit Vlorë ka shumë ankesa, të shkruara dhe të pashkruara, deri edhe tek ankesa të natyrës që zbardhen vendimet me shume vonesë, kur dihet se ju keni dyfishin e kohës së ankimit ndaj shkallës së parë në civile (30 ditë për rekurs krahasuar me 15 ditë ankim) dhe trefishin e kohës së ankimit ndaj shkallës së parë në penale (30 ditë për rekurs krahasuar me 10 ditë ankim)”, - u tha dje Spahiu gjyqtarëve. Më pas kritika e radhës ndaj këtyre gjyqtarëve ka qenë qëndrimi ligjor që ata kanë mbajtur ndaj të akuzuarve për korrupsion. Sipas Spahiut, këta gjyqtarë kanë qenë shumë tolerantë me këta të akuzuar duke harruar ndoshta edhe veprën penale për të cilën ata akuzoheshin.
Gërdeci, Dëshmitarja: “Pas tragjedisë kam qëndruar dy muaj në shok psikologjik”
Dëshmitarja e radhës në procesin “Gërdeci” ka qenë e shoqëruar nga fëmija e saj. Në kohën e tragjedisë ajo ishte në muajt e parë të shtatzënisë. Ka pësuar dëmtime në trup, por fatmirësisht fëmija ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore. Tashmë dëgjimi i është vështirësuar dhe për dy muaj e ca me radhë ka qëndruar nën psikoterapi për shkak të frikës së humbjes së fëmijës. Ermira Berisha dëshmoi dje se ka punuar për disa muaj me radhë në fabrikë dhe kishte shkuar me disa shoqe. Kishte takuar drejtuesit e firmës edhe e kishin marrë në punë. Fillimisht ka punuar në procesin e fishekëve. Ajo tha se gjatë kësaj faze lante fishekët që shkonin për demontim dhe paketim. Ditën e ngjarjes ka qenë në fabrikë rreth 15 metra larg vendit nga ku u përhapën flakët. Ajo tha se në këtë moment ka dëgjuar një krismë të madhe dhe më pas ka tentuar të largohet. Në këtë moment e ka kapur flaka e madhe, duke e djegur në kurriz dhe në pjesën e pasme të kokës. Si pasojë e këtij shpërthimi ka humbur pjesërisht dëgjimin. Gjatë seancës së djeshme ka ngritur disa herë zërin, pasi mendonte se askush nuk e merrte vesh. Në momentin që e ka kapur zjarri i ka rënë të fikët edhe është zgjuar në spital. Gjatë shpërthimit ka qenë shtatzënë. Ka ripërsëritur disa herë se para se të përhapeshin flakët ka dëgjuar një krismë të madhe. “Edhe sot e kësaj dite, në gjumë dëgjoj krisma dhe trembje të madhe”, - tregoi Ermira.
Dëshmitë e radhës në procesin gjyqësor “Gërdeci” kanë evidentuar dhe njëherë faktin se punonjësit nuk kishin kontratë të rregullt pune. Megjithatë, në seancën e djeshme nuk pati ndonjë detaj të ri në lidhje me tragjedinë e re të 15 marsit të vitit 2008, që mori jetën e 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë.
Aksidentet, tre të vdekur dhe një i plagosur
TIRANË – Dy të vdekur dhe një i plagosur. Ky është bilanci tragjik i aksidentit të ndodhur mëngjesin e djeshëm në autostradën Tiranë-Vorë. Aksidenti, sipas burimeve të policisë, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, ndërsa hetuesit në vendin e ngjarjes thanë se shkak ka qenë shpejtësia e mjetit tej normave të lejuara. Mësohet se viktimat janë Edmond e Gentian Kulloi. Sipas policisë, është plagosur edhe një person i tretë që ndodhej në makinë. Si pasojë e përplasjes së automjetit, dy personat që ndodheshin në makinë kanë pësuar plagë të rënda, të cilat më pas u shkaktuan vdekjen atyre. Policia ka kryer veprimet e para hetimore me qëllim lirimin e rrugës për qarkullimin e automjeteve për shkak të fluksit të madh të lëvizjes në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti.
Vetëm disa orë më pas, një tjetër viktimë është regjistruar në aksin rrugor Fushë-Krujë – Tiranë. Bëhet fjalë për 70-vjeçarin Hamdi Topalli, i cili është përplasur nga një mjet. Uniformat blu bëjnë të ditur se makina që i shkaktoi vdekjen të moshuarit nuk është identifikuar ende. Kjo pasi shoferi është larguar menjëherë pas ngjarjes, duke e lënë pa ndihmë viktimën. Policia po punon për identifikimin e veturës dhe personit që e drejtonte atë.
27 Shkurt 2010