E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtimi i rrugëve dytësore, donatorët financojnë 180 milionë dollarë



Në dispozicion të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, do të vendoset një financim me vlerën prej 180 milionë dollarësh për financimin e ri për rrugët dytësore dhe rajonale në vend. Ky fakt u bë publik në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Fondit Shqiptar të Zhvillimit ku u diskutua mbi aktivitetin e kryer për vitin 2009 nga ky institucion. Fond i shtohet atij me vlerë 107 milionë dollarë të dhënë gjatë vitit 2009 nëpërmjet të cilit po mundësohet edhe ndërtimi i 304 km rrugë dytësore. Këshilli drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka diskutuar lidhur me ecurinë e këtij projekti i cili parashikon që deri në vitin 2013 të ndërtohen 1500 km rrugë dytësore. “Ky është financimi i dytë pas atij të parit i mbështetur dhe ai nga institucione ndërkombëtare zhvillimore në vlerën 107 milionë dollarë me të cilin janë realizuar ose janë duke u realizuar 304 km rrugë dytësore lokale në të gjitha qarqet e vendit. Në këtë mënyrë ne po realizojmë programin tonë që parasheh ndërtimin e 1500 km rrugë dytësore”,- theksoi Ministri i Shtetit, Genc Pollo. Bashkëfinancuese në këtë projekt janë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Fondi i Instrumenteve të Paraaderimit etj. Në total vlera e këtij projekti arrin në 400 milionë dollarë.

Importi për janarin, më pak mallra se një vit më parë

Importi i mallrave në Shqipëri pësoi një rënie tjetër në janar të këtij viti, duke shënuar nivelin më të ulët të regjistruar që nga fillimi i vitit 2007. Lajmi bëhet i ditur nga statistikat e publikuara dje prej Bankës së Shqipërisë. Shqipëria importoi 216 milionë euro mallra në janar, me rënie 31 për qind kundrejt dhjetorit, kur qenë importuar 314 milionë euro, si dhe me rënie 2.6 për qind kundrejt janarit 2009. Importet në Shqipëri nuk kanë qenë kaq të ulëta që nga shkurti i vitit 2007. Sasia e mallrave të importuara shërben si tregues i ecurisë së konsumit në Shqipëri, i cili vlerësohet nga të gjithë në tendencë negative, por paralajmëron gjithashtu edhe për vështirësi te financat publike, të cilat mbahen në këmbë në masë të madhe nga taksat dhe tatimet që mblidhen në dogana.
Ekonomia shqiptare eksportoi 69 milionë euro mallra gjatë muajit janar, me rënie të lehtë kundrejt dhjetorit, por gjithsesi me rritje të fuqishme prej 30 për qind në krahasim me një vit më parë. Rritja e fortë vjetore shpjegohet me faktin se në janar 2009 kriza pati arritur në kulm. Shqipëria ka eksportuar mesatarisht 70 milionë euro mallra që nga shtatori i vitit 2009. Eksportet e naftës bruto janë shkaku kryesor i rritjes për shkak të çmimeve dy herë më të larta në tregun botëror.

27 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›