E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim italiani për trafik makinash

Antitrafiku

Një shtetas italian është shpallur në kërkim nga policia e Tiranës, pasi dyshohet se merrej me trafikimin e mjeteve motorike. Policia e kryeqytetit ka prova të forta se ai ka qenë personi, i cili ka sjellë në Shqipëri një makinë luksoze, që rezulton e vjedhur në vendin fqinj. Sipas të dhënave zyrtare, seksioni kundër trafiqeve të paligjshme ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë shtetasin italian, Giovanni Leoni, 52 vjeç, banues në Itali. Nga hetimet mësohet se dy ditë më parë, rreth orës 14.00, në rrugën e Durrësit, pikërisht te Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, u bllokua mjeti “BMW”, me targa të huaja DE 954 TS. Në momentin e bllokimit, mjeti drejtohej nga Franc J., 27 vjeç, banues në Tiranë. Pas verifikimit të kryer ka rezultuar se mjeti rezulton i vjedhur në Itali. 27-vjeçari ka deklaruar se nuk dinte asgjë në lidhje me këtë problem dhe ka treguar se mjetin e ka blerë nga një shtetas italian, duke dhënë edhe emrin e tij. Më pas, grupi hetimor ka kryer veprimet përkatëse dhe ka rezultuar se mjeti kishte hyrë në Shqipëri më datë 8 gusht 2008. Policia shpjegoi se mjeti ka hyrë nga pika e kalimit kufitar në Muriqan nga Giovanni Leoni. Për këtë arsye, ai është shpallur në kërkim dhe është dërguar letër-porosi në Itali për këtë person.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›