Emigranti i ligjshëm u cilësua trafikant profesionist
U “dënua” me dëbim nga Greqia se ndihmoi vëllain e tij
Një peripeci që për shumë vetë është e pabesueshme, por që emigrantit shqiptar, Astrit Ndreca, që jeton prej dhjetë vitesh me dokumente të rregullta në Selanik, i kushtoi dëbimin nga Greqia. Policia greke e ka cilësuar “trafikant profesionist” dhe e ka dëbuar në Shqipëri, për arsye se mbajti në shtëpi vëllain e tij, që kishte ardhur në Greqi në mënyrë ilegale. Gjithçka ka filluar ditët e festave të fundvitit, kur shtetasi shqiptar, Fatmir Ndreca, duke e pasur të pamundur të marrë një vizë për të ardhur në Greqi, ku jetojnë dy vëllezërit e tij, kalon në këmbë kufirin greko-shqiptar në mënyrë ilegale dhe vjen në qytetin e Selanikut. Qëndron në shtëpinë e një prej vëllezërve, në lagjen “Evosmo” të këtij qyteti, aty ku banon prej dhjetë vitesh vëllai i tij Astriti, i cili ato ditë ndodhej në Shqipëri me pushime. Banon në shtëpinë e tij për disa ditë pa dalë prej saj, derisa vëllai i tij kthehet nga Shqipëria. 28-vjeçari Astrit Ndreca, duke dashur të ndihmojë vëllain më të vogël, i ble një biletë treni, për arsye se ai kishte shprehur dëshirën të shkonte në Athinë. E shoqëron madje edhe në stacion, e çon edhe në sediljen ku duhej të qëndronte dhe më pas dy vëllezërit përshëndeten. Disa minuta para se treni të niset, disa oficerë policie u kërkojnë dokumentet dhe pasi shohin që vëllai i vogël nuk i disponon i arrestojnë që të dy.
#