Babai i viktimave: Policia mund të kishte ndalur vrasjen e paralajmëruar
Vrasësi kishte shkuar disa herë i armatosur në shtëpinë e Mullinjve. Autori i masakrës së trefishtë, ende i lirë
“Policia mund ta kishte parandaluar tragjedinë e paralajmëruar”, kështu është shprehur babai i tre djemve të vrarë nga 40-vjeçari Besim Karaj, mesditën e së premtes në fshatin Vidohovë të Devollit. Xhevahir Mulliri, i mbetur i vetëm tashmë pas vdekjes dhe të djalit të tretë, Edlevanit, thotë se familja e tij ndihej e kërcënuar gjatë dy muajve të fundit. Besim Karaj u kishte shkuar disa herë në banesë i armatosur, madje dhe natën, duke i kërcënuar se do t’i vriste të gjithë. I ardhuri nga Thumana, ku jetonte në fshatin e gruas, për shkak të hasmërive në zonën e tij, lëvizte në mes të fshatit i armatosur, me kallash në sup dhe policia nuk e ndaloi asnjëherë. “Besimi e kishte ndarë mendjen për ta vrarë djalin tim. Ai dilte me armë në mes të fshatit. Më tha se kishte harxhuar 4 milionë lekë vetëm për të blerë armë dhe plumbat, me të cilët do të vriste tim bir. Ai u zinte pritë djemve dhe i kishte vënë në shënjestër. Edhe mua më kishte zënë rrugën dhe isha dakord që ai të hakmerrej ndaj djalit se të gjithë e dinin historinë mes tij dhe gruas së Besimit, por jo të më shuante derën, të më vriste të tre djemtë”, tregon mes lotësh Xhevahir Mulliri. Sipas babait të viktimave, 45-vjeçari Karaj dilte i armatosur në fshat dhe policia asnjëherë nuk mori masa dhe as e parandaloi këtë vrasje të paralajmëruar.
“Policia e dinte. Kemi shkuar disa herë për ta denoncuar në Bilisht tek shefi i krimeve. Por policia nuk veproi, madje na kërkonte të gjenim dëshmitarë për të vërtetuar se ne ishim në rrezik dhe që na kërcënonte me jetë. Ne kemi qenë nën kërcënime dhe presione gjatë gjithë kohës. Besimi e kishte kapur tim bir me të shoqen në flagrancë dhe unë i thosha se ai duhet ta kishte vrarë djalin tim dhe gruan e tij, që në momentin që i kapi në shtëpinë e tij. Por Besimi e fali gruan, por nuk linte të qetë djalin tim. Në telefonin e Taulantit vinin shpesh mesazhe kërcënuese. Unë i thosha Taulantit të mos u kthente përgjigje, por mesazhet nuk i fshihnim për t’ia dhënë policisë”, tregon Xhevahiri. Ndërkaq të afërmit e familjes Mulliri thonë se gruaja e autorit, Gentina Karaj, i bënte presion Taulantit se, në rast se do ta linte, ajo do vriste veten. “Po nuk erdhe, do të pres damarët, do vras veten”. Me këtë dhe me kërcënimin se po të ndahej prej saj, ajo do ta vriste 23-vjeçarin, Gentina vazhdoi më tej aventurën jashtëmartesore. Lidhja e tyre kishte vazhduar edhe pasi Besimi i kishte kërkuar që të mos takoheshin më. Gentina ishte shtatzënë dhe Besim Karaj e akuzonte se fëmijën e kishte me të dashurin. Kjo bëri që Gentina të abortonte foshnjën, por pa ndërprerë lidhjen e fshehtë me Taulantin.
Ndërkaq operacionet për kapjen e vrasësit kanë vazhduar në të gjithë zonën kufitare. Kërkimet në tokë përgjatë vijës kufitare, janë mbështetur edhe nga ajri me helikopter, ndërsa në fshat kanë dislokuar forcat e shumta policore dhe dy ekipe të tjera shtesë të forcave RENEA dhe atyre speciale. Dyshohet se gjatë natës, duke u gdhirë e shtuna, autori të jetë afruar pranë shtëpisë së të motrës, por është larguar pasi ka vënë re forcat e shumta të policisë. Mësohet se pesë ushtarakë grekë i janë bashkuar operacionit të kërkimit.
#