E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të flamurit të pavarësisë...

23/03/2012  Flamuri që u ngrit i pari në shenjë të shpalljes së mëvetësisë është zhdukur

I ekspozuar vetëm ai që u qëndis nga Marije Buda në zyrën e kryebashkiakut

Elbasani ishte i pari që ngriti flamurin dhe sigurisht që ai u punua nga elbasanaset posaçërisht për këtë ditë, por askush nuk e di ku ka përfunduar ky flamur. Flamuri që u ngrit më 25 nëntor 1912 në qendër të Elbasanit nuk ka një dokument të shkruar. Edhe pse Elbasani ishte qyteti i parë në vend që i çeli rrugë Pavarësisë Kombëtare, e cila u finalizua më 28 nëntor me ngritjen e flamurit nga Ismail Qemali në Vlorë, kjo dëshmohet pak ose aspak.

Flamuri i pavarësisë...

Gjatë këtyre kohëve ka filluar një kërkim mbi flamurin e 25 nëntorit. Aktualisht është pasqyruar flamuri është qëndisur nga Marije Buda një grua fisnike me banim në lagjen “Kala” të këtij qyteti nga kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini. Flamuri ka shqiponjën dy krenare dhe lart është qëndisur me mëndafsh të artë "25 nëntuer 1912, ndërsa poshtë fjalët "Marije Buda, lagja ‘Kala’". Relikja e rrallë mbush tashmë 100 vjet. Kryetari i bashkisë thotë se ky flamur është ndër reliket e rralla që mban në zyrën e tij. "Ky flamur ka moshë 95-vjeçare dhe është simbol i përpjekjeve Kombëtare për Pavarësi. Është fat i madh që ruhet akoma dhe është nder jo vetëm për qytetin e Elbasanit. Në atë kohë u qëndisën disa flamurë, por u përzgjodh ky flamur i qëndisur nga e madhja Marie Buda. Sa më shumë kohë kalon aq më tepër vlera merr kjo relike. Ky flamur, thekson ai, do të mbetet në zyrën e kryetarit të bashkisë. Ndërkohë specialistë të trashëgimisë kulturore kanë të dokumentuar stemën që është vënë në xhaketa më 25 nëntor 1912. Kjo stemë me shqiponjë ka një ndërtim të veçantë të shpendit që mban flamuri shqiptar. Gjithsesi vazhdojnë kërkimet për të gjetur flamurin që ka përdorur Elbasani për pavarësinë për ta bërë publik këtë model me rastin e festimeve të 100-vjetorit.

100 ditë festime për 100 vjet pavarësi...

Elbasani përgatitet për festimin e 100-vjetorit të Pavarësisë me një sërë aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë më 25 nëntor kur mbushen 100 vjet nga ngritja e flamurit në qytetin e parë shqiptar. Bashkia ka projektuar një fond të veçantë për një sërë projektesh duke nxjerrë në pah vlera dhe figura të papërmendura deri tani. Kryebashkiaku Qazim Sejdini që do të ketë fatin e ngritjes së flamurit pas 100 vjetësh shtet shqiptar, thotë se Elbasani ka një rol të veçantë dhe meriton të jetë në qendër të festimeve në shekullin e pavarësisë. “Elbasani ka dhënë një kontribut të theksuar në shtetformimin shqiptar. Unë do të thoja se ne kemi dokumente shumë të rëndësishme që shumë elbasanas janë drejtuesit e shtetit shqiptar të asaj kohe në disa nivele dhe jo vetëm ministra, si drejtorë, prokurorë, drejtues xhandarmërie e me radhë. Ne kemi ngritur një komision permanent për këtë punë. Kemi nisur edhe një bashkëpunim me Institutin e Albanologjisë në Tiranë sidomos me kontributin e zotit Marashi ku shumë shpejt ne do të vendosim piketat për një konferencë ndërkombëtare në këtë kuadër që do të zhvillohet në Elbasan, në prag të pavarësisë. Siç dihet Elbasani është i pari që ngriti flamurin dhe më vjen mirë që krahas patriotëve ka qenë kryetari i bashkisë në vitin 1912 që ka ngritur flamurin në Elbasan. Dhe më vjen mirë që jam unë që do ngre flamurin në vitin 2012. Kjo është obliguese për mua si kryetar bashkie, dhe për institucionin e bashkisë dhe më vjen shumë mirë që jemi bashkëpunues edhe me institucionin e prefektit”, tha Sejdini. Ndërkohë institucione të tjera janë duke nisur përgatitjet për 100 ditë aktivitete me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›