E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: Këshillat për Gërdecin i kam dhënë me statusin e drejtorit Antikorrupsion në Kryeministri

Nga BBC

Flet për BBC, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj

Zoti ministër, kohët e fundit disa çështje, disa raste me vlerësimet nga më të ndryshmet ju kanë vënë edhe juve si ministër në qendër të vëmendjes, rikujtoj çështjen e Gërdecit, pastaj rastin ‘Trebicka’, pastaj rastin më të fundit ‘Fazlliç’, sikur ju kanë vënë në qendër të vëmendjes. Le të shkojmë radhazi, shtypi shqiptar ka pasur disa tituj, ku ju akuzon si arkitekt të Gërdecit. ǒlidhje keni ju me Gërdecin?

Aq lidhje sa mund të ketë një arkitekt me një jurist. Sigurisht që këto janë, le të themi, komente apo konstatime të shtypit. Madje po ju them pa droje që është shtyp i pozicionuar qartësisht majtas. Edhe kjo është një gjë e natyrshme që edhe shtypi të ketë profilizimin e vet politik, majtas ose djathtas.

Çfarë mund të bëni ju si ministër në këtë rast?

Pikërisht kjo është ajo gjë që unë me kaq kohë dhe me kaq habi sa po e konstatoj edhe te ju, nuk po e gjej dot. Thuhet që ministri, në kohën kur nuk ka qenë ministër, ka qenë arkitekt, kjo nuk është e vërtetë, ministri ka qenë në detyrë, besoj tepër të rëndësishme, e panjohur më parë në qeverisjen para Partisë Demokratike, drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion. Detyrë e cila u krijua që në vitin 2005 si departament dhe kishte dy komponentë kryesorë, një komponent të rrafshit ekzekutiv, pra që nisej me hetime dhe investigime gjithmonë në aspektin administrativ dhe jo në aspektin penal. Dhe kishte një komponent tjetër, le të themi legjislativ. Pra, atje ku konstatoheshin që kishte mangësi të akteve ligjore apo vakuum ligjor, që duhet të rregullojnë një shtet ligjor, një shtet që vepron nën ombrellën e ligjit, do të duhej të jepte këshillime të veta juridike. Kjo ka ndodhur jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera, gjithmonë në fokusin për të parë që procedurat ligjore apo nënligjore lejonin shtigje hipotetike për veprimtari korruptive. Kjo ka ndodhur, asgjë më tepër. Po jap komente, pra në atë çka shtypi thotë, duke parë që janë komente më tepër sesa konstatime faktesh.

Ishte kjo shumicë qeverisë që miratoi emërimin e kryeprokurores dhe tani që prek interesat e qeverisë, kërkon t’i bëjë presion. Kështu doni që të vendoset shteti ligjor në Shqipëri?

Atëherë duhet të shihni atë çka është thelbi i gjësë. Nuk do të ndodhë me këtë qeveri, me këtë mazhorancë, se për shkak se ka votuar dhe ka dhënë votën e vet, moralin e vet një individi të nderuar në punën e vet për të kryer punën e vet në bazë të ligjit, t’i kërkohet më vonë që të krijojë marrëdhënie klientelizmi. Marrëdhënie të këtilla, le të themi mazhoranca e mëparshme, e cila ka emëruar prokurorë apo funksionarë të tjerë, të cilët më vonë nuk kryenin asnjëherë detyrën e tyre, qoftë edhe për të hetuar me të drejtë apo pa të drejtë ata, për cilët kishin votuar, nuk ka ndodhur. Kjo mazhorancë ka treguar dhe ka qenë besoj fisnike, dinjitoze dhe korrekt me ligjin. Sjellja e mazhorancës është e tillë, nuk formon asnjëherë marrëdhënie klientelizmi me atë që quhet sistem i pavarur. Në një moment të parë jep votën dhe nuk pretendon asnjëherë që të kërkojë shpërblim prej këtyre njerëzve. Është e qetë, është e lirë, lë njerëzit që të punojnë dhe i përgjigjet çfarëdolloj kërkese të ligjit.

Raporti i fundit OSBE thotë që ministria e juaj ka përfunduar projektligjin e prokurorisë në gusht të 2008, pa marrë konsultime të nevojshme. Çfarë komenti keni për këtë?

Është e vërtetë që OSBE në një raport ka bërë një konstatim të tillë që në gusht të 2008 ka përfunduar ligji për prokurorinë ende i pakonsultuar. Ligji për prokurorinë ende nuk ka përfunduar së draftuari. Jemi në momentet e fundit, nuk do doja të bëja ndonjë zbulim të madh, por me kënaqësi mund t’ju thosha që të themi në bashkëpunimin teknik, ligjor, midis ministrisë dhe prokurorisë dhe asistentëve tanë kemi gjetur përfundimisht gjuhën e përbashkët për konceptet kryesore që duhet të përmbajë kjo reformë në sistemin e prokurorisë. Fakti që ju them që nuk ka përfunduar dhe shumë shpejt do të përfundojë, do të thotë që nuk ka përfunduar as në gusht. Sqarimi është fare i thjeshtë. Ligji ka filluar të draftohet, dimensionet e reformës që në mars të këtij viti, në një urdhër të përbashkët të ministrit në detyrë dhe Prokurores së Përgjithshme në detyrë. Ishte një nevojë e ndjerë nga të dy institucionet, nga të dy funksionarët për të bërë diçka të tillë, u pritën të gjitha vërejtjet, ndjesitë, u faktuan, u plazmuan në draftin e ligjit dhe u pa e arsyeshme që disa çështje konkrete që duhet të kishin një lloj artikulimi politik më parë, pastaj një artikulimi teknik, u diskutuan, u diskutuan në gusht. Pastaj, sigurisht që nuk ishte një fantazi e një ëndrre të një nate vere, ishte një artikulim i gjatë, i menduar, duke bërë të ditur asistencën tonë teknike. Më pas, pasi u pa se si do të ishte kjo ndarje konceptuale, iu bë e qartë edhe prokurorisë dhe në një start të dytë bisedimesh u debatuan, u trajtuan në mënyrë konstruktive dhe këtu falënderoj përfaqësuesit e prokurorisë për të qenë konstruktivë, profesionalistë. Mua më pëlqen fakti që janë të arsyeshëm dhe kjo është e rëndësishme. Mund t’ju them që të gjitha çështjet e ngritura nga Ministria e Drejtësisë për t’u futur në ligjin për prokurorinë kanë gjetur të gjithë vendin e tyre, ashtu siç ishin para gushtit dhe tani që jemi në tetor.

Ministria e Drejtësisë ka në juridiksionin e vet zyrat e përmbarimit, agjencitë e kthimit dhe kompensimit të pronave, si edhe zyrën e regjistrimit të pasurive, hipotekën. Të tre këto agjenci përfliten si më të korruptuarat. Cila është përgjigjja dhe a ka përgjegjësi për këtë ministria juaj?

Nuk përfliten si më të korruptuarit. Unë mund t’ju kujtoj vetëm një gjë fare të thjeshtë, për të rrëzuar, le të themi, vetëm një perceptim tuajin. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që deri në vitin 2005 konsiderohej si një gangrenë dhe si një fole e korrupsionit. Vetëm një nga dokumentet e fundit ndërkombëtare e përcakton në renditjen e vet në rendin e 20 në botë. Mund t’ju them edhe diçka tjetër që dhënia e shërbimit sot në zyrat e Regjistrimit të Pasurive ka kaluar në një muaj deri në shtatë ditë. Pra, një aplikim që bëhet për të marrë shërbimin, maksimalisht bëhet për shtatë ditë. A ka problem në dhënien e cilësisë së shërbimit? Po, unë e pranoj që ka problem. Ka problem jo për të justifikuar as Zyrën e Regjistrimit të Pasurive, por as veten në këtë rast. Gjithmonë ka gjëra të mira për t’u bërë, e mira nuk ka fund. Ajo çka mund t’ju them është gjendja në të cilën është marrë Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Është marrë në një situatë, në të cilën nuk kishte as elementët më esencialë dhe elementët më elementarë për ta konsideruar Zyrë të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Kini parasysh që në 18 vite Shqipëria ka njohur një bum të konceptit të privatizimit të pasurive dhe drejtimet se nga vinin titujt e pronësisë, për të cilat Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duhet t’i depozitojë dhe në bazë të tyre të japë edhe shërbimin, vijnë nga drejtime nga më të ndryshme dhe të paunifikuara. Këtë nuk është faji i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, nuk po e quaj faj, por është një koncept, një mekanizëm i cili me të thënë të drejtën e gjeti republikën paksa të papërgatitur, sepse kaloi nga një moment ku kishte vetëm një pronar dhe ky ishte shteti, në një moment tjetër të vrullshëm ku numri i pronarëve dhe i titujve kalojnë maksimumin e tyre.

(Marrë me shkurtime)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›