E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimnazistët, fishkëllima minoritarëve për festën

 

GJIROKASTER - Ekzekutimi i himnit kombëtar të Greqisë nga fëmijët e shkollës 9-vjeçare në qytetin e Gjirokastrës, ka ngjallur konflikt mëngjesin e djeshëm. Me rastin e një prej datave të shënuara të popullit grek në përkujtim të "JO"-së greke në vitin 1941 ndaj fashistëve italianë, dje në zonën minoritare helene në jug të vendit janë organizuar një sërë veprimtarish të karakterit përkujtimor dhe historik. E ndërsa në fshatrat, ku jeton minoriteti etnik grek valëvitja e flamurit kombëtar dhe këndimi i himnit të Republikës së Greqisë ka qenë një dukuri mëse normale, në qytetin e Gjirokastrës kjo dukuri ka kaluar me një incident të kufizuar. Një koncert me këngë e recitime i organizuar nga nxënësit e shkollës 9-vjeçare greke pranë kishës ortodokse të Shën Mihajllos në lagjen "Varrosh", ka nxitur një reagim nga ana e nxënësve të shkollës së mesme të përgjithshme "Siri Shapllo". Në momentin e ekzekutimit të himnit kombëtar të Greqisë pas atij të Shqipërisë disa nxënës të vitit të tretë e të katërt nga kati i tretë i godinës shkollore, kanë fishkëllyer në shenjë ofeze. Kjo ngjarje është shoqëruar më pas me sharje në drejtim të vogëlushëve, që mësojnë gjuhën greke. Reagimi i menjëhershëm i mësueseve të ciklit fillor ndaj nxënësve të rritur të shkollës së mesme, ka mjaftuar që ata të stepeshin dhe largoheshin nga dritaret. Për këtë ngjarje është njoftuar edhe Drejtoria Rajonale e Arsimit, e cila nga ana e saj e ka komentuar këtë incident të mbyllur duke kërkuar mosamplifikimin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›