Në kërkim të zgjidhjes së emrit

Nuk duhet të keqpërdoret konsturktiviteti i
shqiptarëve gjatë viteve të kaluara dhe tash të keqpërdoret me atë që
shqiptarët të solidarizohen me thirrjet e tyre, që Republika e Maqedonisë të
heqë dorë në euro-integrimet. Kjo do të ishte shumë e dëmshme për vendin
Isuf Kadriu
Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në strukturat euro-atlantike, vlerësojnë partitë politike shqiptare, duke bërë thirrje për zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë.
Partitë shqiptare kanë riaktualizuar çështjen e emrit, duke thyer heshtjen që
ka mbretëruar pas sinjaleve që janë dhënë kohë më parë nga Brukseli, se
zgjidhja e këtij kontesti shumëvjeçar duket të jetë e afërt.
Sipas partive shqiptare në pushtet dhe opozitë, në vend që të punohet për
arritjen e kompromisit, ndodh e kundërta. Qeveria hesht, ndërsa, për pasojë, ka
marrë hov fushata për ndërprerjen e bisedimeve që po e udhëheqin shoqata të
ndryshme maqedonase.
Mendoj se qeveria nuk duhet të ketë lidhje me ta apo të udhëheqë politikë
populiste sa i përket çështjes së emrit. Absolutisht, çështja e emrit nuk duhet
të shikohet si çështje e politikës ditore, por si strategji afatgjate dhe e
zhvillimit, deklaron Sulejman Rushiti, sekretar për marrëdhënie me jashtë
i partisë opozitare Demokracia e Re.
Por, Rafis Haliti, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, thotë se nuk ka
njohuri nëse strukturat qeveritare qëndrojnë pas shoqatave të tilla. Edhe
Haliti rikujton qeverinë se integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian është
zgjidhja e vetme, pasi Maqedonia nuk ka alternativë tjetër. Andaj, sipas tij,
duhet angazhim për arritjen e këtij qëllimi.
Nuk posedojmë informata nëse qëndron apo jo dikush pas shoqatave të këtilla
joqeveritare. Vlerësoj se interesimi i Maqedonisë është që të jetë pjesë e
NATO-s dhe e Bashkimit Evropian, pasi për Maqedoninë, alternativë tjetër nuk
ka, thotë Haliti.
Veç kërkesave për ndërprerjen e bisedimeve, opinioni, ditëve të fundit, është
përballur edhe me kërkesa të tjera nga shoqata të ndryshme maqedonase drejtuar
shqiptarëve, që të dalin në mbështetje të, siç thuhet, gjërave më të
rëndësishme për një entitet, siç janë: identiteti dhe emri i shtetit.
Rafis Haliti, deputet i BDI-së dhe nënkryetar
i Kuvendit të Maqedonisë, thotë se thirrjet e tilla nuk janë të sinqerta, pasi
injorohet gjithë konstruktiviteti i shqiptarëve, i treguar gjatë gjithë
periudhës së kontestit mes dy vendeve.
Nuk duhet të keqpërdoret konsturktiviteti i shqiptarëve gjatë viteve të
kaluara dhe tash të keqpërdoret me atë që shqiptarët të solidarizohen me
thirrjet e tyre, që Republika e Maqedonisë të heqë dorë në euro-integrimet. Kjo
do të ishte shumë e dëmshme për vendin, shprehet Haliti.
Sulejman Rushiti, nga Demokracia e Re, thotë se shqiptarët janë kombi i vetëm
që ka treguar mirëkuptim për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me
maqedonasit, të cilët, sipas tij, duhet të kuptojnë se integrimi është zgjidhja
e vetme për të ardhmen e shtetit.
Vetë fakti që shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon, nuk kanë
asnjë kontest me identitetin maqedonas, me kishën, me gjuhën e kështu me radhë,
tregon qartë se ne kemi mirëkuptim me dalldisjen gjithë këtë kohë të politikës
në humbjen e kohës për çështjen e emrit, e aspak me identitetin. Nga e gjithë
kjo mendoj se nuk ka vend që dikush të na bëjë thirrje
kolektive, deklaron Rushiti.
Debatet e këtilla dolën edhe si pasojë e anketave të publikuara lidhur me
mendimin e qytetarëve për çështjen e emrit. Derisa shumica e popullatës
maqedonase kundërshton ndryshimin e emrit të Maqedonisë, shumica e shqiptarëve
janë deklaruar për ndryshimin e emrit nëse është kusht për integrimin e vendit
në strukturat euroatlantike. /RFE/