“Në këtë 8 dhjetor, më të vendosur se kurrë për të luftuar aleancën e rrezikshme punisto- mafioze”

Kryeministri Berisha vlerëson ditën e Rinisë si ditën që shënoi të ardhmen evropiane të Shqipërisë
Kreu i qeverisë Sali Berisha zhvilloi dje një takim me strukturat e Partisë Demokratike të qarkut të Tiranës, në kuadër të përgatitjeve në prag të festës madhështore të 8 dhjetorit. Në fjalën e tij Berisha u shpreh se më 8 dhjetor të gjithë shqiptarët duhet të mblidhen në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në kujtim të ditës që i hapi dyert kombit të dilte nga një regjim barbar. Ishte lëvizja e studentëve të dhjetorit, tha kryeministri që bëri të mundur çrrënjosjen e një prej regjimeve më të egra që ka njohur njerëzimi.
Berisha u shpreh gjithashtu se, “8 dhjetorin ne do ta shndërrojmë në një ditë të së ardhmes sonë, sepse ne nuk punojmë as për lavdinë dhe as dhe për historinë”.
“Përkushtimi ynë i plotë është ndryshimi i këtij vendi, çdo ditë çdo javë e çdo muaj”, tha Kryeministri në fjalën e tij, duke ftuar të gjithë shqiptarët për pjesëmarrje masive në sheshin qendror të kryeqytetit në kujtim të veprës madhore të studentëve të dhjetorit dhe përforcimin e idealeve evropiane të Shqipërisë.
“Me 8 dhjetor, të mblidhemi të gjithë në sheshin ‘Skënderbej’, të mblidhemi të gjithë qytetarët e Tiranës, për të nderuar me respektin më të thellë nderimin më të madh për ato djem edhe vajza të Universitetit të Tiranës, të cilët në një akt legjende u përballën në rrugët e Kryeqytetit me diktaturën me të egër që Europa kishte njohur ndonjëherë dhe e gjunjëzuan atë”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Berisha tha se ata erdhën në horizontin shqiptar në atë dhjetor ashtu siç i besoi çdo shqiptar si engjëj të vërtet.
“Ata u shfaqën si engjëj liberator ndaj dhe ne duhet të nderojmë më 8 dhjetor veprën e tyre të madhe. 8 dhjetori duhet të bashkojë të gjithë antikomunistët shqiptarë, sepse beteja zhvillohej me sistemin më barbarë e më ç’njerëzor që shqiptarët kishin njohur.
8 dhjetori ishte dita e antikomunizmit, ngadhënjimi mbi këtë regjim barbar. Por 8 dhjetori për çdo shqiptar u faktua gjithashtu si dita që i hapi dyert për kombin të dilte nga një udhëkryq i tmerrshëm në të cilin e kishte vendosur regjimi komunist. Një udhëkryq që nuk kishte lidhje, nuk i përkiste atij as lindja as perëndimi. Ky komb ka lindur një komb perëndimor, ka një trashëgimi perëndimore, ka një perspektivë perëndimore dhe këtë e afirmoi edhe njëherë madhërishëm 8 dhjetori”, deklaroi kreu i qeverisë.
Shefi i ekzekutivit theksoi se, “ne kemi një arsye tjetër shumë të madhe për tu bashkuar të gjithë në sheshin ‘Skënderbej’ në 8 dhjetor, sepse ne jemi burrat dhe gratë që shembëm 19 vjet më parë murin e Berlinit në Tiranë”.
“Ne sot qëndrojmë në kursin e historisë të shndërrimit të ëndrrave tona në realitet, të shndërrimit të idealit të dhjetorit në realitet, lokomotivë e integrimit të këtij vendi, shtoi kryeministri, duke vënë në dukje se, këtë 8 dhjetor ne e festojmë më krenarë se kurrë, e festojmë si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s dhe në prag të aderimit në Bashkimin Evropian”.
Kreu i qeverisë, paralajmëroi gjithashtu se ky 8 dhjetor vjen në kulmin e përpjekjeve të aksionit shtetëror në luftën ndaj krimit dhe mafies më të rrezikshme në vend.
“Ato ditë dhjetori kur studentët dhe qytetarët e Tiranës brohorisnin e duam Shqipërinë si gjithë Europa, ata brohorisnin për idealin euroatlantik të shqiptarëve që sot është kthyer në realitet. Sot ne nderojmë 8 dhjetorin e vitit 90, pasi Bashkimi Evropian ka pranuar kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE, ideal madhor ky i lëvizjes studentore. Ne e nderojmë 8 dhjetorin sot në prag të realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptar në mbarë Europën. Ne nderojmë 8 dhjetorin pasi së bashku gjatë këtyre 4 viteve shembëm murin e krimit që ndante Shqipërinë me Europën, murin e korrupsionit që kishte mbyllur dyert e integrimit të Shqipërisë në Europë dhe vijmë më të vendosur se kurrë të shembim murin e mafies që aleanca punisto - mafioze përpiqet të lartësoj çdo ditë e më shumë. Ne qëndrojmë të vendosur në zotimin tonë për shtetin ligjor që qytetarët shqiptarë të gëzojnë liritë që meritojnë. Në 8 dhjetor ne nderojmë përpjekjen tonë të madhe në këto 19 vite, sakrificat e mëdha që bëmë për të mos u mposhtur. Janë të shumtë ata që nga 8 dhjetori gjer sot ranë për tu bërë të pavdekshëm dhe prehen sot në altarin e lirisë. Por forcat politike që lindën nga 8 dhjetori, shpirti dhe ideali i 8 dhjetorit mbetën të pamposhtura. Sot ne jemi sërish në timon, sot ne jemi në mision të madh dhe të sigurt se ne do ta kompletojmë atë”, u shpreh ndër të tjera, kryeministri Sali Berisha.
Në vijim, kryeministri ftoi të gjithë shqiptarët, të cilët mendojnë se ëndrra evropiane është projekti më i bukur, që të bashkohen më 8 dhjetor dhe të kremtojnë këtë festë të madhe.
“Unë ftoj të gjithë shqiptarët pavarësisht nga bindjet partiake që i besojnë pluralizmit, vlerave të tij. Ftojë të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve partiake për të cilët ëndrra europiane është projekti më i bukur për ata dhe familjet e tyre. Ftoj të gjithë shqiptarët, për të cilët liria dhe vlerat e saj janë vlerat më të çmuara. Ftoj të gjithë shqiptarët, për të cilët familja është vlerë themelore e kësaj shoqërie, të bashkohemi në sheshin ‘Skënderbej’ për të festuar një ditë ndër më të mëdha në historinë e kombit tonë, për tu bashkuar në të gjitha kombet e Europës që festuan në nëntor me një madhështi të merituar, të paparë, rrëzimin e murit të Berlinit, 20 vjetorin e rënies së tij. 8 dhjetorin ne do ta shndërrojmë në një ditë të së ardhmes sonë, sepse ne nuk punojmë as për lavdinë dhe as dhe për historinë. Përkushtimi ynë i plotë është ndryshimi i këtij vendi, çdo ditë, çdo javë e çdo muaj. Ndaj ftoj të bashkohemi në sheshin ‘Skënderbej’ të gjithë qytetarët e këtij vendi për të cilët ndryshimi është një dëshirë, është vullnet, të cilët janë të vendosur të kontribuojnë në këtë ndryshim jetik dhe përcaktues për fatet tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë, të ardhmen e shqiptarëve në tërësi. Zonja dhe zotërinj, Tirana duhet të jetë në krye të festës. Lëvizja e dhjetorit është lëvizja e dhjetorit të studentëve të Universitetit të Tiranës. Këtu në Tiranë Azem Hajdari së bashku me studentët e tij nisi atë betejë, në të cilin u shemb muri i Berlinit, u shemb për tu mos u ngritur më kurrë”, theksoi më tej, kreu i qeverisë Sali Berisha.
Partia Demokratike dhe mbarë Shqipëria kremton nesër në ora 16.00, në sheshin “Skënderbej”, festën e madhe të Rinisë, 8 dhjetorin. Në këtë aktivitet madhështor pritet të jenë të pranishëm në Kryeqytet qindra e mijëra qytetarë nga i gjithë vendi, në kujtim të veprës më të bukur të të rinjve, studentëve idealistë të Lëvizjes së dhjetor ‘90-ës, të cilët të nisur nga Qyteti Studenti, thyen çdo pengesë të mbetjeve të fundit policore të regjimit komunist rrugëve të Tiranës.