E Hënë, 2 Nëntor 2026

Në këto 8 vjet, Nano nuk ka ndërtuar as 10 për qind të tyre

23/04/2005  Besnik Aliaj e konsideron të pamundur ndërtimin e 100 mijë apartamenteve

Besnik Aliaj, kandidati që konkurron përballë Kryeministrit Nano në Sarandë, e ka konsideruar të parealizushme idenë e ndërtimit të 100 mijë apartamenteve brenda vitit 2009. Sipas Aliajt, një ide e tillë është e parealizueshme, brenda një kohe kaq të shkurtër dhe bëhet vetëm për efekte elektorale. “Një politikë të tillë nuk mund ta ndjekin as vende si Suedia, që njihen për politikat e tyre të mirëfillta sociale. Pra, shihet qartë që bëhet vetëm për efekt të fushatës elektorale. Në katër vjet të qeverisjes socialiste nga investitorët vendas janë ndërtuar 150 mijë apartamente, të cilat janë shitur, pra për qëllime biznesi. Në rast se paskan qenë mundësitë, përse nuk janë ndërtuar në këto 8 vjet të paktën 10 për qind e këtyre apartamenteve për të pastrehët, që zoti Nano premton t’i ndërtojë për katër vjet”, tha Aliaj. Në platformën e opozitës për strehimin, ku një ndër autorët e saj është vetë Aliaj, parashikohet ndërtimi i 8 mijë apartamenteve në vit për familjet në nevojë. Dy mijë prej tyre do të subvencionohen nga shteti, kurse për 6 mijë të tjera do të aplikohet kredi e zbutur. Lidhur me këtë fakt, Aliaj shpjegon se këto shifra janë vendosur në strategji në bazë të një studimi të resurseve që disponon vendi. Aliaj është arkitekt, dhe për një kohë të gjatë ka qenë drejtor ekzekutiv i Co-Plan, institut që merret me studimin e zonave urbane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›