E Hënë, 2 Nëntor 2026

PDR prezanton kandidatin e zonës 32 në Tiranë

23/04/2005  Opozita nxjerr vendin nga kriza

Kryetari i PDR-së, Genc Pollo, ka prezantuar dje në zonën numër 32 të kryeqytetit kandidatin për deputet të reformatorëve, Edvin Musta. Në fjalën e tij përpara simpatizantëve, Pollo ka sulmuar kandidatët e përzgjedhur nga PS-ja për të konkurruar në kryeqytet. Sipas kreut të reformatorëve, zgjidhja për daljen nga kriza, në të cilën ka hyrë vendi, është ardhja në pushtet e opozitës. “Është ngjethëse të mendosh se në Tiranë të gjithë paguajnë superfaturat e korrentit, me përjashtim të atyre që banojnë në zonën zgjedhore, ku kandidon drejtori i KESH. Që në Tiranë të gjithë paguajnë normalisht taksat, me përjashtim të atyre që banojnë ne zonën zgjedhore, ku kandidon drejtori i tatimeve për kryeqytetin. Që në Tiranë kush ka punë me doganat i shlyen detyrimet, me përjashtim të atyre që kanë shtëpinë te Xhamlliku, ku kandidon drejtori i madh. Më privat se kaq, shteti shqiptar nuk ka qenë qysh nga 1912. Përgjigjja më e shpejtë ndaj kësaj mizerjeje është një rotacion nga një alternativë e besueshme, pra një e Djathtë Plurale, domethënë nga një opozitë e koordinuar”, tha Pollo. Në tubim e morën fjalën edhe drejtues të tjerë të reformatorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›